Sfidat e mediave dhe gazetarëve në kohën digjitale
Ndërsa sfera publike ndryshon, shteti, media, intelektualët dhe profesionistët duhet të angazhohen për krijimin e politikave dhe rregulloreve të reja në mënyrë që gazetaria profesionale të përballet dhe t’i kapërcejë këto probleme.
As bota mediatike nuk mbeti e pa prekur nga zhvillimi i hovshëm teknologjik viteve të fundit. Në shekullin e 20-të, të qenit pronar i medias nuk ishte aq e lehtë, sepse kishe nevojë për një investim serioz dhe nga ana tjetër nuk prisje fitime të larta. Por në ditët e sotme, me një investim të vogël, mund të bëhesh pronar mediatik. Dhe kjo rezulton të kemi media joserioze.
Kjo ka shkaktuar deformim të hapësirës publike dhe në mënyrën e krijimit të opinioneve. Filozofi gjerman Jurgen Habermas, në kritikën e tij ndaj organizimit shoqëror të kohës tonë në veprën e tij: “Transformimi i ri i sferës publike”, thotë se ngritja e mediave të reja po ndodh nën hijen e përdorimit komercial të komunikimit në internet, cili tani për tani është i rregulluar shumë pak.
Ai vazhdon duke thënë se kjo po e rrezikon ekonomin e botuesve tradicional të gazetave dhe gazetarëve si grup përkatës profesional. Kjo shihet qartë përveç në nivelin global edhe në vendin tonë kemi rënie drastike të shitjes së gazetave dhe zhvillimit të një gazetarie analitike dhe më profesionale. Ku gazetat duhet të presin mbështetjen e Qeverisë për të mbijetuar. Pra, interneti ka thjeshtëzuar qasjen deri te lajmi të cilin e ka bërë “falas”. Por, mos të harrojmë që një produkt i mirëfilltë asnjëherë nuk është falas dhe kur të ofrohet falas atëherë produkti jemi ne. Një proverb angleze thotë “No such thing as a free lunch”.
Derisa në anën tjetër, pikërisht te përdoruesit e mediave sociale po organizohet një mënyrë e komunikimit gjysmëpublik, të fragmentuar, e cila po qarkullon brenda vetes dhe e deformon perceptimin e sferës publike si të tillë. Pra, debati publik nga studiot televizive dhe okularet intelektuale, është bartur në mediat sociale, ku keqpërdorimi dhe të drejtën e pjesëmarrjes në debat e ka çdo secili. Kjo sa është pozitive është negative, pasi pjesëmarrja në debat bëhet pa asnjë filtër dhe redaktim profesional. Ku shpeshherë hasmi në komente ofenduese, linçime por edhe shpërndarje të lajmeve të rreme apo teorive konspirative. Kjo ndikon të krijohen opinione publike të dëmshme për komunitetin.
Si të përballen mediat me sfidat e reja?
Ndërsa sfera publike ndryshon, shteti, media, intelektualët dhe profesionistët duhet të angazhohen për krijimin e politikave dhe rregulloreve të reja në mënyrë që gazetaria profesionale të përballet dhe t’i kapërcejë këto probleme.
Habermasi thotë se njerëzimi duhet të kalojë një periudhë të gjatë për t’u mësuar edhe me rolin e autorit. E kjo, sipas tij, do të merr kohë të konsiderueshme dhe për ta kuptuar se sa kohë do të marrë, duhet të kthehemi në kohë për ta parë se sa periudhë ka kaluar njerëzimit për t’u mësuar me rolin e lexuesit. Pasi, para një kohe të gjatë jo çdo kush ka pasur rolin e të qenurit lexues. Kujtimet më të freskëta i kemi gjatë pandemisë me virusin korona, ku komentues por edhe një pjesë e mediave online (të cilat nuk kishin adresë), shpërndanin teori konspirative për mosekzistencën e virusit apo dyshimin mbi efektet e vaksinimit.
Një vetrregullim i mediave por edhe përshtatja e tyre në kohën digjitale përmes platformave që ofron sot koha, do të ishte një nga zgjidhjet më të mira. Duke filluar një nismë serioze, për një agregat të vetëm mediave profesionale me adresë dhe redaksi.
Krijimi i një ekipi profesional të cilat do të detektojnë portalet propagandeske dhe në bashkëpunim me MPB-në, të bllokohen IP adresat e atyre portaleve. Pasi kemi një numër të madh të portaleve të cilat aktivizohen vetëm gjatë fushatave zgjedhore dhe atëherë shpërndajnë spine politike, akuza për kundërshtarët politik, lajme të rreme, defokusojnë opinionin dhe shkelin çdo parim të gazetarisë – me të vetmin qëllim të pasurohen pronarët e mediave. Hulumtimi i Institutit për Politika Publike “Arben Xhaferi” tregon se mediat e themeluara para zgjedhjeve, si www.in7.tv, www.speci.mk dhe disa të tjera, kanë marrë mjete nga KSHZ-ja, por pas zgjedhjeve, ato u avulluan.
Derisa tani portalet zakonisht janë të fokusuar në kronikën e zezë, show-bizin dhe kështu me radhë, me të vetmin qëllim të tërheqin sa më shumë lexues dhe klikime, por që në kohë të zgjedhjeve tentojnë të bëhen media me ndikim serioz politik.
Vrapimi pas sensacionalizmit
Sociologu francez Pierre Bourdieu, në veprën e tij, “Mbi televizionin”, thotë se presioni i mediave që imponohet me ndjekjen e scoop–it është i tmerrshëm. Ai thekson se mediat janë gati të bëjnë gjithçka që të jenë të parët që e bëjnë apo posedojnë diçka dhe ta bëjnë para tjerëve. “Kërkimi i ekskluzivitetit, që në fusha të tjera sjell origjinalitetin, në këtë rast prodhon uniformizim dhe banalitet”, thekson Bourdieu. Pra, sipas tij, ky kërkim i lajmit që ka interes dhe uri për të jashtëzakonshmen, mund të ketë efekte politike po aq sa lojtarët politik të drejtpërdrejt apo sa autocensura e frymëzuar prej frikës nga përjashtimi.
Në Maqedoni në një periudhë të shkurtër kohore kemi pasur disa vrasje apo aksidente që shqetësuan opinionin. Kanë lindur portalet dhe mediat të cilat nuk janë të rregulluara dhe të monitoruara dhe funksionojnë si një “ligë e egër”. Këto media kanë qenë ndër më aktivet në publikimin e lajmeve pa konfirmim nga institucionet kompetente. Dhe me këtë ngjallin panik dhe frikë te qytetarët.
Përkundër faktit se Kodi Etik i gazetarëve, thërret për “çlirim nga sensacionalizmi”, në raste të tilla, këta “media” bien nga provimi – pasi pikërisht këto janë rastet ku në betejën për klikime dhe ekskluzivitet shpërndahen video dhe fotografi me përmbajtje eksplicite.
Mediat shpeshherë plasojnë edhe lajme ende të pa verifikuara nga organet kompetente ku gati se gjithnjë as nuk tentojnë edhe të marrin ndonjë konfirmim nga policia apo prokuroria. Këtu kemi raste ku në përleshjet mafioze, mediat shpallin të vdekur personat që ende janë gjallë dhe shqetësojnë opinionin por edhe familjarët. Zakonisht këtë e bëjnë media joprofesionale që nuk kanë as impresum e as adresë në portal dhe që nuk kanë punësuar më shumë se dy gazetarë në një redaksi të tërë. Të tilla janë portalet e përmendura më sipër në tekst..
Shpeshherë ajo që është edhe më shqetësuese gjatë rasteve të “kronikës së zezë”, përdoren fjalë të cilat terrorizojnë edhe më shumë opinionin publik. Fjalët më shpeshherë të përdorua në titull gjatë këtyre rasteve janë tronditëse, bombastike, tragjike, e çuditshme e shumë terme të tjera të ngjashme. Llojet e këtyre titujve përdoren për clickbait të cilat do të sjellin përfitime të majme për mediumet të cilat e japin lajmin.
Përveç këtyre problematikave që cekëm më lartë, sot sfidë tjetër janë edhe lajmet e rrejshme dhe propaganda. Këto dy fenomene edhe pse të ndryshme në thelb përdoren për të ndërtuar një narrativ të gabuar dhe për ta bindur publikun për një çështje të caktuar.
Në një zhvillim kaq të hovshëm teknologjik, portalet online në vendin tonë disa të porositura e disa nga mungesa e informimit bien në kurthin e “spin doktorëve” dhe bartësve të ideologjive të pa njohura apo destruktive që janë të ndikuara nga shtetet e huaja. Por nuk duhet të anashkaluar edhe “bot-at” që zakonisht angazhohen gjatë fushatave zgjedhore, për të ndikuar në opinionin publik. Siç e ceka më lartë filozofinë gjerman, Habermas, në kohën kur debati publik është bartur në mediat sociale, këto “bots”, përdoren për të komentuar në rrjetet sociale dhe për të polemizuar sa më shumë me qëllim që të polarizohet shoqëria aq sa më shumë të jetë e mundur.
Për ta evituar këtë problematikë, vendi ynë duhet ta përshpejtojë procesin e futjes së lëndës së edukimit mediatik në procesin edukativo arsimor. Që nxënësit të kenë më aftësi të mendimit kritik dhe raportues të përgjegjshëm. Prandaj sfidat e tilla veç sa shkojnë e shtohet më shumë, pasi sot në këtë kohë duhet të kujtojmë faktin se secili qytetar është autor potencial. Edhe edukimi i gjeneratës së re bëhet edhe më i domosdoshëm, në aspektin e të mësuarit për të qenë lexues kritik dhe në të njëjtën kohë dhe raportues të përgjegjshëm.
Sfidat të cilat na presin janë të shumta, por duke e shikuar teknologjinë si një mjet për të përmbushur synimet tona, ne mund të avancojmë dhe të sigurojmë se roli i gazetarit dhe sfera publike mbetet thelbësor për shoqërinë tonë. Nëse zhvillimi i hovshëm teknologjik mirëpërdoret, vetëm sa e ndihmon zhvillimin e mediave në drejtim të avancimit si për shembull – raportimi në kohë reale nga vendngjarja, pamje audio-vizuale të cilësisë së lartë, raportim i shpejtë, grafika për statistika, etj. Prandaj, përdorimi adekuat i teknologjisë mënjanon edhe sfidat të cilat vijnë si pasojë e keqpërdorimeve teknologjike që pastaj si rrjedhojë hutohet opinioni publik.
Burimi: Respublica