Kos: Një ditë i gjithë Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e Evropës sonë
“Vizioni im është që një ditë i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës sonë. Një Evropë që punon së bashku”. Këtë e deklaroi sot komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, pas mbërritjes së saj në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Korridorin 8 në Sofje, nikoqire e së cilës është ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Velislava Petrova-Çamova, transmeton BGNES, transmeton Portalb.mk.
“Ky është vizioni për të cilin po punojmë në Bruksel dhe tani në Sofje, në Ballkanin Perëndimor, dhe sigurisht edhe në vendet anëtare”, shtoi Kos.
Para gazetarëve ajo theksoi se Bullgaria është portë drejt Evropës për rajonin e Detit të Zi dhe Turqinë, si dhe se Ballkani Perëndimor ka rol të rëndësishëm në lidhjen e rajonit me Evropën.
“Sot jemi këtu për të punuar për lidhje më të mira për njerëzit e së ardhmes”, tha komisionerja evropiane.
Sipas saj, në Ballkanin Perëndimor po realizohen më shumë se 130 projekte për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave, si dhe për përmirësimin e pikave kufitare.
Nesër Kos do ta vizitojë Edrenenë, ku do të marrë pjesë në hapjen e segmentit Çerkezqoj-Kapikule të linjës hekurudhore Halkali-Kapikule, e cila lidh Stambollin me kufirin bullgar.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.