Orkestra e të rinjve të Ballkanit Perëndimor e hap Skenën e Muzikës Serioze Shqiptare

Skena e Muzikës Serioze Shqiptare ngelet nga ngjarjet kulturore më me rëndësi që zhvillohen këtu në Maqedoninë e Veriut. Portalb.mk ju njofton për programin që do të ndiqni nesër. “Sa para, aq muzikë” thotë një proverb. E rëndësishme është ruajtur epiteti “serioz” në atë që ofron “Skena”, karshi trajtimit joserioz institucional ndaj këtij aktiviteti.

Sot më 31 korrik do të hapet edicioni i XI me radhë i Skenës së Muzikës Serioze Shqiptare me ç’ rast publiku do të ketë mundësi të ndjek 65 muzikantë të rinj në skenë nga 15 shtete të ndryshme evropiane si Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Kosova, Kroacia, Lituania, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rusia, Serbia, Shqipëria, Spanja dhe Turqia, nën drejtimin e pianistit dhe dirigjentit nga Shkodra, Desar Sulejmani.

Skena e Muzikës Serioze Shqiptare
Skena e Muzikës Serioze Shqiptare

Qendra për Kulturë në Tetovë do të jetë nikoqiri i kësaj ndodhie që do të mbahet nesër (e hënë), në orën 8.00. Nga Skena e Muzikës Serioze Shqiptare na e bëjnë me dije se ky edicion i dedikohet zhanrit të valles, edhe atë duke filluar me “Vallet Hungareze” të Bramsit, veprën “Vallet nga Galanta“ të Kodalit, “Suita folklorike për orkestër” nga Drinor Zymberi, “Tingujt e Ballkanit” nga Llazar Gjorgjeviç, pjesë të zgjedhura nga baletet Gayaneh, Spartaku dhe muzika për dramë Maskerada nga Aram Haçaturian dhe Simfoninë e I-rë të Shostakoviç. Marrë parasysh programin ku gjithçka sillet rreth valles edhe motoja e sivjetme e kësaj ngjarjeje është “Ejani të vallëzojmë”.

Me këtë përzgjedhje për të bërë hapjen e festivalit, “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” edhe këtë vit e vërteton qëllimin të cilin e kishte që në fillim: zhvillimin e jetës koncertale, edhe atë duke sjellë muzikantë dhe ansamble ndërkombëtare, duke u bërë kështu një nga pikat më të rëndësishme për muzikë klasike për shqiptarët e Maqedonisë dhe më gjerë.

​Koncerti i Orkestrës së të rinjve të Ballkanit Perëndimor organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së RMV, Bashkimin Evropian (në kuadër të programës Creative Europe), Komunës së Tetovës, Goethe Institut, Rotary Club-Ahen, WBYO (Western Balkans Youth Orchestra), Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë-Tiranë, Engagement Global. Hyrja për në koncert do të jetë falas.

Për sivjet do të ketë edhe një aktivitet në Gostivar më datë 14 tetor me Shkëlzen Dolin siç njofton për Portalbin organizatori i kësaj ngjarjeje kompozitori Fatos Lumani dhe mbyllet edicioni i sivjetëm.

“SMSSh” është festivali më i madh dhe më i vjetër shqiptar i muzikës artistike shqiptare në Maqedoni i cili ka sjellë emrat më të mëdhenj ndërkombëtarisht, si: Ermonela Jaho, Inva Mula, Ramë Lahaj, Shkëlzen Doli, Petrit Çeku, Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Tedi Papavrami, Genc Tukiçi, Venera Gimadieva, Bogdan Baciu, Guido Corti, Desar Sulejmani, Bujar Llapaj, Gridi Kraja, Isak Shehu, Olsi Leka, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Pjetër Guralumi, Aristidh Prosi, Nita Zenuni, Besarta Murtezani.

Grupacione muzikore, filharmoni e orkestra si: Filharmonia e RMV, Opera e RMV, Orkestra e Radiotelevizionit Shqiptar, Opera e Shqipërisë, Opera Filharmonike e Rinit, West Coast Symphonic Orchestra, Orkestra Tadenus, W.B.O Youth Orchestra, Orkestra Rinore Shqiptare, Orkestra Rinore e Shqiptarëve të R.M.V-së, Kori Siparantum, Trio Harkor Kosova, Ansambli Attaca, Ansambli Sonoris, Kori i Fakultetit të Arteve Tetovë, Ansambli Frymor ’’Korona’’ dhe shumë artistë tjerë nga vendi dhe bota.

Këtë vit “Skena” ka buxhet trefish më të zvogëluar. Viti i kaluar qe dhe jubilari i funksionimit një dekadësh, i cili nuk u realizua siç u planifikua shkaku i buxhetit të vogël i cili gjithnjë e më shumë shkon duke u zvogëluar.

“Gjithsesi, “Skenës” i mbetet, bashkë me 11 promotorë elitarë muzikorë nga Ballkani dhe Evropa, të realizojë aktivitete muzikore nëpërmjet projektit të mbështetur nga Unioni Evropian, gjegjësisht programin “Evropa Kreative”, me çka aktiviteti i saj do zgjerohet përtej kufijve të deritashëm” – thuhet në prononcimin zyrtar.