Rusia mori kontrollin e filialeve të “Danone” dhe “Carlsberg” në vend

Shteti rus ka marrë nën kontroll degën ruse të prodhuesit francez të kosit Danone, si dhe aksionet e kompanisë së birrës Carlsberg në një fabrikë birre lokale, sipas një dekreti të nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, transmeton Portalb.mk.

Siç raporton Guardian, në dekretin e publikuar dje thuhet se shteti rus do të menaxhojë “përkohësisht” aksionet e Danone Rusisë dhe Baltika, e cila është në pronësi të Carlsberg.

Danone tha se po heton situatën dhe po përgatitet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e saj si aksioner në filialin rus.

Baltika, nga ana tjetër, është kompania lider në prodhimin e birrës në Rusi, me rreth 30 për qind të tregut. Carlsberg njoftoi në mars se do të shesë të gjitha aktivitetet e saj në Rusi, ku ka 8,400 punonjës.

“Pas dekretit presidencial, perspektiva për këtë proces të shitjes tani është shumë e pasigurt,” tha Carlsberg në një deklaratë.

Lëvizja e Moskës vjen pasi më herët në prill, degët ruse të Uniper të Gjermanisë dhe Fortum të Finlandës u vunë gjithashtu nën kontrollin e shtetit.

Kremlini më pas paralajmëroi se mund të konfiskonte më shumë asete perëndimore si hakmarrje për ato që tha se ishin lëvizje të huaja kundër kompanive ruse në vende të tjera.