Organizata e Konsumatorëve dhe BDI kërkojnë ndërhyrje të shtetit për rritjen e çmimeve
Organizata e Konsumatorëve kërkon nga institucionet shtetërore të reagojnë nëse do të ketë rritje të çmimeve në markete. BDI-ja gjithashtu kërkon masa për mbrojtjen e qytetarëve nga kriza ekonomike. Sipas ministres së Financave, kushtet tani janë krejtësisht të ndryshme nga ato të vitit 2022, transmeton Portalb.mk.
Nga Organizata e Konsumatorëve thonë se kontrollet në terren do të tregojnë nëse marrëveshja nga takimi mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe tregtarëve do të respektohet edhe në praktikë, përkatësisht nëse do ta mbajnë premtimin se nuk do të ketë rritje të çmimeve në markete. Nga organizata theksojnë se nëse ndodh e kundërta, shteti duhet të ndërhyjë menjëherë.
“Besoj se shërbimet inspektuese tani sërish do të aktivizohen në këtë fushë, pra do të ketë kontrolle në markete për të parë nëse çmimet vërtet mbeten të njëjta. Nëse megjithatë ndodh rritje e çmimeve dhe masat nuk janë marrë para rritjes, atëherë duhet të kthehen prapa, respektivisht të vlejnë çmimet e para një muaji, e jo ato që tashmë janë rritur”, tha për Sitell Tatjana Tasevska nga Organizata e Konsumatorëve.
Për këtë çështje kanë reaguar edhe nga BDI. Ata thonë se prej një jave qytetarët përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë dhe të derivateve të naftës. Sipas tyre, në këtë periudhë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria ka qëndruar në heshtje, pa asnjë masë konkrete për të zbutur presionin mbi buxhetet familjare.
“Nga e hëna pritet një rritje e re e çmimeve të derivateve. Kjo do të ketë efekt të drejtpërdrejtë në çmimet e transportit, të ushqimit dhe të shërbimeve, duke e rritur më tej koston e jetesës për qytetarët dhe për bizneset”, thanë nga BDI.
Ata kërkojnë: Rritje lineare e pagave prej 3500 denarë, duke filluar me pagat e muajit mars; ngrirje e përkohshme e çmimeve për produktet bazë ushqimore; aktivizim i rezervave shtetërore të naftës, të cilat janë blerë me çmim më të ulët se 70 denarë për litër, për të amortizuar goditjen e tregut; vauçer prej 3000 denarësh për punonjësit që punojnë jashtë vendbanimit të tyre, për të kompensuar rritjen e kostos së transportit.
Sa i përket kritikave nga opozita se Qeveria po vonohet me masat, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska tha se kushtet tani janë krejtësisht të ndryshme nga ato të vitit 2022.
“Atëherë situata ishte shumë më ndryshe se sot. Kishim inflacion shumë më të lartë se tani. Në vitin 2022, në muajin kur u vendosën masat, kishte rritje nominale të pagave prej 10 përqind, ndërsa reale vetëm 1,2 përqind, sepse inflacioni ishte 8,8 përqind, ndërsa rritja e çmimeve të ushqimit 11,4 përqind. Sot kemi një situatë ku ka rritje reale të pagave në raport me inflacionin, ndërsa rritja e çmimeve të ushqimit është më e ulët”, theksoi ministrja e Financave.
Në takimin me marketet, siç informoi ajo, është rënë dakord që nëse vërehen ndryshime në çmimet hyrëse, të informohet Inspektorati i Tregut.
- LEXO: Dimitrieska-Koçoska: Situata me burimet energjetike është stabile, do të ndërhyjmë nëse ka nevojë
Ndryshe, më 9 mars, Komisioni Rregullator për Energjetikë i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) miratoi vendim me të cilin u rritën çmimet me pakicë të derivateve të naftës me mesatare prej 14.27% krahasuar me vendimin e datës 2.3.2026..