Avioni ushtarak amerikan u rrëzua në Irak, katër të vdekur
Katër nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit në një avion ushtarak amerikan për furnizim me karburant kanë humbur jetën pasi avioni u rrëzua në Irakun perëndimor, transmeton Portalb.mk.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pas humbjes së avionit KC-135, ndërsa më herët ishte bërë e ditur se rrëzimi nuk ishte shkaktuar ndonjë zjarr.
Avioni cisternë ishte i përfshirë në operacionet e vazhdueshme të SHBA-së kundër Iranit dhe ishte një nga dy avionët e përfshirë në incident. Avioni i dytë u ul në mënyrë të sigurt.
Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) njoftoi se incidenti ndodhi rreth orës 14:00 sipas kohës lindore amerikane (19:00 GMT) të enjten dhe se rrethanat e rrëzimit janë nën hetim.
Po ashtu u bë e ditur se identitetet e personelit të vrarë do të mbahen të fshehta për 24 orë, derisa të njoftohen familjarët e tyre.
Centcom më herët e përshkroi rrëzimin si të ndodhur mbi hapësirë ajrore miqësore, por kjo është një zonë e Irakut ku veprojnë milici pro-iraniane. Ushtria iraniane pretendoi në televizionin shtetëror se një grup aleat kishte shënjestruar avionin me raketë.
Që nga shpërthimi i luftës mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, shtatë ushtarë amerikanë janë konfirmuar të vrarë në konflikt.
Ushtria amerikane deri tani ka humbur të paktën katër avionë gjatë luftës aktuale.