Opozita maqedonase nuk tërhiqet, kërkon zgjedhje të parakohshme

Opozita në Maqedoninë e Veriut kërkon nga kryeministri Dimitar Kovaçevski apo kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, takim të liderëve të partive politike, në të cilin do të bisedohej për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, raporton REL.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se zgjedhjet duhet të mbahen për shkak të dështimit të shumicës parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, që është kusht për procesin e integrimit evropian.

Në vitin 2024 duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta presidenciale dhe parlamentare.

Mandati i presidentit përfundon më 12 maj, ndërsa i deputetëve më 4 gusht dhe në rast se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare mbahen në afatet e rregullta, atëherë bazuar në afatet ligjore, dallimi kohor mes tyre mund të jetë vetëm për disa ditë.

“Kur bëj thirrje për mbajtjen e një takimi të liderëve mendoj për një takim në të cilin ne do të bisedonim për data të caktuara që të mos hyjnë në krizë kushtetuese, të ketë shkelje të afateve, por edhe të Kushtetutës. Prandaj, disa muaj para mbajtjes së tyre duhet të ulemi dhe të bisedojmë për datat e mundshme për zgjedhjet. Mbledhja mund të thirret edhe nga kryetari i Kuvendit dhe të caktojmë datën për zgjedhje të parakohshme”, thotë Mickoski.

Sipas tij, pushteti ka dështuar në miratimin e ndryshimeve të Kushtetutës, andaj “duhet të përballet me popullin në zgjedhje, jo vetëm për këtë dështim, por edhe për gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në vend”.

Ndërkohë, opozita shqiptare kërkon që të jetë pjesë e bisedimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve duke theksuar gatishmërinë për pjesëmarrje në cilëndo qoftë datë që mund të caktohet nga partitë politike.

“Gjithçka që ka të bëjë me procesin zgjedhor që të jetë fer, demokratik dhe i pranueshëm për qytetarët, ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë dhe të marrim pjesë në takime që zgjedhjet të jenë të pranueshme për qytetarët. Ne kërkojmë që kjo qeveri sa më shpejt të reflektojë, të caktohet takimi i liderëve dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme”, thotë Bilall Kasami, përfaqësues i Opozitës së Bashkuar Shqiptare.

Ai kërkon që dy ciklet zgjedhore për president dhe për deputetë, të mbahen në një datë për t’i ikur shpenzimet në kohë të krizë së madhe ekonomike

Por, për kryeministrin Dimitar Kovaçevski, nuk ka nevojë për një takim të liderëve pasi ai thotë se mbetet në ofertën për kreun e opozitës, se zgjedhje të parakohshme mund të ketë vetëm në rast se ajo i mbështet ndryshimet kushtetuese.

“Ne kemi një ofertë për liderin e opozitës. Nëse të hënën apo kurdo qoftë i votojmë ndryshimet kushtetuese, të njëjtën ditë do të shpërndajmë Kuvendin dhe do të caktojmë datën e zgjedhjeve. Ne jemi të gatshëm edhe të formojmë qeveri të zgjeruar duke ua lënë gjysmën e kabinetit kuadrove të VMRO-së dhe deri në zgjedhjet e rregullta të miratojmë të gjitha ligjet dhe kriteret tjera të nevojshme për integrimin evropian”, deklaron Kovaçevski.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë është kundër zgjedhjet të parakohshme. Kjo parti thotë se në rast se opozita mbështet ndryshimet kushtetuese, ajo do të heqë dorë nga kërkesat e saj për kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të Qeverisë, ashtu siç parashihet me një marrëveshje të saj me LSDM-në.

Përpjekje për zgjedhje të reja në Maqedoninë e Veriut kishte edhe në janar të vitit 2022, por opozitës i mungoi vetëm një votë për mosvotimin e Qeverisë së kryeministrit aktual Dimitar Kovaçevski.