“One Battle After Another” rrëmbeu çmimin për filmin më të mirë në BAFTA, Aramayo dhe Buckley aktorë më të mirë

Filmi “One Battle After Another”, një komedi e zezë e regjisorit amerikan Paul Thomas Anderson, që trajton historinë e persekutimit të ish-revolucionarëve nga supremacistët e bardhë në Shtetet e Bashkuara, u shpërblye me çmimin BAFTA për filmin më të mirë, transmeton Portalb.mk.

Filmi i regjisorit Paul Thomas Anderson, që trajton historinë e një grupi revolucionarësh në përplasje kaotike me shtetin, fitoi çmime për regji, skenar të adaptuar, kinematografi dhe montazhë, si dhe për rolin dytësor, që e mori aktori Sean Penn si një oficer ushtarak i fiksuar.

“Është shumë tronditëse dhe e mrekullueshme njëkohësisht”, tha Anderson gjatë pranimit të çmimit. Ai shprehu nderime për bashkëpunëtorin e tij të kahershëm, ndihmësregjisorit Adam Somner, i cili vdiq nga kanceri në muajin nëntor të vitit 2024, pak javë pasi kishin nisur xhirimet.

Regjisori citoi edhe një varg nga Nina Simone, që është i përdorur edhe në film: “Unë e di çfarë është liria: është mungesa e frikës”. “Le të vazhdojmë të krijojmë pa frikë. Është ide e mirë”, tha ai.

Anderson, i nominuar edhe dy herë më parë, fitoi edhe çmimin për regjisorin më të mirë, duke shënuar triumfin e tij të parë në këtë kategori, përballë emrave si Yorgos Lanthimos (“Bugonia”), Chloe Zhao (“Hamnet”) dhe Ryan Coogler (“Sinners”).

Çmimi për aktorin më të mirë shkoi për aktorin britanik Robert Aramayo për performancën e tij në filmin “I Swear”, një dramë biografike nga Kirk Jones bazuar në historinë e vërtetë të një skocezi që vuan nga sindroma Tourette.

Jessie Buckley, favoritja e madhe në kategorinë e saj, fitoi çmimin për aktoren më të mirë për filmin Hamnet, siç pritej.

Çmimi për aktoren në rolin mbështetës (supporting role) iu dha Wunmi Mosaku-t në filmin Sinners.

Filmi më i mirë britanik ishte Hamnet dhe filmi më i mirë në gjuhë të huaj (jo në anglisht) ishte filmi norvegjez Sentimental Value.

Zootopia 2 e fitoi çmimin për filmin më të mirë të animuar.

Frankenstein fitoi çmimin për dizajnin e kostumeve dhe Avatar: The Last Airbender fitoi çmimin për efektet speciale.

Mr. Nobody Against Putin e fitoi çmimin BAFTA për dokumentar.