OKB: Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar me ganatime tankesh që vrau një gazetar

Hetimi i Forcave të Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) nuk gjeti të ketë pasur asnjë shkëmbim zjarri përmes kufirit Izrael-Liban më shumë se 40 minuta para se tanku të hapte zjarr ndaj Issam Abdallah, një video-gazetar 37-vjeçar i Reuters, njofton Guardian. 

“Të shtënat mbi civilët, në këtë rast gazetarë të identifikueshëm qartë, është shkelje e Rezolutës 1701 (2006) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar”, thuhet në raportin e UNIFIL, duke cituar rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit.

“Vlerësohet se në momentin e ngjarjes nuk ka pasur shkëmbim zjarri përgjatë vijës blu. Nuk dihet arsyeja e sulmit ndaj gazetarëve”, thuhet në raport.

Sipas rezolutës 1701, të miratuar në vitin 2006 për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe luftëtarëve libanezë të Hezbollahut, paqeruajtësit e OKB-së u vendosën për të monitoruar një armëpushim përgjatë vijës së demarkacionit 120 km, ose Linjës Blu, midis Izraelit dhe Libanit.

Si pjesë e misionit të tyre, trupat e OKB-së vërejnë shkeljet e armëpushimit dhe hetojnë rastet më të këqija.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) Nir Dinar thotë se Hezbollahu sulmoi IDF pranë komunitetit izraelit të Hanitës më 13 tetor. Ata kthyen zjarrin e artilerisë dhe tankeve për të eliminuar kërcënimin.

“IDF shpreh keqardhje për çdo dëmtim të palëve të papërfshira dhe nuk synon qëllimisht civilët, duke përfshirë gazetarët,” shtoi ai.

Kryeredaktorja e Reuters Alessandra Galloni i ka kërkuar Izraelit të shpjegojë se si mund të kishte ndodhur sulmi që vrau gazetarin e tyre.

Raporti i UNIFIL iu dërgua Kombeve të Bashkuara në Nju Jork më 28 shkurt. Një zëdhënës i OKB-së konfirmoi se raporti ishte ndarë me të dyja palët.

“Ne përsërisim se të gjithë të përfshirët duhet të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe se civilët, përfshirë gazetarët, nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër. Gazetarët dhe profesionistët e medias duhet të mbrohen,” tha zëdhënësi i OKB-së.

Gjetjet e UNIFIL i japin mbështetje të mëtejshme një hetimi të Reuters, i cili zbuloi se shtatë gazetarë nga Agence France Presse, Al Jazeera dhe Reuters u goditën nga plumbat 120 mm të shkrepura nga një tank 1.34 km larg në Izrael.

Gazetarët filmuan granatime me rreze të gjatë ndërkufitare në një zonë të hapur në një kodër pranë fshatit libanez Alma al-Chaab gati një orë para sulmit.