OJQ-të: Kuvendi urgjentisht të emërojë drejtor dhe zëvendësdrejtor të Agjencisë për qasje të lirë në informata
Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit u ka bërë apel deputetëve në Kuvend që urgjentisht të emërojnë drejtor dhe zëvendësdrejtor të Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informatat me karakter publik, transmeton Portalb.mk.
Kjo Agjenci, e cila është thelbësore për mbrojtjen e së drejtës kushtetuese të garantuar të qytetarëve për qasje në informatat që i posedojnë institucionet publike, dhe rrjedhimisht për transparencën e pushteteve në të gjitha nivelet, tashmë një muaj është jofunksionale për shkak të skadimit të mandatit të drejtoreshës së mëparshme dhe zëvendësit të saj, si dhe mos-emërimit të udhëheqjes së re nga ana e Kuvendit.
Organizatat qytetare theksojnë se për shkak të mungesës së udhëheqësisë, përkatësisht drejtorit dhe zëvendësdrejtorit, Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informatat me karakter publik nuk mund të vendosë mbi ankesat e kërkuesve të informatave, as të ushtrojë plotësisht dhe rregullisht kompetencat e saj ligjore.
Me këtë pamundësohet realizimi i plotë i së drejtës së qytetarëve dhe të gjitha palëve të interesuara për qasje në informatat me karakter publik, përkatësisht në mënyrën se si institucionet publike punojnë dhe si i shpenzojnë paratë e qytetarëve.
“E drejta e qytetarëve për qasje në informatat me karakter publik është një nga të drejtat themelore të njeriut, e garantuar me konventat ndërkombëtare dhe evropiane, si dhe me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Qasja në informatat që krijohen dhe posedohen nga institucionet publike, e që janë pronë e qytetarëve, u mundëson qytetarëve të informohen për të drejtat dhe obligimet e tyre në shoqëri, të kenë qasje në shërbimet që ofrojnë institucionet publike, të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes dhe të kërkojnë llogaridhënie nga pushtetet. Po ashtu, qasja në informatat me karakter publik është një nga mjetet më të rëndësishme për organizatat qytetare, mediat dhe gazetarët hulumtues në luftën kundër korrupsionit, përmes zbulimit të parregullsive dhe keqpërdorimeve në punën e institucioneve publike dhe në shfrytëzimin e mjeteve publike”, theksojnë nga Platforma.
Për këtë problem raportoi edhe Portalb.mk para pak ditëve.
Nga Kuvendi i RMV-së për Portalb.mk deklaruan se Komisioni për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve po punon për përcaktimin e propozimit për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informata me karakter publik, që pritet të realizohet në të ardhmen e afërt.
“Pas përcaktimit të propozimit nga Komisioni, e njëjta pikë do të vendoset në rendin e ditës të seancës së Kuvendit, në përputhje me procedurat e përcaktuara”, thanë nga Kuvendi.
Ndryshe, nga viti 2019 në krye të këtij institucioni ishte Pllamenka Bojçeva.
- LEXO: Agjencia e mbrojtjes të së drejtës për qasje në informata publike ka mbetur pa drejtor dhe zëvendës, zvarriten lëndët
- LEXO: Projektligj i ri për të dhënat e hapura në RMV: transparencë apo kufizime të reja?
- LEXO: Dita Ndërkombëtare e Informimit, heshtja administrative e mbyt të drejtën për informata në Maqedoninë e Veriut