Agjencia e mbrojtjes të së drejtës për qasje në informata publike ka mbetur pa drejtor dhe zëvendës, zvarriten lëndët 

Agjencia e mbrojtjes të së drejtës për qasje të lirë në informata me karakter publik ka mbetur pa drejtor dhe zëvendësdrejtor, si rezultat lëndët zvarriten ndërsa nuk dihet se kur Kuvendi do përzgjedh e drejtorin dhe zëvendësin e ri, shkruan Portalb.mk.

Pasi Portalb.mk u interesua se në çfarë faze janë ankesat të cilat i dorëzuam kundër institucioneve të cilat nuk u përgjigjën në kërkesat për informata publike, nga Agjencia e mbrojtjes të së drejtës për qasje të lirë në informata me karakter publik na informuan se për shkak se institucioni ka mbetur pa drejtor, lëndët nuk përpunohen, ndërsa nuk e dinë se kur Kuvendi do të bëjë emërimin e drejtorit të ri.

Nga Kuvendi i RMV-së për Portalb.mk thanë se Komisioni për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve po punon për përcaktimin e propozimit për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informata me karakter publik, që pritet të realizohet në të ardhmen e afërt.

“Pas përcaktimit të propozimit nga Komisioni, e njëjta pikë do të vendoset në rendin e ditës të seancës së Kuvendit, në përputhje me procedurat e përcaktuara”, thanë nga Kuvendi.

Ndryshe, nga viti 2019 në krye të këtij institucioni ishte Pllamenka Bojçeva.