Numri i lejeve të dhëna për ndërtim në RMV gjatë prillit është rritur për 38.9 % krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak
Gjatë muajit prill të vitit 2025 janë dhënë 357 leje ndërtimi, që është për 38.9% më shumë krahasuar më muajin e njëjtë të vitit paraprak, njofton Enti i Statistikave, transmeton Portalb.mk.
Sipas lejeve të dhëna për ndërtim, vlera e paraparë e objekteve është 6 316 119 mijë denarë, që është për 10.7% më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Nga numri i përgjithshëm i lejeve të dhëna për ndërtim 177 ( 49.6%) janë të dedikuara për objektet e Ndërtimit të lartë, 61( 17.1%) për objektet e Ndërtimit të ulët dhe 119 ( 33.3%)për objektet për Rikonstruim.
“Nga gjithsej 357 të objekteve, tek 154 ( 43.1%) si investitorë na paraqiten persona fizik, ndërsa tek 203 ( 56.9%) të objekteve si investitorë janë subjektet afariste”, thonë nga EShS.
Në periudhën raportuese është paraparë ndërtimi i 729 banesave, me sipërfaqe të përgjithshme prej 60 833 m2.
Kujtojmë se gjatë muajit mars në Maqedoninë e Veriut ishin dhënë 334 leje ndërtimi, numër i cili ishte për 4 përqind më shumë sesa marsi i vitit të kaluar. Te 44.6 përqind, investitorët ishin personat fizik.