Nuk jemi pajtuar që t’i ndryshojmë hapësirat siç thotë ministrja e Kulturës, dematojnë nga Biblioteka e Tetovës

Biblioteka e Tetovës përmes një reagimi për Portalb.mk demanton deklaratën e Ministres së Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska se ndryshimi i hapësirave të bibliotekës është bërë me pëlqimin e tyre. Përkundrazi, nga biblioteka theksojnë se të punësuarit dhe këshilli drejtues janë të mendimit se hapësirat ku duhet të zhvendosen kanë kushte më të këqija se ato ku gjendet biblioteka aktualisht, transmeton Portalb.mk.

Drejtoresha e Bibliotekës së Tetovës, Rezarta Ismaili për Portalb.mk tha se Institucioni Nacional Biblioteka “Koço Racin”- Tetovë demanton deklaratën e ministres se ata kinse janë pajtuar me transferin e bibliotekës në hapësirat e reja. Siç thotë ajo, Ministria e Kulturës asnjëherë nuk u ka dërguar letër zyrtarisht për të kërkuar mendimin e tyre për zhvendosjen e bibliotekës.

“Përkundrazi, punëtorët si dhe këshilli drejtues janë të mendimit të njëjtë, se hapësirat ku duhet të zhvendosemi kanë kushte më të këqija se ato ku gjendet biblioteka aktualisht dhe nuk plotësojnë aspak standardet për funksionim të bibliotekës. Gjithashtu hapësirat efektive ku planifikohet zhvendosja janë më të vogla se hapësira aktuale. Komunikimi zyrtar për largim nga hapësirat aktuale ne afat prej 15 ditëve na ka ardhur nga Qendra për Kulturë “Iljo Ateski Smok” me datë 07.09.2023 , me ç’rast me datë 12.09.2023 kemi reaguar me shkrim deri te Ministria e Kulturës, Qeveria e RMV dhe Qendra për Kulturë me njoftim që kushtet ku duhet të transferohet biblioteka nuk janë adekuate si dhe kemi kërkuar të formohet komision dhe të bëhet inspektim dhe rivlerësim i hapësirave me qëllim të shmangies së situatës që mos të kemi ku ti vendosim librat dhe të njëjtat në vend që të shfrytëzohen nga lexuesit të përfundojnë në pako”, thuhet në reagimin e drejtoreshës së Bibliotekës së Tetovës, Rezarta Ismaili.

Kujtojmë se dje ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevksa në konferencë për shtyp tha se hapësirat në të cilat transferohet Biblioteka janë të njëjta me ata që i ka aktualisht dhe se kjo, sipas saj, është bërë edhe me pajtimin e të punësuarve dhe drejtoreshës.

“Para së gjithash dua të njoftoj se Biblioteka “Koço Racin” në Tetovë, vetëm i ndryshon hapësirat në kuadër të të njëjtit institucion, përkatësisht mbetet në Qendrën e Kulturës, që do të thotë se funksionimi i Bibliotekës nuk është sjellë në asnjë rrezik. Te unë nuk ka arritur asnjë reagim, as nga të punësuarit, as nga drejtoresha, përkundrazi kjo është bërë me pajtimin e tyre dhe dua të bëj të ditur se kur të transferohen në institucionin e njëjtë, aty do të bëhen renovimet e nevojshme, që të përshtatet ajo hapësirë. Kjo do të bëhet me shpejtësi shumë të madhe, që të mos ketë ndërprerje të funksionimit të Biblikotekës. Por dua të theksoj se ky asnjëherë nuk ka qenë destinaconi i fundit i Bibliotekës. Ajo do të vendoset në objektin e ri që po ndërtohet, e cila duhet të përfundojë më 2027. Që do të thotë deri në finalizim e atij projekti, Biblioteka do të funksionojë si edhe deri tani”, tha Kostadinovska Stojçevska.

Biblioteka e Tetovës e ka pranuar vendimin nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës të transferohen në hapësirat të cilat deri tani i ka shfrytëzuar Fakulteti i Arteve Muzikore. Ndërkaq edhe vendim nga ana e Pallatit të Kulturës që do duhet t’i lëshojnë hapësirat aktuale. Objektin aktual ku gjendet biblioteka, Qeveria ka vendosur t’ia jep për shfrytëzim Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shtëpinë Evropiane në Tetovë. 

Ky vendim është i papranueshëm për Bibliotekën e Tetovës dhe kërkojnë që Qeveria dhe Ministria e Kulturës të shqyrtojnë këtë vendim edhe njëherë.

Por pavarësisht insistimit dhe ankesave nga ana e Bibliotekës, nga Ministria e Kulturës nuk ka shenja se do të ketë ndryshim të vendimit.

Ky problem nuk do të ekzistonte fare nëse institucionet, me theks të veçantë Ministria e Kulturës do të kishte përshpejtuar aktivitetet e saja për përfundimin e objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, por të njëjtat janë zvarritur me vite. Ndërkaq Biblioteka dhe Teatri vazhdimisht janë ankuar për kushtet e këqija në të cilat punojnë.

Ndryshe, objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës premtohet 12 vitendërtohet 9 vite dhe sipas parashikimeve që ende nuk dihet nëse do të realizohen duke pasur parasysh faktin që shpesh ka zvarritje të punëve, do të jetë gati për 5 vite të tjera. Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 17 vite pas premtimit të dhënë.