Norvegjia është vendi i tretë që do të marrë mbrojtje bërthamore nga Franca

Norvegjia do të nisë bisedime me Francën për t’u bashkuar me ombrellën e saj bërthamore, deklaruan presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store, duke reflektuar shqetësimet në rritje të Evropës për varësinë nga SHBA për sigurinë, transmeton Reuters.

Macron dhe Store e bënë të ditur planin gjatë një takimi në Paris, ku nënshkruan marrëveshje më të gjerë mbrojtjeje, e cila përfshin afrimin e Norvegjisë me iniciativën bërthamore të udhëhequr nga Franca. Store tha se parandalimi kryesor i Norvegjisë do të mbetet NATO dhe SHBA, por theksoi se kapacitetet bërthamore të Francës janë një kontribut i rëndësishëm për sigurinë e përgjithshme të aleancës.

Sipas planit, Norvegjia do të marrë pjesë në atë që Franca e quan “parandalim bërthamor i avancuar”, sipas të cilit partnerët evropianë përfshihen më afër në mendimin strategjik francez për mbrojtjen bërthamore.

Në mars, Franca kishte ofruar të zgjeronte mbrojtjen e saj bërthamore edhe për vende të tjera evropiane, që në praktikë nënkupton se një sulm ndaj një vendi mund të shkaktonte përgjigje bërthamore franceze. Më herët, një marrëveshje të tillë e kanë pranuar Polonia dhe Lituania, të cilat kufizohen me Rusinë. Franca ka 290 koka bërthamore.

Store theksoi se në Norvegji nuk do të vendoset armë bërthamore në kohë paqeje.