Nobelistja Narges Mohammadi, aktivistja që 13 herë u arrestua në luftën kundër “eklipsimit” të grave

Çmimi Nobel për Paqe 2023 iu dha gazetares iraniane dhe mbrojtëses të të drejtave të njeriut Narges Mohammadi. Kjo grua 51-vjeçare ia ka kushtuar një pjesë të madhe të jetës së saj përballjes me sistemin e Republikës Islamike i cili sipas saj ngrihet mbi baza hipokrizie. Kjo është bota interesante e grave, disa përleshen me sistemin për ta larguar ferexhenë, e disa të tjera pse ua ndalojnë atë. Kjo përleshje me sistemin ka bërë që ajo të arrestohet 13 herë me radhë, gjithsej i janë shqiptuar pesë dënime dhe ky i fundit do t’i kushtojë 31 vite jetë në burg. Sjellim për lexuesit e Portalb.mk një portret për ta njohur më shumë këtë njeri që përbën paradoksin më të madh të kohës, pasi merr Çmimin Nobel për Paqe, ndërsa ndodhet në burg.

«Kishte pasur eklipse të diellit dhe të hënës, por tani pritej terri i tretë: eklipsi i grave» thotë Kadare te “Sjellësi i fatkeqësisë”. Pikërisht kundër këtij eklipsi në botë ngrihen në protesta, me dhjetëra e qindra gra. Në emër të konfesionit (besimit), merren me konfeksion(rrobaqepësi).

Mohammadi ka lindur më 21 prill 1972 në Zanjan, një qytet në Iranin Verior. Ajo studioi për fizikë dhe u diplomua si inxhiniere ndërsa u trajnua për gazetari. Që në moshë shumë të re ajo ishte kundër sistemit në Iran i cili në emër të fesë i shtyp gratë deri në shkallën sa të kërkojnë leje edhe për të marrë pasaportën.
Në vitin 2000 ajo u bashkua me Qendrën për të Drejtat e Njeriut që u themeluar nga një fituese tjetër iraniane e çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi. Në këtë organizatë ajo është nënkryetare.
Mohammadi është një kundërshtare e paepur se gratë në këtë vend nuk duhet të detyrohen të mbajnë mbulesë dhe është kundër dënimit me vdekje. Për shkak të pozitës së saj, ajo u arrestua midis 2015 dhe 2020; dhe në vitin 2021 ajo u dënua me 80 goditje me kamxhik dhe 30 muaj paraburgim për “propagandë kundër sistemit”.  Më 16 shtator, ajo dhe tre të burgosur të tjerë dogjën mbulesat e tyre, të njohura si xhihab, në një oborr burgu prej ku zuri fill protesta dhe për të përkujtuar një vjetorin nga vrasja e vajzës së re Mahsa Aminit nga duart e Policisë Morale të Iranit. Kjo ishte shkas për një sërë demonstratash të grave në këtë vend në vitin 2022, kur krejt bota ktheu shikimin nga ai fat tragjik i grave.
Gjatë ndarjes së ceremonisë së çmimit , u tha :“Gjithsej, regjimi e ka arrestuar 13 herë, e ka dënuar 5 herë dhe e ka dënuar me gjithsej 31 vjet burg. Narges Mohammadi është ende në burg ndërsa unë flas”, tha Berit Reiss-Andersen, shefja e Komitetit Norvegjez të Nobelit në Oslo.

Këtë vit, Narges Mohammedi u përfshi gjithashtu në 100 Gratë e BBC-së në mesin e 100 grave frymëzuese dhe me ndikim nga e gjithë bota.

Komiteti i Nobelit dhe OKB në ditën e ndarjes së këtij çmimi bëri thirrje që Irani të lironte Narges Mohammadin.

Në rrëfimet e saja shtëpia moti nuk është ai vend ku sheh ritën e fëmijëve të cilët i la shumë të vegjël duke ua lënë një porosi ‘’shkollohuni, mësoni’’ dhe mori udhën e mundimshme të kauzës që gjithnjë përfundon në burg.

“Jam shumë, shumë krenare për nënën time dhe shumë i lumtur”, tha djali i saj 17-vjeçar, Ali Rahmani, në një konferencë shtypi në Paris, ku morën pjesë edhe babai dhe motra binjake.

Ai nuk e kishte parë nënën e tij për tetë vjet. “Ky çmim është një çmim për kauzën e saj,” tha ai.

Bashkëshorti i Mohammadit, Taghi Rahmani, tha se çmimi ishte gjithashtu “një çmim për të gjithë burrat dhe gratë që luftojnë për gruan, jetën, lirinë”.

“Zërat e tyre nuk do të heshtin kurrë,” shtoi ai.

Çmimi Nobel “do t’u japë atyre edhe më shumë forcë për t’u shprehur”.

Mohammadi së fundi ka dërguar një letër në CNN në të cilën ajo sqaron kundërshtimin e katër dekadave të mbajtjes së detyrueshme të hixhabit në Republikën Islamike dhe denoncon hipokrizinë e një shteti fetar që përdor dhunë seksuale kundër të burgosurve.

Kur erdhi në pushtet katër dekada më parë, shkruan ajo, regjimi fetar përdori hixhabin e detyrueshëm për të “treguar imazhin e dominimit, nënshtrimit dhe kontrollit mbi gratë” si një mjet për të kontrolluar shoqërinë.

“por nuk mundën t’i vendosnin abaja dhe çallmë gjysmës tjetër të popullsisë, pra burrave të shoqërisë”, thuhet në letrën e saj.

Ndodhet në burg që nga viti 2016 në Iran, ku do të vuajë një dënimin 31-vjeçar dhe 154 goditje me kamxhik, sipas regjimit të mullahëve.

Ajo fitoi  çmimin Nobel për Paqe me motivacion ” për të promovuar të drejtat e njeriut dhe liritë njerëzore”.