fbpx

Tragjedi në Bullgari, 45 udhëtarë të vdekur në aksidentin e autobusit me targa të Maqedonisë

Tre ditë pas aksidentit të autobusit të RMV-së në autostradën “Struma” në Bullgarinë Perëndimore, autoritetet bullgare konfirmuan se në fatkeqësi kanë ndërruar jetë 44 persona dhe jo 46 siç raportuan paraprakisht, ndërkaq 8 persona kanë shpëtuar – prej tyre 7 janë lënduar dhe 1  nuk dihet se ku është. Por, një ditë më pas, gjatë kontrollit shtesë të autobusit u gjet edhe një trup i pajetë, duke u konfirmuar se numri i viktimave është 45. Autobusi ishte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, pasi që ishte nisur nga Stambolli ku udhëtarët kishin qenë për ekskursion. Maqedonia e Veriut shpalli 3 ditë zie, ndërkaq nga të gjitha anët arrijnë telegrame ngushëllimi për familjet e viktimave.

22:00 – Autobusi i aksidentuar është larguar nga rruga, prokuroria e Bullgarisë: të lënduarit në gjendje të rëndë psiqike

21:29 – Rusinova: Bankina e ka penguar daljen e udhëtarëve nga autobusi në Bullgari

19:50 – Autobusi i “Besa Trans Shkup” i cili u dogj në Bullgari nuk ka pasur licencë për transport ndërkombëtar

19:07 – Për shkak tragjedisë me qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Presidentja Osmani e shpalli të mërkurën ditë zie shtetërore

17:17- BFI-ja mbajti mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me tragjedinë, këto janë vendimet

16:35 – Kompania “Besa Trans-Shkup” publikoi komunikatë në lidhje me aksidentin në Bullgari

16:19 – Të gjitha fatkeqësitë në RMV nga viti 1951, aksidenti i autobusit në Bullgari i treti sipas numrit të viktimave (Infografik)

16:19 – Kryqi i Kuq vë në dispozicion llogaritë e fondit të solidaritet për familjet e prekura nga aksidenti në Bullgari

15:27 – Zyrtare: Ministria e Jashtme e RMV-së publikoi listën e personave që i mbijetuan aksidentit tragjik në Bullgari

14:20 – Kompania “Besa Trans-Shkup”: S’kemi koment, është tragjedi për të gjithë shqiptarët

13:51 – Dëshmia nga autobusi tjetër i Besa Trans-Shkup: Kur u kthyem morëm vesh se në aksident ishin 45 të vdekur

13:41 –Lista e pasagjerëve nga autobusi i djegur është dërguar në Shkup, identifikimi i viktimave është në proces

13:41 – Katastrofa në “Struma” – tragjedia më e madhe në Evropë në dekadën e fundit

13:13 – Familjarët kërkojnë informata, zyrën e mbyllur të kompanisë “Besa Trans-Shkup” e ruajnë zyrtarë policorë

13:05 – Qeveria e Maqedonisë shpalli tre ditë zie për aksidentin e autobusit në Bullgari – flamujt në gjysmë shtizë

12:59 – Atanasova: Janë të gabuara supozimet që traseja rrugore e autostradës “Struma” ka shkaktuar aksidentin

12:43 – Ambasada, funksionarë e krerë shtetërorë reaguan për aksidentin tragjik të autobusit të RMV-së në Bullgari

12:35 – MPJ e Maqedonisë ka hapur linjë telefonike ku qytetarët e shqetësuar apo familjarët mund të drejtohen për këshilla

12:28 – Këshilli për etikë i RMV-së vërejtje mediave: Mos publikoni emra dhe fotografi të të vdekurve

12:18 – Zaev – Radev: Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria së bashku ndjejnë dhimbje për viktimat e aksidentit të autobusit

12:12 – Nuk është i vërtetë lajmi se kompania “Besa Trans-Shkup” ishte e regjistruar në emrin e Azdren Ziberit, ajo është tjetër kompani

11:57 – Tre autobusët tjerë nga Stambolli janë kthyer në vend

11:56 – Edhe prokurori publik Joveski është nisur për në Bullgari

11:21 – Janev: Shpresoj se në 1-2 ditët e ardhshme të mbijetuarit të kthehen te familjet e tyre

10:49 – Zaev: Viktimat janë të moshës 25-30 vjeç, ka edhe 12 fëmijë – të mbijetuarit kanë thyer xhamat e autobusit

10:46 – Spasovski: Ekipet e MPB-së nga RMV janë në rrugë për në Bullgari

10:29 – Një dëshmitar foli për tragjedinë: Pamja është e tmerrshme, llamarina është shkrirë

10:21 – Zyrën e mbyllur të kompanisë “Besa Trans – Shkup” e ruajnë zyrtarë policorë, familjarët kërkojnë informata

08:00 – Incidenti ndodhi rreth orës 02:00 pas mesnate pranë fshatit Bosnek, në jug-perëndim të kryeqytetit të Sofjes. Sipas BGNES, autobusi është i kompanisë Besa Trans – Shkupe regjistruar në fshatin Rashçe, komuna e Sarajit. Portalbi ka kontaktuar këtë kompani, por ende nuk ka përgjigje.

“Fëmijët janë në mesin e viktimave”, tha zyrtari i ministrisë Nikolai Nikolov për televizionin BTV.

Mes të vdekurve ka 12 të mitur, mes tyre dy binjakë. Në aksident ka humbur jetën edhe shoferi.

Shkaku i përplasjes së busit dhe zjarrit në të po hetohet. Mediat lokale thonë se mund të ketë goditur ndonjë parmak apo shtyllë mbrojtëse në rrugë.

Raportohet se shtatë persona u dërguan në spital me djegie, 2 gra dhe 5 burra, kanë shpëtuar dhe janë vendosur në spitalin “Pirogov”.

Dy janë me djegie në duar, të tjerët me plagë. Kështu tha prof. Maya Argirova, shefe e klinikës së djegieve në Pirogov, për viktimat e aksidentit me autobusin nga Maqedonia. Viktima e shtatë kishte frakturë në kofshë dhe ishte vendosur në Traumatologji.

Autobusi i aksidentuar në Bullgari, autor i panjohur, foto nga Facebook

Njerëzit janë në traumë të rëndë, kanë humbur të afërmit, fëmijët. Ata u hodhën nga xhamat e autobusit, prej nga kanë marrë lëndimet, shtoi Argirova. Ata janë sjellë në spital pas orës 3.

Autobusi ka shkatërruar rreth 50 metra të gardhit mbrojtës, u tha gazetarëve kryetari i Pernikut, Stanislav Vladimirov.

Foto nga BGNES

Kreu i Maqedonisë në Bullgari

Kryeministrit Zoran Zaev, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe i shëndetësisë, Venko Filipçe janë në Bullgari.

Sipas ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, udhëtarët po ktheheshin në Shkup nga një udhëtimi i fundjavës në qytetin turk të Stambollit.

Ai tha se agjencia turistike që i ka bartur udhëtarët është nga Shkupi. Sipas tij “janë turistë që e kanë shfrytëzuar fundjavën e zgjatur shkaku i festës së Ditës së alfabetit”.

Pas mbërritjes në vendngjarje, ministri i Brendshëm bullgar Bojko Rashkov tha se trupat e viktimave ishin “të djegura plotësisht”, raporton BTV.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tashmë ka kontaktuar homologun e tij bullgar për të diskutuar incidentin. Ai ka vizituar të mbijetuarit.

“Jam para spitalit në Sofje, u nisëm menjëherë me ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Jashtëm Osmani. Ne duam të shohim së pari të mbijetuarit, tashmë kam kontaktuar me njërin prej tyre. Ai na shpjegoi se ka parë një tragjedi të tmerrshme në të cilën ata dëgjuan vetëm një shpërthim të madh në gjumë, disa arritën të thyejnë dritaret dhe të ikin, fatkeqësisht të tjerët nuk ia dolën”, tha Zaev në një deklaratë për Utrinski Brifing.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button