Një udhëtim muzikor mes dashurisë, mërgimit dhe xhazit, Elina Duni rikthehet në Tetovë: Ky festival e bën bashkë qytetin me skenat ndërkombëtare

Elina Duni, një nga zërat më të veçantë të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare, rikthehet në Tetovë për të qenë pjesë e Festivalit të Xhazit. Me një karrierë të ndërtuar mbi ndërthurjen e folklorit shqiptar me xhazin, ajo sjell një përvojë muzikore që kapërcen kufijtë, duke ndërtuar ura mes kulturave dhe brezave. Në një bisedë për Portalb.mk para performancës së saj në Tetovë, Duni ndau emocionet e rikthimit, sfidat e ruajtjes së autenticitetit të muzikës tradicionale dhe domethënien që ka për të promovimi i muzikës shqiptare në skenat botërore.

Portalb.mk: Si ndiheni që po riktheheni në Tetovë dhe të jeni pjesë e Festivalit të Xhazit, çfarë pritet të sillni ndryshe këtë herë?

Elina Duni: Unë ndihem shumë e lumtur që po rikthehem në Tetovë për të qenë pjesë e Festivalit të Xhazit. Është diçka e veçantë, sepse ndonëse kam performuar disa herë këtu, kjo është vetëm hera e dytë që dal në skenë në duo me Rob Luft. Në fakt, koncerti ynë i parë si duo ka qenë pikërisht në Tetovë, para tetë vitesh. Kështu që ky rikthim, pas kaq kohësh, ka për mua një domethënie të veçantë, sikur mbyllet një rreth i bukur artistik.

 Portalb.mk: Çfarë rëndësie kanë për ju festivalet si ky në zhvillimin e kulturës muzikore në rajon?

Elina Duni: Për mua festivalet si ky janë shumë të rëndësishme në zhvillimin e kulturës muzikore në rajon. Së pari, sepse janë festivale muzike, arti, një muzikë që nuk është komerciale, një muzikë e cila kërkon një kërkim, një mundim, por edhe një muzikë e cila është një aventurë për publikun dhe për muzikantët. Pra, është e vërtetë  që festivalet e xhazit mbledhin njerëzit që e duan kulturën, që e duan atë çfarë ushqenë shpirtin. Është shumë e rëndësishme që të ketë festivale të tilla në rajon, që ndiqen nga njerëzit të cilët duan diçka tjetër.

.

Afishja e festivalit JazzFest. Foto: Elina Duni
Afishja e festivalit JazzFest. Foto: Elina Duni

 Portalb.mk: Muzika juaj ndërthur folklorin shqiptar me jazz-in. Si mendoni se e përjeton publiku shqiptar këtë qasje?

Elina Duni: Unë mendoj se publiku shqiptar prej vitesh e ka përjetuar këtë qasje në mënyrën më të bukur, duke treguar gjithmonë interes dhe entuziazëm sa herë që rikthehem për të kënduar. Për mua është thelbësore që kjo muzikë t’i drejtohet të gjithëve, dhe këtë kam synuar gjithmonë. Kam interpretuar folklorin shqiptar në Azi, në vende si në Japoni ose Kinë, ashtu si dhe në kontinentin Amerikan dhe në Evropë, duke e parë muzikën si një urë që lidh njerëzit dhe kulturat. Megjithatë, kur këndoj para publikut shqiptar, përjetimi ka një dimension emocional shumë më të fortë, sepse këngët janë të njohura dhe shpesh këndohen bashkë me mua. Në këtë mënyrë, edhe qasja e tyre ndaj xhazit vjen natyrshëm përmes këngës folklorike, gjë që për mua ka një rëndësi të veçantë.

Portalb.mk: Si i përzgjidhni këngët tradicionale shqiptare që i risillni dhe çfarë mesazhi synoni të përcillni përmes tyre?

Elina Duni: Këngët tradicionale që vendos të  përzgjedh, duhet të jenë këngë që më pëlqejnë, duhet të jenë këngë që kanë tekst domethënës, që kanë një harmoni dhe melodi që më flasin, por gjithashtu duhet të jenë këngë të transformueshme. Ka disa këngë shumë të bukura, që janë të shumë bukura ashtu siç janë. Ajo që e bënë ndryshe një këngë të cilën unë mund ta arrij ta formuloj, është që duhet të ketë një lloj elasticiteti, ajo duhet të jetë një këngë e cila mund të mendohet edhe ndryshe. Pra jo të gjitha këngët mund të transformohen në xhaz, pse njëra po dhe pse tjetra jo, ndonjëherë është diçka misterioze për mua. Pse një këngë mund të funksionojë dhe pse tjetra jo, por e rëndësishmja është sigurisht që të përmbajnë një lloj universaliteti, edhe ritmikisht edhe melodikisht edhe në ato çfarë thonë.

Mesazhi është gjithmonë mesazhi i dashurisë ose mesazhi i mërgimit dhe përtej kësaj është gjithmonë një mesazh për ti thënë njerëzve në gjithë botën që ne jemi të gjithë mërgimtarë të mundshëm. Pra duhet ti hapim zemrat tona ndaj mërgimtarëve, ndaj emigrantëve, duhet të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për ne, për vendet, për njerëzit dhe për planetin.

Portalb.mk: Cilat janë sfidat më të mëdha në ruajtjen e autenticitetit të muzikës tradicionale kur e sillni në një format modern si jazz-i?

Elina Duni: Dy gjëra janë të rëndësishme për mua në ruajtjen e autenticitetit të muzikës tradicionale. E para është tingulli akustik, sepse jemi mësuar kaq shumë me këngë që marrin disa motive tradicionale dhe pastaj i transformojnë, i deformojnë ato në diçka tip turbo folk ose tallava. Për mua është e rëndësishme që tingulli akustik, minimalizmi dhe gjithashtu poezia që përmbajnë këto këngë mos humbasin dhe të jenë gjithmonë në pah të asaj çfarë bëj.

Portalb.mk: Si e krahasoni këtë festival me skenat ndërkombëtare ku keni performuar dhe çfarë rëndësie ka për ju promovimi i muzikës shqiptare në botë?

Elina Duni: Për mua është shumë e rëndësishme që ka një festival xhazi në Tetovë, sepse kjo e vë Tetovën gjithashtu bashkë me skenat e tjera ndërkombëtare. Gjithashtu i jep një rëndësi kulturës, kësaj forme muzike e cila ndonjëherë dhe mund të quhet pak elitare, e sjell xhazin afër njerëzve dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Për mua promovimi i muzikës shqiptare nëpër botë ashtu siç e thashë edhe më përpara ka qenë ndërtimi i urave mes njerëzve, mes kulturave. Pra kur flitet për një histori dashurie, për një histori mërgimi, çdo njeri e ka mundësinë ta kuptoj atë dhe ta ndjejë, sepse është diçka që mund ti ndodhi të gjithëve në fakt dhe është ky universalitet që përmban muzika folklorike shqiptare, që për mua është shumë i prekshëm.

Foto nga arkivi personal i Elina Dunit. Foto: Elina Duni
Foto nga arkivi personal i Elina Dunit. Foto: Elina Duni

Portalb.mk: Si është pritur muzika juaj nga publiku ndërkombëtar dhe cili ka qenë reagimi më domethënës për ju?

Elina Duni: Muzika ime pritet gjithmonë me shumë dashuri nga publiku ndërkombëtar, nëpërmjet viteve ajo ka evoluar, gjithashtu unë nuk këndoj vetëm në shqip, këndoj dhe në gjuhë të tjera, që janë italishtja, anglishtja, portugalisht, arabisht, d.m.th, bëj një si lloj udhëtimi muzikor nëpër Mesdhe le të themi. Ky është një udhëtim muzikor i cili i prek shumë njerëzit, i emocionon dhe i bënë të dëgjojnë gjuhë të ndryshme, stile të ndryshme, poezi të ndryshme. Pra është kjo lloj-llojshmëria e cila pritet shumë mirë.

Portalb.mk: A mendoni se xhazi po merr vëmendjen e duhur në skenat shqiptare, apo ende ka shumë punë për tu bërë?

Elina Duni: Mendoj se xhazi ka ende punë për të ekzistuar në skenat shqiptare, dhe ideja është që xhazi ka nevojë për vende që të vazhdojë të zhvillohet, pra ka nevojë për klube xhazi, festivalet një herë në vit nuk mjaftojnë. Ka nevojë që të ketë një vend i cili është i dedikuar për atë punë, ku muzikantët improvizojnë, luajnë me njëri-tjetrin, ftojnë muzikantë të tjerë. Muzikantët e rijnë shkojnë, shikojnë, dëgjojnë, luajnë. D.m.th. është kjo dimensioni i provës, i eksperiencës, i luajtjes bashkë, interagimi e cila mungon në skenat shqiptare, sepse nuk ka vende të dedikuara për këto punë. Uroj që të ketë më shumë klube xhazi në rajonin shqiptar, që kjo muzikë të marrë edhe më shumë vend dhe të vlerësohet ashtu siç duhet.

Foto nga arkivi personal i Elina Dunit. Foto: Elina Duni
Foto nga arkivi personal i Elina Dunit. Foto: Elina Duni

Portalb.mk: A ka një moment që e veçoni si kulmor në karrierën tuaj artistike?

Elina Duni: Nuk e shoh karrierën time si diçka që kulmon, si diçka që shkon lartë e poshtë, por e shoh më shumë si një rrugë të gjatë, në të cilën luaj koncerte të ndryshme, njoh njerëz të ndryshëm, frymëzohem, këngë të reja lindin, pra është një rrugëtim që shpresoj do vazhdojë sa më shumë e sa më gjatë, dhe që do kem fatin e madh të vazhdoj të luaj nëpër botë. Kjo është gjeja që mua më jep më së shumti kënaqësi dhe më bën ta di pse kam ardhur në këtë botë. Pra i jep vërtet një kuptim jetës time.

Portalb.mk: Cilat janë planet tuaja të ardhshme artistike pas këtij festivali?

Elina Duni: Pas këtij festivali, planet tona artistike lidhen me albumin e ri që kam regjistruar në duo me Rob Luft, i cili pritet të publikohet vitin e ardhshëm. Do të fokusohemi në përgatitjet për daljen e tij, në bashkëpunim me shtëpinë diskografike. Krahas kësaj, unë vazhdoj të jap mësim për kanto dhe xhaz në Shkollën e Lartë të Muzikës në Bazel, ndërsa në periudhën që vjen do të kemi edhe një sërë koncertesh në skena të ndryshme evropiane.