Ra Qeveria e Francës

Parlamenti i Francës ka rrëzuar Qeverinë e kryeministrit Francois Bayrou, pas nëntë muajsh në pushtet, pasi ekzekutivi i tij humbi mocionin e votëbesimit që ai thirri më 8 shtator, raporton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë votimit në Asamblenë Kombëtare, 364 deputetë votuan për rrëzimin e Qeverisë, ndërkaq 194 ishin kundër.

“Në linjë me nenin 50 të Kushtetutës, kryeministri duhet të dorëzojë dorëheqjen e Qeverisë së tij”, tha kryetari i Parlamentit, Yael Braun-Pivet.

AFP-ja, duke u thirrur në burime, tha se Bayrou do t’i dorëzojë dorëheqjen e tij presidentit Emmanuel Macron të martën në mëngjes.

Bayrou është kryeministri i tretë që Franca ka pasur në 12 muaj.

Rrëzimi i Qeverisë pritet të shkaktojë edhe më shumë paqëndrueshmëri për ekonominë e dytë më të madhe të Bashkimit Evropian.

Bayrou, politikan centrist, 74 vjeç ishte emëruar nga presidenti Emmanuel Macron para më pak se nëntë muajsh.

Bayrou ka thënë se beson se shkurtimet janë të nevojshme për t’i frenuar deficitin dhe borxhet në rritje të shtetit francez.

Por, deputetët e opozitës u zotuan se do ta shfrytëzonin rastin për ta rrëzuar Bayroun dhe Qeverinë e tij pakicë të përbërë nga ministra centristë dhe djathtistë. Shkarkimi i tij do ta detyrojë Macronin ta nisë një tjetër kërkim të lodhshëm për ta gjetur zëvendësuesin e tij.