Pas tërmetit me magnitudë 6,2 ballësh u regjistruan edhe dy tërmete të tjera 4,4 ballë dhe 4,9 ballë në Stamboll dhe rrethinat e tij, transmeton Trt Global.
Sipas informacioneve në faqen e internetit të Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), janë regjistruar lëkundje me magnitudë 4,4 dhe tjetra 4,9 ballë, epiqendra e të cilave ishte në Detin Marmara, në brigjet e lagjes Büyükçekmece të Stambollit.
Është konstatuar se tërmetet, të cilat janë ndier në Stamboll dhe provincat përreth, kanë ndodhur në një thellësi prej 7 kilometrash.
Ndërsa ministri turk i Transportit dhe i Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, deklaroi se inspektimet e para pas tërmetit me magnitudë 6,2 që goditi Stambollin dhe dy tërmeteve të tjera pasuese, tregojnë se nuk ka asnjë dëmtim apo situatë e pafavorshme në rrugët automobilistike, aeroportet, hekurudhat dhe metrotë e vendit.
Në një postim në rrjetin social facebook, ministri Uraloğlu shprehu solidaritetin e tij me të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti.
“Gjatë inspektimeve të para nuk është konstatuar asnjë dëmtim apo situatë e pafavorshme në rrugët tona, aeroportet, trenat dhe metrotë. Ekipet tona janë në terren dhe vazhdojnë kontrollet dhe vlerësimet për të siguruar që gjithçka është në rregull. Zoti e ruajtë vendin dhe popullin tonë nga çdo fatkeqësi”, tha ministri turk.