Një pajisje 170 dollarëshe mund të bëjë sulm DDoS ndaj iPhone

Miliona përdorues të iPhone të cilët kanë përditësuar në iOS 17 përballen me një kërcënim potencial nga një pajisje që përdoret për hakimin e sendeve elektronike quajtur Flipper Zero, raporton PCW. Kushton 169 dollarë dhe mund të bëjë që një iPhone të dështojë duke e përmbytur me kërkesa për lidhje. Aktualisht për të parandaluar një sulm të tillë duhet të fiket Bluetooth plotësisht.

Raportuar fillimisht nga hulumtuesi i sigurisë Jeroen va nder Ham, sulmi realizohet duke afruar një pajisje Flipper Zero pranë. Sipas prodhuesit, kjo radio e kontrolluar përmes softuerit mund të përdoret për të “hakuar” sende dixhitale si protokollet radio, të aksesojë sisteme kontrolli, harduerë etj.

Falë dizajnit open-source, mund të instalohet në të një firmware i përshtatur duke hapur rrugë për aftësi të ndryshme që mund të kryejë. Një prej tyre është Flipper Xtreme.

Mjafton një konfigurim i Flipper Zero për të njoftuar disponueshmërinë e një pajisjeje Bluetooth Low Energy. Një konfigurim tjetër aktivizon një sulm DDoS që ka emrin “iOS 17 attack.”

Van der Ham thotë se sulmi e bën telefonin të paqëndrueshëm. Sulmi DDoS mund të bëhet edhe ndaj një pajisjeje Android dhe Windows. Por këto mund të bllokohen lehtësisht përmes konfigurimeve “Fast Pair” në Android dhe “Swift Pair” në Windows.

Siç edhe emërtimi sugjeron, duket një sulm i krijuar për iOS 17. Va nder Ham tha se nuk mund të replikonte sulmin ndaj iPhone me versione më të vjetra të iOS sesa iOS 17.