RMV, Ministria e Kulturës e vazhdoi afatin për Konkursin Vjetor për financimin e projekteve

Deri më 8 nëntor është zgjatur afati për aplikim në Konkursin Vjetor të Ministrisë së Kulturës, përmes së cilit planifikohet mbështetja financiare për projektet nga fusha të ndryshme të kulturës, transmeton Portalb.mk.

“Njoftojmë se për shkak të problemeve teknike të ndodhura për shkak të mbingarkesës së sistemit, afati për aplikim në Konkurset Vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në sfera të veçanta dhe aktivitete në kulturë për vitin 2024 është shtyrë deri në 8 Nëntor (e mërkurë), deri në orën 23:59”, sqaroi Ministria e Kulturës.

Aplikimi bëhet në formë elektronike https://uslugi.gov.mk, ndërsa Ministria theksoi që mbi 800 aplikime janë kryer vetëm ditën e fundit.

Më 2 nëntor, Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska deklaroi se rreth një mijë aplikacione janë dorëzuar në Konkursin për financimin e projekteve me interes nacional në fusha të caktuara dhe aktivitete kulturore për vitin 2024, i cili filloi më 3 tetor.

Risi këtë vit janë industritë kreative, por prioritet ka edhe dialogu strategjik me SHBA-në, Ballkani i Hapur, artistët e rinj, idetë e reja krijuese, idetë unike, megjithatë nuk mungon as tradita.

“Po ringjallim industritë kreative, të cilat patën mbështetje deri në vitin 2017. Kjo do të thotë se do të hapet një program i ri në Propozimin e Buxhetit për vitin 2024, me fonde të veçanta financiare. Ky konkurs i veçantë vlen vetëm për fushat dhe aktivitetet që janë pjesë e industrive krijuese, të cilat nuk janë dërguar në konkurse tjera dhe që nuk kanë pasur mundësi të financohen deri më tani. Industritë kreative bëhen një shtytës i rëndësishëm i ekonomisë, krijojnë vende të reja pune, sjellin fitim, por janë edhe promovues të identitetit kulturor. Ngritja e një programi të ri buxhetor që do të mbështesë industritë kreative është një investim në potencialin tonë intelektual dhe një tjetër mbështetje sistematike për industrinë kulturore”, tha ministrja më 3 tetor.

Vitin e kaluar ky konkurs përfundoi më 11 nëntor pasi ishte viti i parë që po bëhej aplikimi në formë elektronike dhe aplikuesit kishin nevojë për më shumë kohë.