Është rritur numri i transaksioneve elektronike në RMV, qytetarët paguajnë kryesisht me telefona celularë
Numri i pagesave elektronike është në rritje, njoftoi sot Banka Popullore. Në tremujorin e parë të këtij viti, numri i transaksioneve elektronike është rritur me 21.9 përqind, ndërsa vlera e paguar me 23 përqind. Numri më i madh i transaksioneve të pagesave të iniciuara elektronikisht janë kryer nëpërmjet aplikacioneve mobile, 72.8 përqind, që është një rritje vjetore prej 25.9 përqind dhe që konfirmon se përdorimi i telefonit celular mbizotëron si metoda më e shpejtë dhe më e thjeshtë e pagesës, transmeton Portalb.mk.
Në tremujorin e parë të vitit 2026, pagesat me urdhërpagesa të qytetarëve shënuan rritje prej 10.3 përqind, në numrin dhe 14.6 përqind në vlerën e transaksioneve të pagesave të ekzekutuara. Zhvillime pozitive ka edhe në pagesat me karta pagese, ku numri i pagesave me karta është më i lartë me 12.2 përqind, dhe vlera e tyre me 14.5 përqind.
“Rritja e numrit të pagesave rrjedh kryesisht nga transaksionet e pagesave të kryera nëpërmjet internetit, 18.7 përqind, si dhe nga pagesat në pikat fizike të shitjes, 11.7 përqind. Rritja e pagesave digjitale është gjithashtu për shkak të futjes së zgjidhjeve të reja të pagesave nga bankat, të cilat u lejojnë qytetarëve të kryejnë pagesa më të thjeshta dhe më të shpejta nëpërmjet pajisjeve mobile, pa përdorur kartë pagese fizike. Kartat e digjitalizuara përbëjnë 17.9 përqind të numrit të përgjithshëm të kartave të pagesave të lëshuara në vend, dhe çdo kartë e digjitalizuar është përdorur për të kryer, mesatarisht, 4 transaksione me një telefon celular në vend, gjë që tregon rritje të vazhdueshme të përdorimit të pagesave mobile dhe ndryshim në zakonet e qytetarëve në favor të përdorimit të përfitimeve të digjitalizimit”, thotë Banka Popullore.