Kleptokracia transnacionale

Kleptokracia transnacionale për më shumë se dy dekada vazhdon të jetë një kërcënim i përhershëm për demokracitë e brishta të Ballkanit Perëndimorë. Kleptokracia është e dizajnuar në atë formë që liderët e korruptuar duke e përdorur fuqinë politike ua marrin pasurinë apo të ardhmen qytetarëve.

Sipas “Webster Dictionary”, termi kleptokraci rrjedh nga fjala greke “kleptes”, që do të thotë “hajdut”. Kleptokracinë duhet parë në disa mënyra në Ballkanin Perëndimorë.

Ndërsa zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut po afrohen, partitë politike janë përfshirë në debate të ashpra për t’i thënë njëra-tjetrës se janë të korruptuara. Një gjë është e vërtetë këtu, korrupsioni kombëtar i një shteti është bërë transnacional nga të ashtuquajturit kleptokratë që duke e ndryshuar mënyrën e biznesit politik, kanë arrtiur të ndërtojnë një perandori të fortë financiare. Ky lloj biznesi kombëtar dhe ndërkombëtar i kleptokratëve, është kthyer në çështje sigurie për të ardhmen e shteteve të Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa akuzat e brendshme janë reale, gjendja e korrupsionit lokal e kombëtar vazhdon të dëmtojë të ardhmen e shteteve. Organizata amerikane “Freedom House” për 2024, e ka ulur vlerësimin e Maqedonisë së Veriut për sa i përket standarteve demokratike, duke e vlerësuar shumë keq në fushën e korrupsionit. Përderisa qeveria në Shkup me vite është zotuar se po e lufton korrupsionin, dhe ka një strategji daljeje nga situata, qytetarët dhe të huajt e shohin më ndryshe. Edhe pse renditja nuk vlen për zyrtarët e qeverisë, kleptokratët e të gjitha niveleve kanë gjetur një strehë të sigurtë të shpëtimit. Dhe kjo është e njohur për të gjithë, se bëhet për shkak të paaftësisë së institucioneve për ndërmarrë veprime konkrete.

Institucionet nuk mund të ndërmarrin asnjë aksion, sepse janë të korruptuara nga kleptokratët dhe politika ditore, thonë kritikët. Gjendja është e keqe pothuajse në të gjithë Ballkanin Perëndimor, pavarësisht ndihmës nga jashtë. Përkundër, fjalëve të mëdha të zyrtarëve të qeverive, vjedhja e madhe ndaj qytetarëve e ka dëshpëruar ose ulur vullnetin e tyre për një të ardhme më të mirë. Ose thënë më ndryshe, besimi i tyre në projektet qeveritare është i ultë. Dhe kjo ka një burim, sepse kleptokratët janë lënë me dekada të funksionojnë të lirë. Disa ligje të aprovuara në
parlamentet kombëtare janë shfrytëzuar nga zyrtarët e më gjërë vetëm për reklamë politike se shteti ligjor është duke vepruar. Por në fakt, ka qenë mungesa e vullnetit politik për të bërë më shumë, duke ua pamundësuar institucioneve punën në luftën kundër korrupsionit, dhe ndaj ndikimit të kleptokratëve.

Prandaj në proces afatgjatë në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor do të jetë vështirë që të gjendet drejtësi, dhe të drejta të barabarta për të gjithë para ligjit. Për më shumë, në vitin 2023, BE premtoi 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit për të përmirësuar situatën para hyrjes në BE.

Por duke e marrë parasysh atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor në aspektin e demokracisë, kleptokratët ka gjasa të mbeten të lirë. Trendi aktual tregon se atmosfera rajonale e gloable shkon në favor të forcimit të kleptokratëve me pasoja për rënimin e demokracive të brishta jo vetëm në Ballkan. Në kushtet e forcimit të kleptokracisë transnacionale, gjërat nuk po ndryshojnë në shkallë kombëtare, sepse aleanca e kleptokratëve që tashmë është bërë e hapur kundër demokracive dhe stabilitetit, do të rritet veçanërisht në regjimet (demokracitë) hibride me ndikim të fortë në vitet në vijim.

Në kuadër të zhvillimeve demokratike, rënia në standartet demokratike në rajonin tonë do të vazhdojë, ndërsa
kleptokracia rajonale e ndihmuar nga jashtë do të forcohet. Për sa i përket vlerësimeve ndërkombëtare, raportet e fundit tregonin se Serbia ka rënien më të madhe. Rezultatet janë të njëjta po ashtu për Malin e Zi, Maqedoninë
e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën. Ndërsa rezultatet për nivelin e demokracisë në Shqipëri dhe Kosovë sipas raporteve mbeten të njëjta. Një ndikim të madh për rënien e nivelit të demokracisë në Ballkanin Perëndimor
ka fuqia e kleptokratëve brenda dhe jashtë.

Deri më sot lufta ndaj tyre duket se është e gjatë dhe e pa njohur për demokracitë e brishta. Mungesa e lidershipit dhe qeverisjes së mirë gjithashtu ka ndikuar në situatën aktuale. Kjo tregon për një gjendje pa rrugëdajle. Kjo do të jetë një “luftë” afatgjate midis pakicës që dëshiron qeverisje të mirë, dhe kleptokratëve që i duan të gjitha e pa kufizime. Sanksionet ndërkombëtare ndaj kleptokratëve nuk vërehet se kanë pasur efekte të drejtpërdrejta.

Andaj kleptokratët dhe figura të njohura të politikës do të vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë sonë. Ndërsa kleptokracia transnacionale do të jetë një sfidë e përhershme me shumë të panjohura.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.