Një i dyshuar për tentativë për zhvatje dhe kërcënime ndaj kryetarit të komunës së Negotinës

Prokuroria Themelore Publike në Kavadarci ka filluar procedurë hetimore ndaj një personi nga Negotina për tentativë zhvatjeje dhe rrezikim të sigurisë. I dyshuari, siç informon Prokuroria, më 2 shtator nga një profil anonim në Facebook i ka shkruar kryetarit të komunës së Negotinës dhe me kërcënime serioze dhe të drejtpërdrejta ndaj tij dhe familjes së tij ka tentuar ta detyrojë t’i paguajë 3.000 euro, transmeton Portalb.mk.

“Në periudhën nga 4 deri më 18 shtator, në disa raste, i dyshuari ka dërguar mesazhe me kërcënime për vdekje kryetarit të komunës dhe në adresën zyrtare të postës elektronike të komunës, me ç’rast ka shkaktuar tek i dëmtuari dhe familja e tij ndjenjë pasigurie, rreziku dhe frike”, informon Prokuroria.

Për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë që i dyshuari të përsërisë veprën, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake një propozim për caktimin e masës së paraburgimit.