Varësia nga gazi rus, kundërshtime euro-ballkanike

Uashingtoni po rrit presionin mbi shtetet që të zvogëlojnë blerjen e gazit dhe naftës ruse. BE-ja këtë javë ndërmori një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas njoftuan se një ndër vendimet e fundit të BE-së, përfshin zvogëlimin e blerjes së gazit nga Rusia. “Një nga vendimet kryesore është ndalimi i importeve të gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Rusia duke filluar më 1 janar të vitit 2027 – një vit më herët sesa ishte planifikuar fillimisht”. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të shkëputjes nga gaz rus, thanë zyrtarët e lartë të BE-së.

Ndërsa SHBA-të dhe BE-ja kanë vendosur të jenë më kufizuese dhe të ndalojnë produktet ruse të energjisë, disa anëtarë të BE-së nga ish-Blloku Lindor po refuzojnë ta bëjnë këtë. Kështu Sllovakia dhe Hungaria njoftuan se do t’i rezistojnë presionit amerikan për të ulur importet e naftës dhe gazit rus. “Para se të bëjmë këtë, duhet të kemi kushtet e duhura në vend – përndryshe rrezikojmë të dëmtojmë seriozisht industrinë dhe ekonominë tonë”, tha Denisa Sakova, ministrja sllovake e ekonomisë. Ajo shtoi se së pari duhet të ketë infrastrukturë të mjaftueshme për të mbështetur rrugët tjera alternative. Sakova tha se ketë qëndrim ia bëri të qartë Sekretarit amerikan të Energjisë Chris Wright në Vjenë. Ajo tha se zyrtari i presidentit Tramp shprehu mirëkuptim, ndërsa pranoi se SHBA-të duhet të nxisin projekte të energjisë në Evropë.

Në këtë drejtim, ministri hungarez i kabinetit qeveritarë, Gergely Gulyas përsëriti se Budapesti do të kundërshtojë nismat e BE-së që kërcënojnë sigurinë e furnizimeve të saj me energji ruse. Ndërkaq presidenti amerikan Donald Tramp para nisjes për në Britani të Madhe tha se është i përgatitur të ecë përpara me sanksione ndaj naftës ruse nëse vendet evropiane e bëjnë të njëjtën gjë.

Ndërpreja e plotë e furnizimeve me gaz rus, sipas zyrtarëve hungarez dhe sllovak përbën rrezik për ekonominë e shteteve. Të dyja qeveritë i shohin furnizimet me gaz rus si të rëndësishme, dhe të domosdoshme. Zyratë të lartë pranë qeverive janë zotuar se do të sfidojnë vendimet e BE-së. Në këtë drejtim, shtetet e Ballkanit Perendimor në fushën e gazit pavarësisht sanksioneve ndaj Rusisë nuk janë larg Sllovakisë dhe Hungarisë. Nuk dëshirojnë të ndërpresin importin e gaztit rus si Serbia dhe disa shtete të tjera ballkanike që e bëjnë në rrugë alternative. Bazuar në të dhënat e Eurostat-it, varësia ruse e shteteve të Ballkanit është ende aktive, dhe do të vazhdojë deri në vitin 2030 pavarësisht çdo presioni nga SHBA-të dhe të BE-ja, e cila po përpiqet të ndërpresë importin e gazit nga Rusia.

Maqedonia e Veriut, si një vend jo-anëtar i BE-së, dhe anëtar i NATO-s, bazuar në raportet e Eurostat-it, ka një varësi të lartë nga gazi rus përmes palëve të treta (100 përqind; 2.6 milionë metra kub në vit nëpërmjet Bullgarisë sipas protokollit të trashëguar të Gazprom-it deri në vitin 2030). Gjithashtu, Serbia si shtet jo-anëtarë i BE-së dhe i NATO-s ka varësi të lartë nga burimet ruse, (92 përqind, 2 miliardë metra kub në vit nëpërmjet “Rrjedhës turke”. Serbia mbulon 85 përqind të nevojave sipas kontratës së skaduar në maj të 2025-ës. Bisedimet me palën ruse janë duke vazhduar për rinovimin e saj.

Pasojat gjeopolitike të varësisë nga gazi dhe energjia ruse shihen në mënyra të ndryshme nga shtetet evropiane, dhe vetë shtetet e Ballkanit. Megjithatë, ideja është se shtetet e Ballkanit nëse nuk shkojnë drejt alternativave të tjera të qëndrueshme të importit të gazit, ato do të vazhdojnë të përdorin gazin rus edhe pas 2027-ës. Ndërlidhësi i tubacionit në mes Greqisë dhe Bullgarisë (IGB) dhe në mes Serbisë dhe Bullgarisë mundësojnë LNG-në nga qyteti grek Aleksandropolis të vazhdojë të depërtojë në shtetet ballkanike nëse atë dëshirojnë ta bëjë këtë. Përveç SHBA-së, burime të rinovueshme dhe atyre alternative janë premtuar edhe nga BE-ja. Agjenda e Gjelbër e BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshinë një shumë të konsiderueshme eurosh. Serbia, me vazhdimin e importit të gazit nga Rusia, tregon për vazhdimin e “aktit balancues” me Rusinë (p.sh., gaz me zbritje në 310-408 dollarë për 1,000 metër kub) kundrejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Qëndrimi pro-rus i Hungarisë, Sllovakisë, Serbisë, rritja e ndenjave pro- ruse në Maqedoni të Veriut dhe në Serpska Republika, ilustrojnë të dhënat se vendet e Ballkanit, pavarësisht presionit amerikan dhe të BE-së do të vazhdojnë importin e gazit nga Rusia.

Në plan më të gjërë, SHBA-ja për të shkëputur disa shtete evropiane dhe të Ballkanit nga varësia ruse ka disa mënyra, duke nisur nga ndihma financiare dhe teknike për infrastrukturën drejt energjisë së pastër, dhe të LGN-së për të përballuar më lehtë tranzicionin nga importi rus në atë amerikan. Duhet përmendur se këto përpjekje më herët janë koordinuar përmes Këshillit të Energjisë SHBA-BE, këshill i cili viteve të fundit ka bërë një punë të mirë duke ndikuar që shtetet e BE-së të largohen nga blerja e gazit rus. Vlerësohet se qasja e re amerikane ka ndihmuar në uljen e importeve të gazit rus nga BE-ja në 18-19 përqind të furnizimit total në vitet 2024-2025. Megjithëse sfida do të vazhdojnë për shtetet që nuk kanë dale në det si Sllovakia, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Serbia etj.

Duhet pranuar se tranzicioni nuk do të jetë i lehtë dhe shumë shtete nuk do të pajtohen me këtë qasje që buron nga politika e re e SHBA-së dhe nga BE-ja. Që nga viti 2022, BE-ja ka përshpejtuar përpjekjet për të diversifikuar furnizimet përmes planit REPowerEU, duke synuar t’i japë fund të gjitha importeve ruse deri në vitet 2027-28. Disa shtete kanë marrë hapa pragmatikë e disa jo. Sipas njoftimeve të shtypit evropian, eksportet ruse të karburanteve ruse nga shtetet evropiane ende gjenerojnë 21.9 miliardë euro në vit për Rusinë. Duke blerë më shumë gaz dhe naftë ruse, Moska ka arritur të financojë luftën kundër Ukrainës dhe më gjerë.

Megjithatë, nëse SHBA-të do të ndjekin politika të jashtme izoluese, dhe do të tërhiqen kryesisht në hemisferën perëndimore, atëherë të gjitha projektet dhe idetë për të blerë më pak nga Rusia do të dështojnë. Gjeopolitika e energjisë do t’u kalojë vendeve të tjera si Kina dhe Rusia, si lojtarë në sigurinë energjetike. Dilemat në disa shtete evropiane, dhe në Ballkan do të vazhdojnë. Nëse përfundimisht nuk do të pajtohen për një politikë energjetike ndaj Rusisë, atëherë siguria energjetike do të bjerë pre e lojërave të gjeopolitikës, të cilat në thelb do të gërryejnë BE-në dhe ëndrrat e shteteve të Ballkanit. Në fund të fundit, duhet të shohim se sa seriozë janë SHBA-të në këtë çështje, dhe çfarë veprimesh të reja do të ndërmarrin ndaj Rusisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.