Një ditë prilli

Kujt i përket vallë kjo ditë
që më erdhi sot në duar?
Nga cila strehë kujtimesh,
nga cila strehë qiejsh e kohësh të pajetuara
do të jetë mërguar?
Se aroma e saj shumë e njohur m’u duk
si aroma e asaj dite që nuk e jetova kurrë.
Dhe më erdhi pak çudi se kam dëgjuar
se çastin e pajetuar, as përjetësia ta shlyej nuk di.
***
Dikur, fëmijë, bindur se vetëm ditë kisha shumë,
ndieja se si shkriheshin krahët e tyre në pëllëmbët e mia,
hapja duart e i lija të lira.
E ç’do të thoshte për një fëmijë një ditë më pak,
një ditë më shumë,
kur ndër duar kisha të shkruar lamtumirën e çdo stine,
lamtumirën e çdo dite, lamtumirën e çdo ikjeje
dhe kurrë nuk pyeta drejt kujt niseshin,
drejt kujt perëndonin krahët e ditëve të mia
se mendoja se kujt i fal fluturimin,
me vete merr dhe pak nga ti
dhe unë pak prej meje i dhashë çdo dite,
pak prej meje çdo stine, pak prej meje në çdo ikje,
me sy drejt qiellit thoja atje ku më perëndojnë ditët,
atje do të jetë dhe vendi im.
***
Kush do mendonte vallë se duart e një fëmije
do të ktheheshin në kafaz ditësh, në kafaz stinësh,
në kafaz dashurie…
***
se kush nuk ka fluturuar kurrë, as të dhurojë flatra më nuk di.