Një dekadë poezie nga Fondacioni Albiz, një libër kujtimesh dhe zëra të rinj krijues
Në ambientin artistik të Çifte Hamamit, në zemër të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, mbrëmë u mbajt edicioni i dhjetë jubilar i manifestimit letrar “Mbrëmja poetike”, organizuar nga Fondacioni për Zhvillimin e Arsimit dhe Kulturës Albiz, shkruan Portalb.mk.
Kjo mbrëmje, e cila tashmë është kthyer në një traditë të rëndësishme kulturore, mblodhi të rinj krijues, artdashës dhe dashamirës të fjalës së bukur. Çdo poezi e interpretuar solli emocionin e saj, ndërsa çdo çmim i ndarë ishte një vlerësim për talentin, përkushtimin dhe guximin krijues të poetëve të rinj.
Për dhjetë vjet me radhë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Poezisë, Fondacioni Albiz organizoi konkursin letrar “Mbrëmja poetike”, duke u ofruar të rinjve një hapësirë të veçantë për të shprehur ndjenjat, mendimet dhe botën e tyre të brendshme përmes vargut artistik. Gjatë këtyre viteve, ky aktivitet është shndërruar në një tribunë të fjalës së lirë, të ndjeshmërisë dhe të shpirtit krijues.
Besir Dernjani për në fjalën e tij përshëndetëse tha se “Mbrëmja poetike” është shndërruar në një traditë me peshë kulturore dhe artistike, që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj.
“Organizimi i edicionit të dhjetë të “Mbrëmjes poetike” ka një rëndësi të veçantë, sepse shënon një jubile të rëndësishëm në përkushtimin tonë ndaj kulturës, letërsisë dhe mbështetjes së të rinjve krijues. Për ne, ky aktivitet nuk është vetëm një manifestim vjetor, por një rrugëtim dhjetëvjeçar që ka krijuar hapësirë për talentet e reja dhe për fuqinë e fjalës artistike. Nga viti 2015 e deri më sot, në kuadër të këtij aktiviteti kanë konkurruar 308 krijues të rinj, ndërsa 123 poezi të përzgjedhura janë recituar në mbrëmjet poetike. Kjo tregon se “Mbrëmja poetike” është shndërruar në një traditë me peshë kulturore dhe artistike, që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj”, tha Dernjani.

Komisioni vlerësues, i përbërë nga Mustafa Ibraimi, profesor universitar, Daut Dauti, publicist dhe gazetar, si dhe Merita Abazi, profesoreshë e gjuhës shqipe në pension, këtë vit shqyrtoi 36 poezi të paraqitura në konkurs. Prej tyre, juria përzgjodhi 19 poezi të krijuesve të rinj, të cilat u recituan para publikut.
Vendin e parë e fitoi Elda Dauti me poezinë “Shqip përtej Adriatikut”. Vendin e dytë e mori Blerona Ejupi me poezinë “Unë nuk jam thyer”, ndërsa vendin e tretë e fitoi Nermine Hamidi me poezinë “Somnus”. Çmimi i publikut i’u nda Arijeta Sejdit për poezinë “Fjalë të harrnuara”.
Çmimet për fituesit i dorëzoi Mexhait Shaini, kryetar i Këshillit të Donatorëve të Fondacionit Albiz.

Nga viti 2015 e deri më sot, në këtë rrugëtim letrar kanë konkurruar gjithsej 345 krijues të rinj, ndërsa 143 poezi të përzgjedhura nga juria profesionale janë recituar në netët poetike. Me këtë, “Mbrëmja poetike” e Fondacionit Albiz vazhdon të mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme për afirmimin e talenteve të reja dhe për kultivimin e dashurisë ndaj poezisë.
Në kuadër të këtij edicioni jubilar, u promovua edhe libri përmbledhës me poezitë e interpretuara gjatë këtyre 10 viteve, një dëshmi e gjallë e rrugëtimit krijues dhe e zërave të rinj që kanë kaluar nëpër këtë skenë letrare.