Një çerek shekulli nga ekstradimi i Millosheviqit: Në Hagë pa aktgjykim, në Serbi i rehabilituar
Sllobodan Millosheviq, i cili për dhjetë vjet qeverisi në mënyrë autoritare Serbinë dhe Jugosllavinë e atëhershme – të përbërë nga Serbia me Kosovën dhe Mali i Zi – u ekstradua në Hagë para 25 vjetësh, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ekstradimi u bë në ditën e Vidovdanit – një festë kombëtare e Serbisë e lidhur me Betejën e Kosovës kundër Perandorisë Osmane në vitin 1389 dhe një ngjarje me simbolikë të veçantë për nacionalistët serbë.
Ndonëse ka kaluar një çerek shekulli nga ajo kohë, në Serbi, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të jenë të fortë zërat që minimizojnë ose mohojnë përgjegjësitë e Millosheviqit për luftërat në ish-Jugosllavi, të cilat morën mbi 100 mijë jetë njerëzish, si dhe për izolimin ndërkombëtar të Jugosllavisë, që e zhyti vendin në varfëri të thellë dhe kriminalitet.
Ku janë sot trashëgimtarët e Millosheviqit, e ku viktimat e regjimit?
Sot, figura më e pranishme në media nga familja e Millosheviqit është nipi i tij 27-vjeçar, Marko Millosheviq.
Babai i tij, djali i Sllobodan Millosheviqit, i cili po ashtu e ka emrin Marko, u largua nga Serbia menjëherë pas rrëzimit të regjimit në tetor të vitit 2000 dhe u zhvendos në Moskë, ku jeton edhe sot.
Ish-bashkëshortja e tij e parë u kthye në Serbi me djalin e porsalindur dhe u vendos në shtëpinë familjare të Millosheviqëve në Pozharevc – rreth 80 kilometra në lindje të Beogradit.
Pasi përfundoi studimet në Fakultetin Juridik, Marko Millosheviq hyri në politikë.
Sot, ai është deputeti më i ri i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) në Kuvendin e Serbisë.
Sllobodan Millosheviq e udhëhoqi këtë parti deri në vdekjen e tij, në vitin 2006, ndërsa partia nuk u distancua kurrë prej tij.
Duke folur për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, nipi i tij thotë se respekton mendimet e ndryshme për vitet ’90, por këmbëngul se ekstradimi i Millosheviqit përbënte shkelje të rendit kushtetues të Serbisë.
“Unë, si jurist, nuk mund ta shoh ndryshe”, thotë ai.
Ku janë sot anëtarët e familjes Millosheviq?
Bashkëshortja e Sllobodan Millosheviqit, Mirjana Markoviq, u largua nga Serbia në vitin 2003 dhe u vendos në Rusi, ku fitoi azil politik.
Në vitin 2005, agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, lëshoi një urdhërarrestim ndërkombëtar për të, pasi nuk u paraqit në gjykim në Serbi për akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ajo dyshohej se kishte marrë pjesë në ndarjen e paligjshme të një banese shtetërore për kujdestaren e nipit të saj.
U gjykua në mungesë, por në mars të vitit 2019, Gjykata e Apelit në Beograd e shfuqizoi vendimin me të cilin ishte dënuar me një vit burg.
Markoviq u hetua edhe nën dyshimet se kishte ndihmuar djalin e saj, Marko Millosheviqin, në kontrabandën e cigareve.
Emri i saj u përmend edhe në hetimet paraprake për vrasjen e gazetarit serb, Sllavko Quruvija.
Ajo vdiq më 14 prill 2019 në Rusi, ndërsa hiri i saj u varros pranë Sllobodan Millosheviqit, në oborrin e shtëpisë së tyre në Pozharevc.
Për çfarë u akuzua Millosheviq?
Sllobodan Millosheviq u arrestua në prill të vitit 2001, gjashtë muaj pas Revolucionit të 5 Tetorit në Serbi, që çoi në rrëzimin e tij nga pushteti.
Protestat masive shpërthyen pasi ai manipuloi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 24 shtatorit 2000, në të cilat kundërshtar kishte Vojisllav Koshtunicën.
Dy muaj pas arrestimit, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konflikteve në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Prokuroria paraqiti 66 pika të aktakuzës, duke e akuzuar për përfshirje në dhjetëra krime të kryera kundër mijëra viktimave në këto tri vende, përgjatë gati një dekade.
Në gjykim dëshmuan më shumë se 300 dëshmitarë për krimet e kryera nga forcat nën kontrollin e tij.
Megjithatë, ai nuk e priti aktgjykimin. Vdiq në paraburgimin e Tribunalit në Sheveningen, në mars të vitit 2006.