“Një aventurë shqiptare”, Financial Times: Shqipëria, e bekuar me bukuri natyrore dhe histori

Një mik i vjetër, Virtyt Gacaferri, më shkroi nga Kosova. Eja për ngjitje (hiking) në Shqipëri më tha. Ai kishte zbuluar një shteg të ri, 4 ditë dhe 64 kilometra mbi një luginë. Do të qëndronim me fshatarët. Do të kishte peizazhe spektakolare, kisha të mahnitshme, burime të ngrohta dhe në fund më premtoi, “një qytet me rrugë kaq të pjerrëta sa mund të varja kapelën në majë të një minareje”, raporton Klan.

Shqipëria? Është një nga vendet më të varfra të Europës. Një e treta e popullsisë jeton jashtë. Gjithë dimrin lexova rreth bandave kriminale, trafikantëve dhe hordhive të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë Kanalin Anglez me anije të vogla. Megjithatë, Virtyti (Gacaferri) në vitin 2017 më drejtoi në një ecje të mrekullueshme rreth kufirit të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës në Bjeshkët e Nemuna.

E kështu, ditën e parë zyrtare të Pranverës, bashkë me disa shokë fluturuam në Tiranë, në një kohë kur Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, mbërriti në Londër që të takohej me Rishi Sunak për bisedime që përfshinin edhe luftën ndaj emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar. Sidoqoftë, ditët në vijim mendimi im për Shqipërinë dhe shqiptarët ndryshoi në mënyrë dramatike.

Virtyti na takoi në aeroport me Arben Kolën, guida jonë turistike i këndshëm, i papërmbajtshëm dhe jashtëzakonisht i shkathët, i cili pranoi lehtësisht se kishte hyrë tre herë në Britani ilegalisht brenda ose nën kamionë.

Teksa i drejtoheshim jugut, ndaluam për të shijuar për herë të parë një Shqipëri ndryshe nga stereotipi i krijuar. Apollonia, një vendbanim i lashtë grek dhe më pas romak në majë të kodrës i braktisur pas tërmeteve të shekullit të pestë që devijuan rrjedhën e një lumi aty pranë, duke e bërë atë të paarritshëm në det.

Në rrezet e diellit të asaj pasditeje i kishim të gjitha mbetjet arkeologjike për vete dhe Arbeni bindi arkeologun Arjan Dimo që të hapte muzeun e vogël me koleksionin mbresëlënës të vazove, bizhuterive dhe statujave. Krenaria e vendit i takonte një këmbe të mrekullueshme me sandale prej bronzi, që Dimo e kishte gjetur vetë.

Ishte darkë kur shkuam në Peshtan, një fshat ku do të nisnim ngjitjen tonë. Furgoni jonë na çoi në një shtëpi pritjeje të pastër dhe të thjeshtë, ku Valentina dhe Viktor Goliku na mikpritën me zjarrin flakërues, gotat me raki, pulë të pjekur, byrek e verë të bërë në shtëpi.

Surpriza më e madhe erdhi mëngjesin tjetër. Agimi zbuloi malet e pyllëzuara përreth, shumë poshtë, deri në grykën e lumit Vjosa. Vjosa është një nga lumenjtë e egër të fundit të Evropës dhe i padëmtuar. Qeveria e Shqipërisë sapo e ka shpallur atë Park Kombëtar.

Hëngrëm për mëngjes turshi, reçel dhe djathtë të bërë vetë nga një tarracë me një peizazh madhështor. Më pas vumë çantat e shpinës dhe u nisëm jo në luginën e Vjosës, por në luginën e një prej degëve të saj, Zagorisë, vendi i një beteje të ashpër gjashtëmujore mes grekëve dhe italianëve në Luftën e Dytë Botërore.

Në skaj të Peshtanit, një banore, Mira Muka, na tregoi një koleksion të mrekullueshëm të pushkëve të ndryshkura, helmetave, bajonetave, predhave dhe kallëpeve të rrëmujshme që ajo dhe bashkëshorti i saj i kishin gjetur në kodrat përreth. Aty kishte ende goxha municione, shtoi ajo me inkurajim.

Ndërkohë që ngjiteshim në shtegun e pjerrët jashtë Peshtanit, maja me dëborë e Malit të Strakavecit na u shfaq përpara, dhe do të mbetej ylli jonë orientues gjithë ditën. Nën qiellin pa re ecëm nëpër pyjet me ah që sapo nxirrnin lulet dhe kaluam livadhe të mbushura me lule të hershme pranverore. Kaluam përrenj dhe mbushëm shishet tona të ujit nga burimet. Drekuam nën diellin e ngrohtë me bukë, domate dhe djathë dhie. Shijuam një heshtje të pathyer. Takuam vetëm një bari dhish.

Pasdite takuam një pronar të vjetër të një shtëpie me gur, Ilir Korron, i cili na ofroi kafe, raki dhe mjaltë nga kosheret e tij të bletëve. Mbante edhe lopë. Ai i therte vetë dhe e çonte mishin në Peshtan me një kalë. Shpejt pas kësaj, zbritëm në lum dhe gjetëm një tjetër surprizë: Një urë osmane e shekullit të 19 me një hark të vetëm elegant dhe me kalldrëm. Ishte një copë arti që nuk i shërbente askujt veç nesh.

Nga lumi ne u ngjitëm të lodhur në një kodër të fundit e të gjatë, në Limar, një fshat larg çdo rruge. Atje kaluam natën në shtëpinë e Mani Damanit, mësuesi rrezatues i fshatit, dhe mësuam se si bukuria e zonës ishte e ngjyrosur edhe me trishtim.

Shtëpia e Manit, si të gjitha shtëpitë e Limarit, ishte ndërtuar e tëra me gurë nga faqet e kodrave përreth. Hëngrëm mish qengji, djathë, gjizë dhe perime që i kishte prodhuar në bahçen e tij. Pimë verë nga hardhitë e tij, çaj me manaferrat e malit dhe raki të bërë vetë. U ngrohëm me një sobë të mbushur me dru pylli. Por mënyra e jetës së Manit, e zhdukur prej kohësh në Europë, do të zhduket edhe këtu. Ai shpjegoi se popullsia e Limarit ishte tkurrur nga 100 familje 30 vjet më parë, në 15 tashmë. Njësoj si në fshatrat e tjera që kaluam, brezat e rinj ishin larguar për në Tiranë, ose me shumë mundësi kanë emigruar.

Të nesërmen në mëngjes u zgjuam nga zhurma e gjelave që këndonin, qengjave dhe ziles së lopëve. Para se të niseshim, vizituam shkollën e rrënuar të Manit me dy klasa. I kishin mbetur vetëm dy nxënës.

Dita e dytë ishte po aq sublime sa e para. E lamë malin e Strakavecit pas, por lugina përpara ishte e rrethuar nga male të tjera të mbuluara me borë, strofulla arinjsh, ujqërish, derrash dhe rrëqebullit të rrallë të Ballkanit.

Këmbët që na dhimbnin i lamë në lumë. Arbeni demonstroi një aftësi të jashtëzakonshme për të fishkëllyer si zogjtë. Në mesditë mbërritëm në Doshnicë, me reputacion si një nga fshatrat më të izoluar të Europës.

Teksa endeshim nëpër rrugicat me kalldrëm, duke kaluar kafshët aty, një grua na ofroi kafe dhe arra në kopshtin e saj me hije. Ajo na tha se rruga më e afërt ishte dy orë në këmbë. Nga mbi 30 familje që kishin jetuar në Doshnicë në vitet 1990 tashmë kanë mbetur vetëm 7. Nuk ka më asnjë fëmijë aty.

Vonë atë pasdite zhurma e qenve që lihnin na mikpritën në fshatin Hoshtevë. Atje zbuluam një kishte ortodokse shqiptare të ndërtuar në vitin 1843 që i kishte shpëtuar regjimit ateist të Enver Hoxhës, diktatorit komunist shqiptar nga 1944 deri në 1985. Ai shkatërroi më shumë se 2 mijë kisha dhe xhami dhe e ktheu vendin e tij në Korenë e Veriut të Europës.

Brendësia e errët e kishës ishte mahnitëse. Çdo mur, çdo shtyllë, tavani me kupolë dhe madje edhe foltorja ishin mbuluar me afreske. Kujdestari tha se fshatarët kishin vazhduar të faleshin fshehurazi atje gjatë sundimit të Hoxhës. Dënimi, nëse kapeshin, ishte me burg.

Gjithashtu hasëm një problem në Hoshtevë. Shtëpia e vetme e pritjes nuk ishte hapur ende pas dimrit. Me asnjë vend ku mund të qëndronim na u desh të braktisim ecjen në ditën e tretë.

Në vend të kësaj, me një Mercedes të vjetër që i përkiste një prej fshatarëve mbërritëm në shtëpinë e pritjes në Sheper. Tashmë ishim pranë majës së luginës së Zagorisë dhe kufirit grek.

Tashmë ishte koha të kalonim një shteg 1.5 kilometër në veri për t’u kthyer në Luginën e Vjosës. Morëm një kalë për të mbajtur çantat tona dhe herët në mëngjes nisi ngjitja jonë e gjatë krah 2 nga 170 mijë bunkerët që Enver Hoxha, në paranojën e tij, i ndërtoi për të mbrojtur Shqipërinë nga pushtimi. Në një moment, personi që drejtonte kalin shartoi me shkathtësi një pemë qershie të zbutur me një qershi të egër, në mënyrë që pema të jepte fruta të ngrënshme në vitet e ardhshme.

Në krye, lart mbi vijën e pemëve, gjetëm një tas të madh në livadhin alpin të rrethuar nga bora, ku barinjtë së shpejti do të sjellin kafshët e tyre për të kullotur në barin e harlisur të verës. Hëngrëm fiq të thatë dhe shijuam pamjet e mrekullueshme të majave malore në veri, jug, lindje dhe perëndim.

Zbritja ishte më pak argëtuese. Shtegu ishte e pjerrët dhe mbuluar me baltë. U deshën orë të tëra për të arritur në fund, por na prisnin shpërblimet. Njëra ishte zhytja në burimet termale që burojnë nga shkëmbinjtë poshtë një ure tjetër të bukur osmane në Kanionin e Langaricës. Tjetra ishte një natë dhe darkë e kushtueshme në një shtëpi ferme të mrekullueshme 120-vjeçare me mure të trasha dhe dyer të lashta prej druri në pronësi të Kristaq dhe Florinda Cullufes.

Toka e pasur bujqësore e stërgjyshërve të familjes Cullufe pranë Vjosës u konfiskua nga Enver Hoxha dhe familja u zhvendos në Përmet për të bërë punë të rëndomta. Për më shumë se dy dekada ata ktheheshin çdo të diel në shtëpi derisa në vitin 2017 e hapën si shtëpi pritjeje.

“Unë nuk udhëtoj për të parë botën”, tha Kristaqi teksa darkonim në një ballkon me pamje nga lugina e Vjosës. “Qëllimi im është ta sjell botën këtu”, tha ai.

Humbja e një dite ngjitjeje ishte një turp, por na dha më shumë kohë për të eksploruar një zonë të njohur pak, në të vërtetë, të ndaluar prej kohësh për botën e jashtme. Kaluam dy orë të lumtura duke u endur mes rrënojave mbresëlënëse të Bylisit, një qytet antik romak i ndërtuar në majë një mali me pamje akoma më mahnitëse mbi Vjosë.

Në jug të Gjirokastrës, lëvizëm me makinë dhe u gjendëm në teatrin antik romak të Hadrianapolisit, gërmuar 20 vjet më parë. Qetësia prishej vetëm nga fermerët që punonin fushat përreth.

Dhe pastaj ishte vetë Gjirokastra, një qytet i kohës osmane dhe një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s me rrugë të ngushta me kalldrëm që binin poshtë një shpati mali. Është gjithashtu vendlindja e Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të njohur të Shqipërisë, i cili shkroi ato fjalë për “varjen e kapelës në minare”.

Arbeni na foli për kështjellën 1500-vjeçare me pamje nga qyteti, megjithatë atë ditë ajo ishte e mbyllur. Eksploruam bunkerin labirint bërthamor të ndërtuar nën bashkinë e qytetit në kohën e Hoxhës për të mbrojtur zyrtarët komunistë të Gjirokastrës. Më pas vizituam një nga shtëpitë e mrekullueshme, pronari i së cilës, Nesip Skënduli, ishte brezi i nëntë i familjes së tij që jetonte në të. Enver Hoxha ishte shok shkolle me babain e tij, tha ai, por më vonë e burgoi për 13 vjet dhe i detyroi Skëndulinjtë që të ndajnë shtëpitë e tyre me familje të tjera.

Reliket e sundimit brutal të Hoxhës janë rrëqethëse, por interesante. Duke u kthyer me makinë në Tiranë, ndaluam për të parë një kamp pune të braktisur prej kohësh në Tepelenë. Buzë Tiranës, pamë varrin që nuk binte në sy ku u zhvendosën eshtrat e Enver Hoxhës pas rënies së komunizmit. Në kryeqytet vizituam Shtëpinë e Gjetheve, ish-selinë e policisë sekrete të Enver Hoxhës, ku tregohen me detaje rrëqethëse, metodat dhe pajisjet që Sigurimi përdorte për të shtypur kundërshtarët.

I palodhur deri në fund, Arbeni na dërgoi rreth tmerrit të fundit mëngjesin e nisjes sonë: bunkeri bërthamor nëntokësor që Hoxha ndërtoi në një mal në vitet 1970 në lindje të Tiranës. 106 dhomat e saj ishin projektuar për të mbrojtur zyrtarët e lartë të regjimit dhe familjet e tyre. Aty përfshihej një suitë e tërë për vetë Hoxhën. Kaq të trasha janë muret e betonit të këtij monumenti të këtij diktatori paranojak, saqë padyshim do t’ua kalojë vendbanimeve romake në Shqipëri.

Duke shkuar për në aeroport, në pamë anën tjetër të Shqipërisë moderne, me ndërtesa të reja të shkëlqyera, të ndërtuara me para të çuditshme dhe një numër të jashtëzakonshëm makinash të reja të mrekullueshme. Megjithatë ne nuk përjetuam asgjë tjetër veç ngrohtësisë dhe bujarisë në një vend që mund të dëmtohet nga emigracioni, por është i bekuar me bukuri të shumta natyrore dhe interes historik.

Shkroi: Martin Fletcher për Financial Times