Nisi fushata për informimin e serbëve rreth përdorimit të valutës euro në Kosovë

Një numër telefoni e adresë elektronike është vënë në dispozicion për serbët e Kosovës që dëshirojnë të informohen për rregulloren e BQK-së. E, ndërkombëtarët insistuan se koha e tranzicionit të ndalimit të dinarit serb duhet të jetë përtej fundit të shkurtit, raporton Koha.net. Institucionet e Kosovës kanë nisur fushatën për informimin e serbëve mbi ndikimin që do të ketë rregullorja e re për pagesa me para të gatshme, dhe e cila e ndalon përdorimin e dinarit.

Banka Qendrore lansoi linjë telefonike pa pagesë. Sipas këtij institucioni, serbët mund të telefonojnë për t’u informuar për rregulloren që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka lëshuar në përdorim linjën PA PAGESË me qëllim të informimit sa më të thjeshte të qytetarëve nga komuniteti serb lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme. Qytetarët duke thirrur në numrin 0800 222-55 do të marrin përgjigje mbi këtë Rregullore dhe informata të përgjithshme. Po ashtu, mund të dërgojnë pyetje në e-mailin e dedikuar për to: [email protected]”, ka njoftuar BQK-ja.

Hyrja në fuqi e Rregullores së BQK-së, pa një fushatë të mirëfilltë informuese është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Të premten, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka përsëritur kërkesën që të aplikohet një periudhë më e gjatë e tranzicionit, përtej asaj njëmujore që e ka caktuar BQK-ja, në mënyrë që serbët të informohen më mirë.

Ai ka ngritur paralele me fushatën e zhvilluar nga Qeveria, para liberalizimit të vizave.

“Me fushatën e saj 4-mujore përpara liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës ka treguar se di të komunikojë siç duhet. Ne kemi nevojë për atë përsëri tani!” ka thënë ai.

Serbia ka kundërshtuar rregulloren e BQK-së dhe me iniciativë të saj, të enjten mbrëma Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka mbajtur mbledhje.

Aty Kosova u prezantua nga kryeministri Albin Kurti, i cili tha se nëse serbët pranuan targat me denominimin e Republikës së Kosovës, nuk kanë arsye ta pranojnë euron ku nuk figuron fare ky denominim.

Ai premtoi komunikim më të madh në lidhje me rregulloren e BQK-së.

“Do të bëj më shumë komunikim, më shumë informim për serbët në ditët vijuese përgjatë gjithë muajit. Do të flas në serbisht ashtu që të më kuptojnë ndoshta më mirë e më qartë. Sepse ne që kemi qenë nën okupimin e Serbisë e dimë gjuhën serbe, por ata nuk e kanë mësuar gjuhën tone”, u shpreh Kurti.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, euroja është valuta e vetme në Kosovë. Por, përcaktimi i saj edhe në rregulloren e BQK-së, ka nxitur reagime të shumta, pas pretendimeve se me hyrjen në fuqi të saj serbët do të mbesin pa mbështetjen financiare që ua ofron Serbia.