Komisioni i reformës zgjedhore, dëgjesa online me shoqërinë civile në Shqipëri

Në Tiranë, komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore zhvilloi sot një mbledhje të gjatë online, ku dëgjoi propozimet nga organizatat joqeveritare, që vëzhgojnë proceset zgjedhore, raporton VOA. Komisioni shmangu në këtë mënyrë tensionet në sallën e mbledhjeve, ku një grup deputetësh opozitarë pengojnë forcërisht zhvillimin normal të tyre.

Komisioni ka miratuar një kalendar pune dhe është angazhuar që brenda marsit të dorëzojë një raport me amendamente mbi përmirësimin e procesit zgjedhor, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Mbledhja e sotme online e komisionit të posaçëm të reformës zgjati mbi 4 orë, teksa u zhvilluan dëgjesa me 11 organizata të shoqërisë civile, të cilat kanë përvojë të gjatë në vëzhgimin e proceseve zgjedhore dhe në rekomandime përmirësuese mbi zgjedhjet.

Në dëgjesë sotme temat më të përmendura ishin votimi elektronik, shitblerja e votës, votimi i shqiptarëve me banim jashtë Shqipërisë, sistemet zgjedhore, por mbi të gjitha mbeti si shqetësim kryesor përdorja e burimeve shtetërore në fushatat zgjedhore nga shumica në pushtet.

“Ne mund të flasim për listat e hapura, votimin elektronik apo sistemet zgjedhore etj., të gjithë këto janë të cenueshme në rast se vazhdojmë të mos zbatojmë nenet e Kodit Zgjedhor që kufizojnë përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë”, tha mes të tjerash Erjon Tase, drejtuesi i Akademisë së Studimeve Politike.

Folën sot përfaqësues nga Koalicioni për Reforma dhe Integrim KRIIK, Shoqata për Kulturë Demokratike, Instituti i Studimeve Politike, Akademia e Studimeve Politike, Instituti Demokratik Ndërkombëtar, Lëvizja ShpresOn, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, si dhe organizatat Qëndresa Qytetare, Drejtësia Sociale, Shqipëria Bëhet, dhe Rrjeti për Barazi në Vendimmarrje.

Komisioni i reformës zgjedhore rinisi punën pas një heshtje të gjatë dhe ka premtuar se do të kryejë detyrat deri në fund të muajit mars.

Mbledhjet online u panë si rrugëdalje përballë protestave nga një grup deputetësh opozitarë, të cilët akuzojnë komisionin për pasivitet dhe përfaqësim të pasaktë të opozitës në të, ndaj kanë penguar disa herë mbledhjen e tij në sallën e zakonshme.

Në mbledhjen e sotme nuk mbetën jashtë vëmendjes edhe një seri rekomandimesh sa i takon barazisë gjinore në veprimtarinë politike dhe vendimmarje, edhe ky një tjetër shqetësim kryesor i veprimtarëve, të cilët kërkuan krahas kuotave të përfaqësim edhe kuota në financa kushtuar kandidateve gra e vajza.

“Gratë dhe vajzat anë patur zero akses në financat publike të partive politike. Ne sugjerojmë që Kodi Zgjedhor dhe në akte nënligjore, edhe ligji për partitë politike të parashikojë një mekanizëm që të garantojë akses të barabartë të grave dhe vajzave, ose një akses në përqindje, në financat publike të partive politike”, thotë Edlira Çepani, drejtuese e Rrjetit për Barazi në Vendimmarrje.

Ndërsa një grup deputetësh opozitarë po kërkojnë ndryshimin e përbërjes së komisionit dhe të bashkëkryetarit nga Partia Demokratike, veprimtaria e këtij komisioni është vendosur në qendër të vëmendjes për shkak edhe të skadimit të disa afateve ligjore që kanë të bëjnë me garantimin e votimit të diasporës dhe shqiptarëve me banim jashtë vendit.

Këta të fundit përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të listave të votuesve, jozyrtarisht mendohet se janë afro 1/3, si dhe janë arsyeja pse pjesëmarrja në zgjedhje del formalisht e ulët në statistika. Komisioni bëri sot të ditur se do të zhvillojë dëgjesa edhe me partitë politike jashtëparlamentare, si dhe me përfaqësues të diasporës.

Të dy këto grupime kanë kërkuar të shprehin pikëpamjet e tyre mbi proceset zgjedhore. Ndërsa shprehu gatishmërinë për të ndihmuar, OSBE/ ODIHR u bëri thirrje partive politike të kryejnë një reformë gjithëpërfshirëse me konsultime të hapura në përmirësimin e proceseve zgjedhore bazuar në gjetjet dhe rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.