Vërshimet dëmtuan Shkupin dhe Kumanovën, autoritetet me apele që qytetarët t’i raportojnë dëmet

Reshjet e shiut gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar dëme në disa lokacione në mbarë vendin, ndërsa dëme më të mëdha janë regjistruar në Shkup dhe Kumanovë. Autoritetet shtetërore shpesh u bëjnë thirrje qytetarëve që të paraqesin kërkesa dhe të raportojnë dëmet e shkaktuara nga vërshimet, por ndihma dhe kompensimi zakonisht zvarritet me vite, shkruan Portalb.mk. 

Pas reshjeve të dendura të shiut që përfshinë Kumanovën dje pasdite, në disa lokacione u regjistrua depërtim i ujit në objekte banimi dhe afariste, duke shkaktuar dëme materiale.

Reshjet më të mëdha në 24 orët e fundit janë shënuar në disa pjesë të rajonit të Shkupit, 74 litra për metër katror janë matur në disa pjesë të Shkupit. Deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm në Kumanovë janë regjistruar 32 litra për metër katror.

Në Kumanovë sipas Qendrës Rajonale për Menaxhimin e Krizave, në rrugën “Mosha Pijade” u përmbytën hapësira në bodrume që shfrytëzohen për banim dhe u shkaktuan dëme materiale. Uji ka hyrë gjithashtu në ndërtesa në rrugën Veselin Maslesha, si dhe në ndërtesën e biznesit Komodita në rrugën Goce Delçev. Përmbytje u raportuan edhe në rrugën JNA, pranë Qendrës Tregtare La Plaza.  Në bulevardin “Revolucioni i Tetorit”, pranë Bankës NLB, u raportua depërtim i ujit në bodrume, ndërsa raste të ngjashme u regjistruan edhe në rrugën “Bajram Shabani”. Uji, me thellësi rreth një metër, përmbyti një objekt në bulevardin “Brigada e tretë maqedonase”, ndërsa depërtim i ujit në hapësira të tjera u raportua edhe në rrugët “Veselin Maslesha”, “Goce Delçev” dhe “11 tetori”. 

Ekipet e Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve të Kumanovës, Ndërmarrjes Publike “Pastërti dhe Gjelbërim”, Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi”, Qendrës Operative të Kumanovës dhe EVN-së kryen pompimin e ujit, pastrimin e lokacioneve të prekura dhe ndërmorën të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e situatës, njoftojnë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave. 

Gjithashtu, vërshime nga reshjet e shiut janë regjistruar edhe në Shkup. Dëme materiale janë raportuar në komunat e Çairit, në lagjet Serovë, rrugën Xhon Kenedi në komunat e Aerodromit dhe Qendrës, si dhe në disa pjesë të tjera të qytetit. Përmbytjet kanë shkaktuar dëme si te qytetarët dhe banorët, ashtu edhe te bizneset, ndërsa në disa lokacione kanë mbetur edhe vetura të ngecura nga uji.

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ai ka shkruar se të gjithë ata që kanë pësuar dëme nga reshjet e dendura të shiut duhet të paraqesin kërkesë deri te Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësia natyrore.

“Komuna e Kumanovës i njofton qytetarët që kanë pësuar dëme nga reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së djeshme (02.07.2026), që të paraqesin kërkesë pranë Komisionit për vlerësimin e vlerës së dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, në arkivin e Komunës së Kumanovës, më së voni deri më 10.07.2026 (e premte). Në bashkëngjitje të kërkesës, është e nevojshme të dorëzohet dokumentacioni i mëposhtëm: Kopje e dokumentit personal (letërnjoftim) për personat fizikë, ose vendim/gjendje aktuale nga Regjistri Qendror për subjektet juridike, pronarët e pronës, kopje e fletës së pronësisë për objektet që kanë pësuar dëmtime nga përmbytjet, kopje e llogarisë bankare të pronarit. Nëse dokumentacioni i nevojshëm nuk dorëzohet gjatë paraqitjes së kërkesës, përfaqësuesit e Komisionit do t’i informojnë kërkuesit për plotësimin e tij gjatë inspektimit në terren”, ka shkruar Dimitrievski.

Edhe koordinatori i grupit të këshilltarëve të AKI-së në Qytetin e Shkupit, Abdulselam Selami, u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin dëmet e shkaktuara nga shiu në komunën të cilën ata jetojnë. Ai ka thënë se komunat detyrohen të shqyrtojnë çdo kërkesë të paraqitur për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

“Nëse keni pësuar dëme nga reshjet e shiut, fotografoni ose incizoni dëmet dhe paraqitni një kërkesë për dëmshpërblim në komunën ku banoni! Mos harroni të bashkëngjitni fotografitë, videot dhe çdo dokument që dëshmon dëmin! Çdo komunë ka detyrim të pranojë dhe të shqyrtojë kërkesat e qytetarëve të saj, në përputhje me procedurat ligjore, pasi të gjithë kontribuojmë përmes detyrimeve komunale! Mos hezitoni t’i ushtroni të drejtat tuaj”, ka shkruar Selami.

Ndryshe, autoritetet shtetërore zakonisht bëjnë thirrje për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, por ky proces shpesh vonohet ose nuk arrin aspak te qytetarët dhe te kategoritë më të prekura, zakonisht te bujqit. Situatë të ngjashme ka pasur edhe në qershorin e vitit të kaluar, kur reshjet e rrëmbyeshme të shiut shkaktuan dëme të mëdha në fshatrat e Komunës së Likovës. Shirat e dendur përmbytën rrugët dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme në të mbjellat bujqësore. E njëjta situatë u regjistruaa edhe në Tetovë, ku vërshimet e vitit 2024 shkaktuan dëme të mëdha në të mbjellat bujqësore, ndërsa kompensimi u zvarrit.