Ngrohja qendrore do të shtrenjtohet nga 1 dhjetori, ndërsa rryma mbetet në pritje
Nga 1 dhjetori, çmimi i ngrohjes qendrore do të rritet mesatarisht për rreth 130 denarë. Qytetarët që deri tani paguanin rreth 2.200 denarë, në të ardhmen do të paguajnë afërsisht 2.330 denarë. Vendimi u mor nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime Ujore dhe Shërbime të Mbeturinave Komunale (KRRE), transmeton Portalb.mk.
Sa do të paguajnë amvisëritë?
Çmimi i energjisë termike për amvisëritë që furnizohen nga sistemi më i madh (ESM Distribuimi, ESM Furnizimi dhe ESM Prodhimi) rritet mesatarisht për 5,9%. Për konsumatorët e ESM Energetika, rritja është 7,6%, ndërsa për Shkup Veri – Energy Eco Link çmimi rritet për 7,7%.
“Këto muaj është e nevojshme të bëhet planifikim strategjik afatgjatë dhe një sanim serioz i rrjetit të ngrohjes. Këto investime do të përmirësojnë cilësinë e furnizimit dhe do të mundësojnë zgjerimin e rrjetit,” deklaroi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski. Sipas tij, ngrohja qendrore mbetet zgjidhja më ekonomike.
Analizat tregojnë se nëse të gjithë konsumatorët e shkëputur nga sistemi rikthehen dhe lidhen sërish, faturat do të mund të uleshin deri në 10%. Aktualisht, rreth 65.000 konsumatorë furnizohen me energji termike.
A do të shtrenjtohet edhe energjia elektrike nga janari?
KRRE ende nuk ka marrë vendim nëse nga 1 janari do të ketë ndryshim në çmimin e energjisë elektrike.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria do të vazhdojë të subvencionojë faturat e energjisë elektrike për amvisëritë dhe të gjithë konsumatorët e tregut të rregulluar. Ai theksoi se liberalizimi i tregut nuk do të zbatohet, për të shmangur një tronditje të madhe të çmimeve.
“Edhe pse më herët si Qeveri u kritikuam nga BE-ja dhe nga një pjesë e opinionit se nuk do ta zbatojmë hapin e paraparë në Planin për Rritje, liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, nëse do ta zbatonim, çmimi nuk do të ishte 62–65 euro, por mbi 100 euro për amvisëritë, që do të nënkuptonte një rritje prej 50%,” deklaroi kryeministri.
Ndërmarrja shtetërore ESM ka propozuar çmim prej 65 euro për megavat orë, që është 3 euro më shumë se vitin e kaluar, por ende dukshëm më pak se çmimi aktual i tregut, i cili është mbi 100 euro. Diferencën do ta mbulojë Qeveria, me qëllim që qytetarët të mos përballen me shtrenjtim të madh.