Ngjarjet e errëta të gushtit në RMV: Mungesa e prokurorëve, rreziqet në financimin e partive dhe furnizimet në ‘Pellagonia’

Mungesa e prokurorëve publikë, rreziqet e konstatuara në dispozitat ligjore për financimin e partive politike, parregullsitë në punën e konviktit studentor ‘Pellagonia’ dhe zyrtarët që nuk e kanë deklaruar pasurinë janë ndër ngjarjet ‘e errëta’ që Transparency International-Maqedonia i veçon në Barometrin e korrupsionit për gushtin e vitit 2026, transmeton Portalb.mk.

Sipas pasqyrës së publikuar ‘E qartë – E errët’, Prokuroria Publike gjatë vitit 2025 ka punuar me 67 prokurorë më pak sesa numri i paraparë.

Veçanërisht problematike paraqitet gjendja në prokuroritë më të vogla. Berova, Dellçeva dhe Sveti Nikolla për disa vite kanë funksionuar pa prokuror publik themelor, ndërsa në disa prokurori ka punuar vetëm nga një prokuror.

Në të njëjtën kohë, theksohet edhe mungesa e gjyqtarëve dhe ngecja e trajnimit të kuadrove të reja gjyqësore përmes Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.

Ndër ngjarjet ‘e errëta’ është përfshirë edhe paralajmërimi i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për rreziqe korruptive në disa dispozita të Ligjit për Financimin e Partive Politike.

Në pasqyrën e gushtit janë përfshirë edhe gjetjet e Entit Shtetëror të Revizionit për punën e Konviktit Shtetëror Studentor ‘Pellagonia’ në Shkup.

Si ngjarje ‘e errët’ veçohet edhe ndëshkimi i 94 personave të zgjedhur dhe të emëruar të cilët nuk e kanë dorëzuar deklaratën për gjendjen pasurore dhe interesat brenda afatit të paraparë me ligj.

Në pjesën pozitive, përkatësisht të barometrit është veçuar aktakuza për keqpërdorimet e pretenduara Lotarinë Shtetërore.

Si shembull pozitiv është përmendur edhe platforma Kriminal.mk, e cila i përpunon dhe i paraqet përmes grafikëve të dhënat nga buletinet ditore të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndryshe, ‘E qartë – E errët’ është aktivitet i rregullt mujor i Transparency International-Maqedonia, përmes të cilit organizata monitoron raste dhe procedura që lidhen me sjellje korruptive, por edhe aktivitetet e institucioneve në luftën kundër korrupsionit.