RMV, 94 funksionarë të gjobitur me nga 300 euro për mosdeklarim të pasurisë
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit më 29 korrik ka shqiptuar 94 gjoba prej nga 300 euro për persona të zgjedhur dhe të emëruar, të cilët brenda afatit të paraparë me ligj nuk kanë dorëzuar deklaratë për gjendjen e pasurisë dhe interesave, transmeto Portalb.mk nga a1on.mk.
Vlera e përgjithshme e gjobave të shqiptuara është 28.200 euro.
Midis të gjobiturve ka ish-kryetarë komunash, drejtorë të ndërmarrjeve publike, këshilltarë komunalë, drejtorë institucionesh, anëtarë të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, gjykatës dhe persona të tjerë të zgjedhur e të emëruar.
Ndër emrat më të njohur është Kostadin Kostadinov, i cili është gjobitur pas përfundimit të funksionit kryetar i Komunës së Strumicës, si dhe Aleksandar Stojkoski, i gjobitur pas përfundimit të funksionit kryetar i Komunës së Gjorçe Petrovit. Me gjobë është ndëshkuar edhe Alija Jaoski pas përfundimit të funksionit kryetar i Komunës së Pllasnicës.
Në listë është edhe Vase Ristov, i cili nuk ka dorëzuar deklaratë pas përfundimit të funksionit drejtor i përgjithshëm i Operës dhe Baletit të Maqedonisë.
Dragi Kushovski shfaqet dy herë në listë. Njëra gjobë prej 300 eurosh i është shqiptuar pas zgjedhjes si drejtor i NTP Shkup, ndërsa e dytë pas përfundimit të funksionit. Kjo do të thotë se në të dyja raste të veçanta nuk e ka dorëzuar deklaratën brenda afatit ligjor.
Dy herë është gjobitur edhe Nenad Josevski në lidhje me funksionin e U.D. drejtor i NP “Drislla” – Shkup. Njëra gjobë i referohet zgjedhjes në funksion, ndërsa tjetra përfundimit të funksionit.
Edhe Darko Jangellov ka dy gjoba të veçanta – një pas emërimit si sekretar i Komunës së Vinicës dhe një pas përfundimit të funksionit.
Mes të gjobiturve është edhe Luke Galeski, pas zgjedhjes anëtar i Këshillit të Qytetit të Shkupit, si dhe Martin Stojanovski, pas zgjedhjes si deputet në Kuvend.
Gjobë kanë marrë edhe Elena Pagovska Pelltekovski, pas zgjedhjes si anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, Katarina Mirçovska, pas emërimit si drejtoreshë e ISHP Spitali i Përgjithshëm me veprimtari të zgjeruar Koçan, si dhe Dragi Kushovski, Nenad Josevski dhe Ivana Trajkoska, të lidhur me funksione drejtuese në ndërmarrjet publike në Shkup.
Pjesa më e madhe e 94 rasteve u referohen këshilltarëve komunalë. Në listë ka këshilltarë nga Kumanova, Zhelina, Gazi Baba, Tearca, Dibra, Ohri, Strumica, Çashka, Gostivari, Radovishi, Debarca, Sopishtja, Novaci, Demir Kapia dhe komuna të tjera.
Arsyeja e gjobave, sipas të dhënave të publikuara nga KSHPK, nuk është konstatimi i zotërimit të pasurisë së “fshehur”, por mosrespektim i obligimit për të dorëzuar me kohë deklaratën për gjendjen e pasurisë dhe interesave. Te disa persona obligimi është paraqitur pas zgjedhjes apo emërimit në funksion, ndërsa te të tjerët pas përfundimit të funksionit.
Në disa raste, i njëjti person është gjobitur dy herë me nga 300 euro – një herë gjatë marrjes së funksionit dhe sërish pas përfundimit të tij.
KSHPK në publikim thekson edhe raste të papajtueshmërisë së funksioneve, përkatësisht persona që njëkohësisht kanë ushtruar dy funksione për të cilat ekziston ndalesë ligjore, me ç’rast edhe për këto shkelje janë shqiptuar gjoba prej nga 300 euro.
Lista e plotë e KSHPK-së: Informata për gjoba të shqiptuara – për vitin 2025 dhe 2026