Revizioni konstatoi parregullsi serioze në konviktin studentor “Pellagonija”, buka blihej me çmim prej 126 denarësh
Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar parregullsi serioze në funksionimin e Konviktit Shtetëror Studentor “Pelagonija” gjatë vitit 2024. Auditorët kanë konstatuar kontrolle të dobëta të brendshme, prokurime me çmime më të larta se ato të tregut dhe pagesa pa dokumentacion përkatës, transmeton Portalb.mk.
Veçanërisht është veçuar prokurimi i bukës, ku në vitin 2025 çmimi kishte arritur në 126 denarë për kilogram. Gjithashtu është konstatuar se ishin blerë 250 dyshekë për 1.17 milionë denarë, të cilët nuk përputheshin me specifikimet dhe nuk ishin vënë në përdorim.
Auditorët theksojnë gjithashtu se për mirëmbajtjen dhe servisimin e pajisjeve ishin shpenzuar 1.2 milionë denarë, pa dëshmi të plota se një pjesë e shërbimeve ishin kryer.
Në konvikt nuk ishin evidentuar mjete të përhershme dhe pajisje në vlerë prej 21.5 milionë denarësh, ndërsa nuk ishte evidentuar as një kërkesë në vlerë prej 1.1 milionë denarësh, e cila rridhte nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.
Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë rekomandime për përmirësimin e kontrolleve, prokurimeve publike dhe menaxhimit financiar, me qëllim parandalimin e përdorimit të papërshtatshëm dhe joekonomik të mjeteve publike.
Kujtojmë se në raportin paraprak, Revizioni ka konstatuar se te Fondi për Sigurim Shëndetësor edhe më tej ekzistojnë mospërputhje në mënyrën e sigurimit dhe monitorimit të efikasitetit të trajtimit jashtë vendit, në mënyrën e financimit/blerjes së shërbimeve nga Institucionet Shëndetësore Publike dhe në përditësimin e çmimeve referente për shërbimet shëndetësore dhe të Listës së barnave që mbulohen nga Fondi.