Vazhdon skandali me librin e Gjeografisë në Maqedoninë e Veriut: Nxënësit mësojnë për Kosovën sipas narrativës serbe

 

Nxënësit e klasës së shtatë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mësojnë nga libri i Gjeografisë i cili përmban pasaktësi. Autorët, Rrafshin e Dukagjinit e kanë emëruar “Metohi”, ndërsa Kosova paraqitet si territor që “gjendet në jugperëndim të Serbisë, formulime të cilat përdoren nga Serbia dhe që nuk përkojnë me realitetin. Ministria dhe Byroja e Arsimit heshtin, shkruan Portalb.mk.

Në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë, rrafshit të Dukagjinit, libri i referohet si Metohija, terminologji e cila përdoret nga Serbia për Kosovën, duke u lidhur me pretendimet territoriale serbe mbi sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Relievi përbëhet nga luginat e Fushë Kosovës, në pjesën qendrore dhe lindore dhe Metohija në pjesën perëndimore“, shkruhet në librin e Gjeografisë.

Libri i Gjeografisë për klasën e VII. Foto: Zenel Miftari/Portalb.mk
Libri i Gjeografisë për klasën e VII. Foto: Zenel Miftari/Portalb.mk

Përveç përdorimit të termit “Metohi”, teksti e trajton Kosovën duke përdorur Serbinë si referencë gjeografike, duke theksuar se Kosova “gjendet në jugperëndim të Serbisë”.

Mësuesi i gjeografisë A.M. për Portalb.mk thotë se tekstet e tilla me gabime duhet të largohen nga përdorimi sepse i mësojnë gabim nxënësit.

“Në rastin e Kosovës, është problematike që Serbia të merret si qendër reference, pasi kjo nuk pasqyron realitetin politik aktual dhe mund të krijojë një perceptim të gabuar te nxënësit. Po ashtu, përdorimi i termit ‘Metohija’ për Rrafshin e Dukagjinit, pa një sqarim të duhur të kontekstit, është një çështje që duhet të rishikohet dhe të mbajnë përgjegjësi ata që kanë lejuar të ndodhë kjo. Prandaj, përgjegjësia e autorëve, recensentëve dhe institucioneve që miratojnë tekstet shkollore është që informacioni të jetë sa më objektiv, i saktë dhe në përputhje me realitetin”, tha ai.

Portalb.mk, ka kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) si dhe Byronë e Zhvillimit të Arsimit (BZHA), por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup dhe miratuar me vendim zyrtar nga Komisioni Kombëtar për Libra Mësimore më 5 gusht 2025. Libri është i përgatitur nga autori Bllagoja Markoski, me recensentë Dragan Kollçakovski, Nikolla V. Dimitrov dhe Nevenka Stoeva, i përkthyer në gjuhën shqipe nga Roland Poloska dhe i lekturuar nga Farketa Dibra Zeqiri, ku u vu në përdorim në vitin shkollor 2025/2026.

Libri i Gjeografisë për klasën e VII. Foto: Zenel Miftari/Portalb.mk
Libri i Gjeografisë për klasën e VII. Foto: Zenel Miftari/Portalb.mk

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2025, ish-zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, kishte kërkuar korrigjimin e gabimeve të evidentuara në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë. Megjithatë, sot, një vit më vonë, të njëjtat përmbajtje vazhdojnë të ngrenë shqetësime.

Kjo nuk është hera e parë ku në librat shkollor ka përmbajtje të papërshtatshme, fyese apo të pavërteta. Gjatë vitit 2021 u identifikua se një prej librave me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve ishte Gjeografia për vitin e dytë në gjimnaz.

Se procesi arsimor në Maqedoninë e Veriut “vlon” nga tekste shkollore të papërshtatshme, në raste edhe me përmbajtje diskriminuese dëshmojnë edhe analizat e ndryshme të instituteve shkencore dhe analitike.

Kohë më parë, Westminster Foundation for Democracy, organizatë britanike në RMV, doli me një broshurë që bazohet në analizën e programeve mësimore, si dhe në dhjetë intervista me mësues të shkollave të mesme dhe profesionistë nga administrata arsimore dhe tre fokus grupe me nxënës. Nga gjetjet kryesore rezulton se programet mësimore dhe tekstet shkollore janë kryesisht të papërshtatshme dhe të vjetruara, prandaj mësimdhënësit shpesh japin mësim me ndihmën e materialeve mësimore shtesë (prezantime, fletë mësimore, materiale të diktuara, etj.).

Portalb.mk në vazhdimësi ka trajtuar çështjen e teksteve shkollore me përmbajtje jo adekuate dhe plot gabime. Nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mësojnë me gabimet skandaloze që hasen në tekstet e tanishme shkollore, dhe që janë të natyrës së ndryshme, duke filluar nga gabimet gjuhësore, konceptuale e deri te fyerjet.