Nga përvoja personale tek inovacioni, Diana Sherifi Aliji krijoi aplikacionin ‘Mama’s Feelings Tracker: vend ku nënat mund të ndajnë emocionet
Në një botë ku teknologjia po ndihmon çdo ditë në lehtësimin e jetës sonë, Diana Sherifi Aliji, inxhiniere softuerike dhe nënë, vendosi ta përdorë atë për të adresuar një prej temave më pak të trajtuara: shëndetin emocional të nënave. Nga përvoja e saj personale, ajo krijoi aplikacionin “Mama’s Feelings Tracker”, një hapësirë digjitale ku nënat mund të ndajnë emocionet, të gjejnë mbështetje praktike dhe të kujdesen për mirëqenien e tyre mendore. Në këtë intervistë për Portalb.mk, Diana rrëfeu idenë, sfidat dhe mesazhin e saj frymëzues për gratë e reja që duan të hyjnë në botën e IT-së. Këtu mund ta gjeni linkun ku mund ta zbritni aplikacionin: www.mamasfeelingstracker.com.
Portalb.mk: Si lindi ideja për të krijuar aplikacionin “Mama’s Feelings Tracker”?
Diana Sherifi Aliji: Ideja lindi nga përvoja ime personale si nënë e re. E kuptova sa e vështirë është të përballesh me ndryshimet emocionale që sjell periudha pas lindjes dhe fazat e para të rritjes së fëmijës. Më mungonte një hapësirë ku mund të shprehja ndjenjat, emocionet e mija, ti analizoja dhe të merrja mbështetje praktike. Kështu u krijua koncepti për një aplikacion që do tu japë nënave një hapësirë të ngrohtë, mbështetëse dhe profesionale.
Portalb.mk: Çfarë problematikash të nënave kishit për qëllim të adresonit me këtë aplikacion?
Diana Sherifi Aliji: Shumë nëna ndihen të lodhura, të mbingarkuara, sidomos në fillim, dhe shumë herë ndjenjat e tyre anashkalohen dhe paragjykohen. Ideja ishte të kenë një hapësirë ku mund të shprehen lirshëm, pa u paragjykuar, ti ndihmoj të kuptojnë më mirë ndjenjat e tyre, dhe të kenë një mjet që i orienton drejt kujdesit për veten.
Portalb.mk: Si funksionon në praktikë aplikacioni dhe çfarë veçorish ofron?
Diana Sherifi Aliji: Në praktikë funksionon shumë thjeshtë: çdo ditë nëna mund të shprehë se si ndihet duke zgjedhur një emocion nga një listë të krijuar posaçërisht për të, mund të shtojë dhe një shënim se çfarë e ka bërë të përjetojë atë ndjenjë. Menjëherë pas kësaj, aplikacioni të jep sugjerime të thjeshta, praktike dhe të bazuara në shkencë, të cilat përshtaten me emocionin që ke shprehur dhe me fazën e mëmësisë në të cilën ndodhesh.
Në aplikacion ka ushtrime praktike për qetësi mendore, si: ushtrime për frymëmarrje, ditar, meditim, relaksim i muskujve. Përveç kësaj nënat mund të shohin rrugëtimin e tyre emocional përmes grafikave vizuale dhe të lexojnë artikuj nga psikologë të liçencuar amerikan mbi fazën e paslindjes, periudhën e fëmijrisë së hershme, dhe fëmijëve neurodivergjent.
Portalb.mk: A keni menduar të shtoni opsione të personalizuara sipas nevojave individuale të përdouesve?
Diana Sherifi Aliji: Po. Nënat mund të zgjedhin fazën në të cilën ndodhen: Periudha e paslindjes, faza e fëmijërisë së hershme, dhe nënë me fëmijë neurodivergjent. Pastaj përmbajtja e sugjerimeve përshtatet sipas zgjedhjes.
Portalb.mk: Cilat ishin sfidat kryesore teknike gjatë zhvillimit dhe cilat teknologji apo platforma përdorët?
Diana Sherifi Aliji: Aplikacionin e kam ndërtuar nga e para, krejtësisht vetë. Sfida më e madhe ishte ta bëja të qëndrueshëm dhe të lehtë për përdorim, ndërkohë, që punova edhe me teknologji që nuk i kisha përdorur më parë, për ta sfiduar veten dhe për të mësuar më shumë. Kam përdorur React Native me Expo për ta ndërtuar në të dy platformat, si dhe Firebase për ruajtjen e të dhënave.
Portalb.mk: A është aplikacioni ndërtuar për Android/iOS apo në formë multiplatforme?
Diana Sherifi Aliji: Është multiplatformë, pra funksionon në iOS dhe Android.
Portalb.mk: Sa i sigurt është aplikacioni për të dhënat personale?
Diana Sherifi Aliji: Siguria është prioritet. Të dhënat ruhen të enkriptuara dhe çdo përdorues sheh vetëm të dhënat e saj. Asgjë nuk shpërndahet pa lejen e tyre.
Portalb.mk: A keni bashkëpunuar me psikologë, mjekë apo organizata për ta bërë më të besueshëm aplikacionin?
Diana Sherifi Aliji: Po, kam bashkëpunuar me psikologë të liçencuar amerikanë që kanë dhënë një kontribut me artikuj dhe përmbajtje profesionale. Disa prej tyre tashmë e rekomandojnë dhe e promovojnë aplikacionin edhe te klientët e tyre, gjë që për mua është një konfirmim i vlerës dhe besueshmërisë.
Portalb.mk: Çfarë reagimesh keni marrë deri tani nga nënat që e kanë përdorur dhe si mendoni se ndihmon në shëndetin e tyre mendor?
Diana Sherifi Aliji: Edhe pse aplikacioni është ende në fillimet e tij, shumë nëna më kanë kontaktuar dhe reagimet kanë qenë shumë pozitive, thonë se ndihen shumë lirshëm të shprehin çdo emocion, ndihen më të kuptuara, më të qeta dhe më të vetëdijshme për emocionet e tyre.
Portalb.mk: Cilat janë planet e ardhshme për zhvillimin e aplikacionit dhe a synoni të krijoni edhe aplikacione të ngjashme për kategori të tjera?
Diana Sherifi Aliji: Do të qëndroj gjithmonë tek mbështetja emocionale e nënave, por dua të zgjeroj opsionet për fazën e mëmësise në faza të ndryshme, nga fëmijët e vegjël deri tek adoleshentët. Poashtu planifikoj të shtoj më shumë ushtrime mendore. Në të ardhmen, kur të kem një bazë më të fortë përdoruesesh, dua të shtoj edhe mundësinë e konsultimeve me psikologë përmes aplikacionit.
Portalb.mk: Si e shihni rolin e grave në fushën e IT-së në RMV, cilat janë sfidat dhe mundësitë sipas jush?
Diana Sherifi Aliji: Roli i grave në IT çdo vit është në rritje, por ende ka sfida si mungesa e mbështetjes dhe stereotipet gjinore. Por, mundësitë janë të mëdha sepse kjo fushë nuk njeh kufij gjinorë, njeh aftësi dhe pasion.
Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj deri te vajzat e reja dhe gratë?
Diana Sherifi Aliji: Mesazhi im është: mos keni frikë të ndiqni ëndrrat tuaja, edhe në fusha që duken të vështira. Teknologjia është një mjet i fuqishëm për të sjellë ndryshim në jetën e njerëzve dhe çdo vajzë ka potencialin ta bëjë këtë.
Për nënat, dua të them se edhe pse shpesh ndihen të lodhura dhe të mbingarkuara, ato janë shembulli më i mirë i forcës dhe krijimtarisë. Nënat meritojnë jo vetëm të kujdesen për fëmijët e tyre, por edhe të gjejnë hapësirë për veten dhe ëndrrat e tyre.