Nga ndalimi i rrjeteve sociale te zemërimi masiv: Protestuesit dogjën ndërtesa qeveritare në Nepal, ka viktima e të plagosur

Nepali po përjeton trazira të konsiderueshme civile, me protestues që sulmojnë ndërtesat qeveritare dhe u vënë flakën shtëpive të politikanëve. Të quajtura protestat e ‘Gjeneratës Z’ ose GenZ, ato u nxitën nga një goditje qeveritare ndaj platformave të mediave sociale, të cilën qeveria më vonë e hoqi raporton Abc.net.au, transmeton Portalb.mk.

Por demonstruesit thanë se kjo shkoi përtej një ndalimi të mediave sociale.

Çfarë po ndodh në Nepal?

Këtë javë në Nepal ka pasur protesta të nxehta që përfshijnë dhjetëra mijëra njerëz.

Ndërsa trazirat u përqendruan rreth ndërtesave politike në kryeqytetin e vendit, Katmandu, demonstrata u mbajtën edhe në Itahari, Biratnagar, Bharatpur dhe Pokhara.

Në Katmandu, disa demonstrues i vunë flakën ndërtesave qeveritare – përfshirë kompleksin Singha Durbar, ku ndodhet zyra e kryeministrit nepalez – dhe shtëpive të politikanëve.

Mediat lokale than; se disa ministra ishin transportuar në vende të sigurta me helikopterë ushtarakë.

Videoja e shpërndarë në mediat sociale tregonte protestuesit duke sulmuar kreun e partisë së Kongresit nepalez, Sher Bahadur Deuba, dhe gruan e tij, Arzu Rana Deuba, ministren aktuale të jashtme.

Nepal protesta. Foto printscreen nga video në rrjetin X
Nepal protesta. Foto printscreen nga video në rrjetin X

Si janë zhvilluar protestat?

Të hënën, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Katmandu, me policinë që qëlloi me gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj protestuesve që përpiqeshin të sulmonin parlamentin.

Agjencitë e lajmeve raportuan se 19 persona vdiqën – dy prej tyre në qytetin jugor të Itaharit – dhe më shumë se 100 u plagosën.

Qeveria më vonë hoqi ndalimin e mediave sociale, por kjo duket se pati pak efekt në trazira.

Të martën, protestuesit u mblodhën përsëri para parlamentit dhe vendeve të tjera në kryeqytetin Katmandu, duke sfiduar shtetrrethimin.

Pastaj erdhi njoftimi se kryeministri i Nepalit, Khadga Prasad Oli, kishte dhënë dorëheqjen — por protestat vazhduan.

“Ajo që filloi si festime u shndërrua shpejt në dhunë”, tha korrespondentja e Azisë Jugore, Meghna Bali.

“Turmat hynë me forcë nëpër portat e parlamentit, sulmuan ndërtesën dhe i vunë flakën disa pjesëve të saj”.

Për çfarë po protestojnë në Nepal?

Demonstratat janë quajtur “protesta e Gjeneratës Z”, duke përfshirë një kombinim çështjesh, duke përfshirë:

  • Ndalimin e mediave sociale
  • Rregullimin e mediave sociale
  • Korrupsionin
  • Pabarazinë midis politikanëve të pasur dhe të varfërve
  • Mungesën e mundësive ekonomike për të rinjtë

Protestat filluan në përgjigje të ndalimit të disa platformave të mediave sociale nga qeveria javën e kaluar, si dhe përpjekjes së saj më të gjerë për të rregulluar mediat sociale.

Qeveria e Nepalit ka ndjekur një projektligj që synon të sigurojë që rreth dy duzina platforma të mediave sociale të “menaxhohen siç duhet, të jenë përgjegjëse dhe llogaridhënëse”.

Ndërsa qeveria tha se kishte të bënte me goditjen ndaj krimit kibernetik dhe përhapjen e urrejtjes, ai është kritikuar gjerësisht si një mjet për censurë dhe ndëshkimin e kundërshtarëve.

Kjo ndodhi në një kohë pakënaqësie në rritje midis vendasve ndaj qeverisë.

Në javët para të protestave, aktivistët kishin vënë në qendër të vëmendjes stilin e jetesës luksoze të fëmijëve të politikanëve, duke theksuar pabarazitë midis të pasurve dhe të varfërve të Nepalit.

Protestuesit i kritikuan ata për shfaqjen e pasurive të tyre luksoze në një vend ku të ardhurat për frymë janë 1,400 dollarë në vit.

Për më tepër, ka pasur kritika të gjera për dështimin e qeverisë për të ndjekur disa raste të mëdha korrupsioni.

Protestuesit thonë gjithashtu se qeveria ka dështuar të krijojë më shumë mundësi ekonomike për të rinjtë – shkalla e papunësisë së të rinjve në Nepal ishte 20 përqind vitin e kaluar, sipas Bankës Botërore.