Nga kuzhinat popullore te ushqimi i thatë, si shpenzohen 1,5 milionë euro në RMV?

Bukë, pate, lëng dhe një ëmbëlsirë, kjo është dreka që të mërkurën e kaluar iu nda personave që ushqehen në të ashtuquajturat kuzhina popullore në Shkup. Në të nëntë pikat ku shpërndahet ushqimi në të gjithë kryeqytetin u ndanë gjithsej 978 vaktesh të tilla. Shteti paguan nga 239 denarë për secilin vakt, kaq është caktuar në tenderin me të cilin ato përgatiten dhe shpërndahen për personat në rrezik social, i cili përndryshe parasheh ushqim të gatuar gjatë javës dhe pako me ushqim të premteve,  për ditët e fundjavës, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

E përderisa nga kompania që e realizon tenderin pretendojnë se kanë ndarë ushqim të thatë në mes të javës për shkak të një incidenti të papritur dhe se e respektojnë kontratën në detaje, vizitat në pikat e shpërndarjes së ushqimit në Shkup tregojnë se ajo që është shkruar në letër nuk është e njëjtë me ushqimin që në të vërtetë u ndahet qytetarëve në rrezik social.

Ka devijime në meny, ushqimi është i ftohtë, shpesh i shtrenjtë dhe praktikisht shpërndahet në rrugë, një koncept i ndryshëm nga ideja e kuzhinave popullore, me të cilat qytetarët më të varfër duhet të marrin një vakt të mirë e të ngrohtë në ditë dhe të fitojnë ndjesinë se dikush kujdeset edhe për ta.

Këtë e tregoi edhe vizita e BIRN në disa nga pikat ku shpërndahet ushqimi, si dhe hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ), ku ata kontrolluan në detaje se si realizohen disa tenderë, në mesin e të cilave edhe ai për kuzhinën popullore.

“Bëhet fjalë për një tender që është shumë i vlefshëm nga aspekti financiar, 1,5 milion euro në vit, dhe ky është një prokurim që prek një grup vërtet të cenueshëm të qytetarëve. Nga këtu buron interesi ynë për të parë se sa efektivisht realizohet dhe si u shpërndahet ushqimi personave në rrezik social”, shpjegon Sabina Fakiq nga QKQ.

Dhe kishte se ç’të shihnin – në vend se në kuzhinat popullore, ushqimi për grupet më të cenueshme zakonisht ndahet në rrugë. Analiza e dokumentacionit të tenderit nxorri në pah se realizimi i kontratës devijon seriozisht nga ajo që është paraparë në dokumentacionin e tenderit dhe ofertën e dorëzuar.

Dreka nga 19.12.2025. Sipas menusë, mungon kosi dhe torta | Foto: QKQ.

Tenderi i bllokuar i ka lënë njerëzit pa ushqim për muaj të tërë

BIRN vizitoi dy nga nëntë lokacionet e caktuara nga Ministria e Politikës Sociale në të cilat ndahet ushqim për kuzhinat popullore. Një në Qendër, në Maxhir Maallo, ku furgoni ndalet në trotuar, e dyta, në lagjen Hasanbeg, ku mbishkrimi i vjetër “Kuzhina popullore” është i varur mbi hyrjen e një barake të rrënuar me nënshkrimin e Ministrisë së Politikës Sociale, është e vetmja gjë që tregon se kjo është një pikë për ndarjen e ushqimit.

Dikur para pandemisë, siç thonë njerëzit që jetojnë aty pranë, vaktet ndaheshin në barakën që ishte rinovuar për këtë qëllim, por vitet e fundit ato ndahen direkt nga furgoni, në pluhurin e parkingut të improvizuar përpara saj.

Rreth orës 10:30 të mëngjesit u mblodhën rreth 15 persona që e prisnin furgonin, i cili u vonua rreth 10-15 minuta. Ata vijnë herët që të mos e humbasin terminin, sepse kanë frikë se mund ta humbasin të drejtën për këtë vakt, i cili për ta mund të jetë i vetmi që do e konsumojnë gjatë ditës.

“Kështu na thanë, kështu bëjmë”, thanë të pranishmit.

Nuk kishin shumë lëvdata për cilësinë e ushqimit, por janë mirënjohës që u jepet. Vitin e kaluar, për shembull, ata mbetën pa këtë vakt për muaj të tërë.

Kjo është periudha në të cilën po përgatitej tenderi i ri. U deshën shtatë muaj e gjysmë, dy tendera të anuluar, gjashtë ankesa, që furnizuesi aktual, kompania e ushqimit “Party Service Leo” të zgjidhej pas publikimit të tretë të shpalljes, ndërsa për gjashtë vjet rresht këtë tender e kishte fituar një kompani tjetër, “Unimerkant-Ketering”. Dallimin kryesor që e kanë vënë re njerëzit që janë ushqyer me këtë masë për një kohë të gjatë është se më parë ushqimi ishte i nxehtë sepse ndahej direkt nga kazanët në furgon në tenxheret që i sillnin ata me vete. Tani thonë se gjithçka është e paketuar, por shpesh është “e ftohtë akull”.

Askush prej tyre nuk e di që ekziston një tender, një meny në të, dhe as nuk u është thënë se çfarë duhet të ndajë kompania.

Një nënë e një fëmije të vogël po e tregonte ushqimin që i kishte mbetur nga dita e kaluar. Fëmijët nuk kishin mundur ta hanin. Ata u ankuan për thjerrëzat, spinaqin dhe ushqimin e thatë në fundjavë dhe lëvduan fasulet kur ishin të freskëta, fileton e pulës me oriz dhe bizelet me qofte.

“Është mirë kur jepet ashtu siç duhet, edhe ne jemi njerëz, nuk jemi kafshë”, komentoi me indinjatë një grua e moshuar, e cila kishte ardhur të merrte ushqim për vete dhe për burrin e saj.

Sipas menysë për të mërkurën e dytë të muajit duhej të kishte merluc, me oriz të pjekur, sallatë dhe bukë. Në vend të kësaj, nga furgoni u nda ushqim i thatë.

Në një bisedë me BIRN menaxhmenti i “Party Service Leo” u justifikua se bëhej fjalë për një rast incidental dhe mohoi se po bënin lëshime nga menyja e paraparë me tenderin. Ata thanë se kishin pasur një problem me energjinë elektrike po atë ditë dhe kuzhina e tyre ishte jashtë funksionit përderisa prisnin servisimin.

“Ishte rasti i vetëm i tillë në gjashtë muaj. Institucionet u njoftuan se do të shpërndahej një pako dreke. Ne jemi një kompani me përgjegjësi sociale dhe nuk donim t’i linim njerëzit të uritur”, theksuan nga atje.

Ata thanë se dhurojnë rregullisht ushqim për të varfrit, përfshirë këtu edhe në pikën për të pastrehë në Shkup, si dhe se edhe vetë hanë nga të njëjtat vakte, të cilat, sipas tyre, janë të shijshme dhe të përgatitura sipas të gjitha standardeve.

Por, ushqimi i thatë të mërkurën nuk ishte një devijim i rastësishëm nga menyja. Një ditë para vizitës sonë, për shembull, në meny kishte musaka, por njerëzve u është ndarë spinaq.

Hulumtimi i QKQ-së, në të cilin ata e dokumentuan ushqimin e shpërndarë gjatë vizitave në terren, zbuloi mospërputhje edhe më të mëdha. Jo vetëm që nuk është ndjekur rendi i ndarjes së vakteve, por ka pasur edhe mospërputhje në sasi, kombinime, ndërsa shpesh kanë munguar produkte. Nga kosi dhe djathi, e deri te supa dhe frutat. Një nga vaktet e thata që ata kanë dokumentuar përbëhej nga një paketim pate, një e katërta e një qepe dhe bukë. Një tjetër, nga ato të gatuarit, ka përmbajtur vetëm makarona dhe bukë.

Dallime të mëdha në çmimin për një vakt

I njëjti vakt, sipas menysë dhe përbërjes, për të cilin në Shkup paguhen 239 denarë, në Tetovë, për shembull, kushton 105 denarë, por ushqimin atje e përgatit një kopsht i fëmijëve. Nga ana tjetër, tenderin në Kumanovë këtë vit e fitoi kompania që deri vjet gatuante në Shkup me një çmim prej 313 denarësh për vakt.

Nga “Party Service Leo” shpjegojnë se në tendera të tillë ka shumë shpenzime dhe u është dashur që t’i llogarisnin rreziqet e supozuara për të gjithë vitin. Kjo është arsyeja pse ata e kanë ofruar çmimin aktual për vakt, të cilin nuk e konsiderojnë të lartë.

Megjithatë, pikërisht ky informacion ishte ajo që i habiti më shumë personat që ushqehen me këto vakte. Tenderët nuk kanë asnjë vlerë për ta. Përshtypja e tyre është se dikush po ua dhuron ushqimin.

Kjo është arsyeja pse ata u habitën nga informacioni se shteti paguan rreth 7.200 denarë në muaj për secilin shfrytëzues, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një të rritur apo një fëmijë, sepse vakti është i njëjtë për të gjithë dhe zakonisht e marrin më shumë anëtarë në familje.

“Kaq shumë para, e ne jemi ende të uritur. Të paktën të na japin më shumë bukë”, komentuan njëzëri njerëzit që prisnin radhë për ushqim.

Përllogaritja e BIRN tregoi se nëse do t’i blinin produktet që morën për drekë atë ditë nga një dyqan me çmimin e shitjes me pakicë, për to do të paguanin 111 denarë.

Merluci me oriz dhe bukë, i cili ishte në meny të mërkurën, i blerë po atë ditë nga dyqanet e ushqimeve të gatuara, i kompanisë që e gatuan ushqimin për kuzhinat popullore, i kushtoi BIRN 109 denarë, pa e përfshirë këtu sallatën sezonale.

Dreka e dorëzuar me tenderin për të ashtuquajturat kuzhina popullore. Foto: BIRN

Nga QKQ një pjesë të arsyes për këtë e shohin te standardet e larta të vendosura nga Ministria e Politikës Sociale në vetë tenderin. Nëse e lexoni tenderin aty thuhet se ushqimi do të shërbehet në ambiente, gjë që do të nënkuptonte edhe mirëmbajtjen e tyre.

“Por në këto kushte, kur bëni një shpërndarje të thjeshtë 15-minutëshe të vakteve të paketuara, çmimi është paarsyeshëm i lartë”, thekson Fakiq.

Nga kompania thonë se janë habitur kur kanë parë se ushqimi duhej të shpërndahej direkt nga furgoni, sepse nuk kishte vend të caktuar se ku mund ta lënë, me përjashtim të dy prej lokacioneve. Për muajin e parë, furgoni ka qëndruar për dy orë në lokacionin e caktuar në tender, por meqenëse të gjithë e kanë marrë ushqim sapo kanë arritur në lokacion, ata kanë vazhduar të operojnë siç po bëjnë tani, me ndalesa të shkurtra. Ata thonë se për të gjitha çështjet u raportojnë rregullisht institucioneve dhe se deri më tani nuk kanë marrë asnjë ankesë, vetëm lëvdata.

Në të njëjtën linjë është edhe Ministria e Politikës Sociale. Nga atje thonë se po e monitorojnë realizimin e tenderit në baza ditore dhe se gjithçka po shkon mirë.

“Deri më tani, nuk janë konstatuar parregullsi, as nuk ka ndonjë ankesë nga shfrytëzuesit”, thuhet në përgjigjen për BIRN.

Nga ana tjetër, edhe pse nga QKQ kërkuan informacion, e një informacion i tillë është publik, Ministria nuk ua dha atyre dokumentet mbi procedurën e zhvilluar të tenderit, as mbi monitorimin e realizimit të këtij tenderi.

Personave që jetojnë në varfëri nuk u interesohen se si bëhen kontratat. As nëse ka tender. Ata do të donin që ushqimi të ishte më i mirë, sidomos kur e dinë se paguhet mirë.

“Por, kur nuk ka asgjë tjetër, edhe kjo është e mirë”, thonë ata që marrin ushqim në pikën e ndarjes në Hasanbeg.