Nga Kumanova në Tetovë përmes gropave: Autostrada që ‘ndëshkon’ qytetarët çdo ditë

Qytetarët e Shkupit dhe të Kumanovës ankohen për gjendjen e autostradës “Nënë Tereza” kryesisht pjesën e cila të lidhë me Tetovën. Ata shprehen të revoltuar për gjendjen e kësaj rrugë, e cila është e dëmtuar, me gropa dhe ka çarje të asfaltit. Edhe pse paguajnë çdo ditë për taksa rrugore, ata udhëtojnë në infrastrukturë të dëmtuar, që shpesh u shkakton dëme automjeteve. Arsyetohen nga Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore, shkruan Portalb.mk.

Kumanovarët për të shkuar deri në Tetovë duhet të kalojnë katër pikë pagesa rrugore, dhe paguajnë 360 denarë për vajtje-ardhje. Ndërsa qytetarët e Shkupit i kalojnë dy pikë pagesa, dhe paguajnë 160 denarë.

Një qytetar nga Shkupi u shpreh i revoltuar për gjendjen e rrugës që lidh qytetin me autostradën në drejtim të Tetovës.

“Është turp që kjo rrugë, e cila përdoret çdo ditë nga mijëra vetura, të jetë kaq e dëmtuar dhe e lënë pas dore, dhe askush nuk mban përgjegjësi. Unë paguaj për të hyrë në autostradë, por këto para nuk reflektohen askund në përmirësim apo mirëmbajtje të autostradës”, tha ai.

Ndërsa një qytetare tjetër nga Kumanova theksoi se paguan 360 denarë për pikë-pagesat deri në Tetovë dhe se kalon nëpër gropa dhe rrugë të çarë.

“Për të udhëtuar nga Kumanova deri në Tetovë duhet të kaloj katër pika-pagesa ku paguaj gjithsej 360 denarë në të dyja drejtimet. Megjithatë, asfalti në këtë pjesë të autostradës është i dëmtuar, dhe me gropa. Është e papranueshme që shteti të mos marrë asnjë masë për riparimin e rrugës”, tha ajo.

Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore për Portalb.mk theksuan se është në vijim është procedura për riparimin e autostradave, por duke mos dhënë afat konkret.

“Aktualisht në proces është procedura për përzgjedhjen e zbatimit të të ashtuquajturës Marrëveshje Kuadër për mirëmbajtje investuese, me të cilën përfshihen dhe rehabilitohen rrugët e dëmtuara në të gjithë shtetin”, thanë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Ata thonë se një pjesë e autostradave do të jenë në projektin “Trekëndëshi”, për të cilin do të aplikohet në institucione ndërkombëtare për sigurimin e fondeve.

“Trekëndëshi në fakt përfshin trekëndëshin rrugor: Hipodrom–Petrovec; Petrovec–Miladinovc dhe Miladinovc–Hipodrom. Pas sigurimit të fondeve, do të realizohet sanimi/rikonstruksioni i pjesëve më të dëmtuara të autostradës”, shtuan nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Të njëjtën e thanë edhe nga Ministria e Transportit.

Kujtojmë se muajin e kaluar, qytetarët e Kumanovës u ankuan për gjendjen e autostradën Kumanovë – Shkup, veçanërisht pas pikë-pagesës në Milladinovc, ku rruga është e dëmtuar dhe me gropa. Ata theksuan se pavarësisht tarifave të larta rrugore që paguajnë, kushtet e rrugës mbeten të pa pranueshme. Ndërkohë autoritetet u arsyetuan se vijon procedura për riparimi e autostradave, duke mos dhënë afat konkret.

Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore në në vitin 2020 nga mjetet e grumbulluara në bazë të taksave rrugore ka realizuar të ardhura totale në vlerë prej 34 milionë euro, në vitin 2021 mbi 46 milionë euronë vitin 2022 shuma është mbi 53 milionë euro, ndërsa viti 2023 u përmbyll me 62 milionë euro.

Pavarësisht miliona eurove të gjeneruara, qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të përballen me rrugë të dëmtuara për të cilat thonë se nuk ia vlen të paguhen çmimet e pagesave rrugore, të cilat sipas tyre janë të larta, dhe për këtë janë ankuar disa herë.