Nga Gostivari te misioni Artemis II, Albon Rexhepi për Portalb rrëfen rrugëtimin drejt NASA-s
Nga një fshat i Gostivarit deri te një mision që po shkruan historinë e rikthimit të njeriut drejt Hënës. Albon Rexhepi është një nga emrat shqiptarë që sot lidhen me një prej projekteve më të mëdha dhe më ambicioze të NASA-s, Artemis II. Me një rol drejtues në kompaninë DEWETRON në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai është pjesë e ekipit që kontribuon në teknologjinë e testimit dhe matjes për këtë mision hapësinor me rëndësi globale. Historia e tij është dëshmi se talenti, dija dhe përkushtimi nuk njohin kufij. Nga bankat e universitetit deri te bashkëpunimi në një projekt që mban sytë e gjithë botës drejt hapësirës, Rexhepi sot përfaqëson jo vetëm një sukses personal, por edhe një arsye krenarie për gjithë shqiptarët. Në një bisedë për Portalb.mk, Rexhepi flet për sfidat, përgjegjësitë dhe përkushtimin që kërkon puna në projekte ku nuk ka vend për gabime, si dhe dërgon një mesazh të qartë për të rinjtë që synojnë të arrijnë majat e shkencës dhe teknologjisë.
Ai rrëfen rrugëtimin e tij, përgjegjësitë në një mision kaq delikat dhe mesazhin për të rinjtë që guxojnë të ëndërrojnë më shumë.
Portalb.mk: Nga Çegrani i Gostivarit deri te një projekt i NASA-s si Artemis II, si ka nisur rrugëtimi juaj në këtë fushë?
Albon Rexhepi: Pikënisja e rrugëtimit tim profesional ka qenë biznesi familjar që kemi pasur këtu në Amerikë. Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, fillimisht u punësova në kompaninë Pfizer, ku punova për një vit. Më pas u pranova si menaxher projektesh në kompaninë Legrand, ku qëndrova për gjashtë vjet e gjysmë. Që nga viti 2022 jam pjesë e kompanisë Dewetron, ku kam rol udhëheqës. Pikërisht puna dhe përkushtimi ynë na mundësuan të arrijmë një marrëveshje me NASA-n, pasi produktet tona ishin të përshtatshme për nevojat e misionit të tyre.

Portalb.mk: Na sqaroni më konkretisht rolin tuaj në këtë projekt dhe çfarë do të thotë të jesh pjesë e një misioni të tillë hapësinor?
Albon Rexhepi: Ne ofrojmë produkte që shërbejnë për testime dhe matje. Këto produkte përdoren në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të komponentëve për Artemis II. Testimet janë thelbësore që projekti të mos ketë asnjë dështim. Produktet tona gjenden kryesisht në podin e Orionit. Të jesh pjesë e një projekti të tillë është një privilegj dhe krenari shumë e madhe, sepse mundësi të tilla nuk vijnë shpesh në jetë. Prandaj, ne përpiqemi të japim maksimumin në çdo fazë të punës sonë.
Portalb.mk: Duke qenë pjesë e Artemis II, cilat janë sfidat më të mëdha teknike apo shkencore që hasen në një mision të tillë hapësinor?
Albon Rexhepi: Në projekte të tilla duhet të jesh jashtëzakonisht i përpiktë, sepse këtu në pyetje janë siguria dhe jeta e astronautëve. Nuk ka hapësirë për gabime. Produktet tona testohen me vite gjatë fazave të zhvillimit, pikërisht për të qenë sa më të sigurta, të sakta dhe të kompletuara.
Portalb.mk: Çfarë e bën këtë mision kaq të rëndësishëm për të ardhmen e eksplorimit të hapësirës dhe çfarë roli mendoni se do të ketë në kthimin e njerëzimit në Hënë?
Albon Rexhepi: Në këtë moment nuk mund të japim shumë informacione për atë se çfarë do të ndodhë me rikthimin në Hënë, përveç faktit se synimi është krijimi i një baze atje për hulumtim dhe shkencë. Më shumë informacione besoj se do të bëhen të ditura në misionet Artemis III dhe Artemis IV.

Portalb.mk: Si emigrant, cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që keni hasur gjatë integrimit në sistemin jashtë vendit dhe sa ju ka kushtuar deri sa keni arritur në një pikë ku kontribuoni në misione kaq të mëdha?
Albon Rexhepi: Në Amerikë ka sfida të ndryshme për çdo emigrant. Por, më besoni, nëse ke vullnet për punë, mund të arrish gjithçka. Amerika është vendi i mundësive dhe puna nuk të shkon kot.
Portalb.mk: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve nga Maqedonia e Veriut dhe diaspora që ëndërrojnë të arrijnë në institucione si NASA?
Albon Rexhepi: Punoni dhe mësoni. Askush nuk mund t’ju mposhtë nëse keni një qëllim në jetë. Punoni fort dhe do t’ia dilni.