Shkeljet e normës së gjuhës standarde shqipe, si në të shkruar ashtu edhe në komunikimin e përditshëm, vërehen gjerësisht, nga qytetarët e zakonshëm deri te përfaqësuesit më të lartë të institucioneve.Në veçanti, publikimet në rrjetet sociale përmbajnë një numër të konsiderueshëm gabimesh drejtshkrimore, çka dëshmon për një shqetësim të thellë në përdorimin e gjuhës së njësuar.Gabimet drejtshkrimore nuk kanë munguar as në tekstet shkollore, vite me radhë por janë të pranishme edhe në shumë dokumente zyrtare, të publikuara nga organizata dhe institucione të ndryshme,duke ngritur shqetësime serioze për cilësinë e gjuhës së përdorur në sferën publike.
Shkruan: Donika Bakiu
Në komunikimin e përditshëm, si në formë të shkruar ashtu edhe në të folur, vihet re një rritje e ndjeshme e gabimeve gjuhësore, që shpesh përsëriten dhe përhapen gjerësisht.Këto gabime nuk janë të kufizuara vetëm te individë por shfaqen edhe në diskurin publik, në dokumente zyrtare, në media dhe rrjetet sociale. Kjo e bën fenomenin edhe më shqetësues, pasi ndikon drejtpërdrejt në deformimin e normës gjuhësore dhe në përçimin e modeleve të gabuara te brezat e rinj.
Ndër gabimet më të shpeshta mund të përmendim:
Përdorimi i pasaktë i nyjeve, veçanërisht në trajtën e shquar të emrave, si p.sh. “mësusja” në vend të “mësuesja”.
Shkurtimet dhe deformimet e fjalëve në të shkruar, sidomos në rrjetet sociale, ku format si “jom” në vend të “jam” apo “s’kom” në vend të “s’kam” janë bërë të zakonshme.
Huazime të panevojshme dhe fjalë të tepërta ,përdorimi i fjalëve si event, meeting, performance kur ekzistojnë ngjarje, mbledhje, shfaqje.
Në rrjete sociale shfaqen forma si jom, s’kom, shof, në vend të jam, s’kam, shikoj, forma që me kohë po marrin trajtë “normale”, sidomos në mesin e të rinjve.
Një dukuri në rritje: Shtimi i “-ë” në fund të muajve dhe viteve: Shembuj konkretë të përdorimit të gabuar:
Gabim: 15 qershorë 2025
Saktë: 15 qershor 2025
Gabim: në prillë 2024
Saktë: në prill 2024
Gabim: Konferenca do të mbahet më 15 tetorë 2025.
Saktë: Konferenca do të mbahet më 15 tetor 2025.
Gabim: më 1 janarë 2023
Saktë: më 1 janar 2023
Përhapja e gabimeve gjuhësore nuk është thjesht një çështje estetike apo “kulturë personale”; ajo përbën një problem më të thellë me pasoja në arsim, komunikim publik dhe në formësimin e mendimit kritik.Kur norma gjuhësore thyhet, ajo nuk humb vetëm rregullën, ajo humb fuqinë e vet bashkuese, duke cenuar lidhjen e thellë që bashkon një popull nëpërmjet të folurit të përbashkët.