Kur dija ndalet në kufij: Historia e një intelektuali shqiptar dhe heshtja e një shteti

Ka udhëtime që përshkohen me qetësi. Dhe ka udhëtime që shndërrohen në dëshmi të gjalla të padrejtësisë që të ndjek kudo, edhe kur je thjesht në kërkim të frymëmarrjes jashtë një sistemi që po të mbyt. Një udhëtim i tillë ishte ai që bëra me prindërit emi drejt Prishtinës – që nuk përfundoi si një vizitë e zakonshme, por si një përplasje e dhimbshme me realitetin e përhershëm të shtypjes ndaj mendimit të lirë dhe ndaj identitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Shkruan: Besa Kadriu, ligjëruese në UEJL dhe aktiviste e të drejtave të shqiptarëve në RMV

Në pikën kufitare, ku ndarjet e politikës nuk do të duhej të cenonin as nderin dhe as dinjitetin, babai im – një nga themeluesit e parë të Akademisë së Shkencave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut – u mbajt padrejtësisht për katër orë me radhë nga autoritetet e MPBsë. Asnjë sqarim. Asnjë shkelje ligjore. Vetëm pritje, vetëm heshtje. Një ndalim që nuk kishte asnjë arsye tjetër përveç profilit të tij si intelektual shqiptar, një figurë publike që ka ruajtur dinjitetin kombëtar, përtej shantazheve politike dhe përtej marrëveshjeve të heshtura me pushtetin.

Si bijë e tij, si profesoreshë dhe si aktiviste që kam folur gjithnjë hapur për kapjen e institucioneve, mungesën e meritokracisë dhe përjashtimin sistematik të zërave kritikë, ky episod nuk më habiti. Por më tronditi. Sepse kjo nuk ishte hera e parë që sistemi mundohej të përkulte me heshtje dhe përçmim ata që nuk përulen.

Kam qenë vazhdimisht e ekspozuar ndaj presioneve institucionale. Më është mohuar pjesëmarrja në vendimmarrje, jam margjinalizuar si profesioniste, jam etiketuar sepse nuk i përkas një ideodeologjie të një partie politike dhe sepse nuk i jap lëmoshë askujt për një vend në tryezë. Por kur preket babai im – një burrë i dijes, i paanshëm, i qetë, që tërë jetën e tij e ka shpenzuar në shërbim të kulturës shqiptare – atëherë heshtja është bashkëfajësi. Dhe unë nuk mund të hesht.

Ky episod nuk është i izoluar. Është pjesë e një mekanizmi të ndëshkimit të mendimit të lirë dhe dëshmi se në këtë vend, dija nuk shpërblehet – përkundrazi, i vihen prangat. Sa herë që ndonjë shqiptar ngrihet dhe artikulon një mendim të pavarur, sa herë që ndonjë intelektual refuzon të bëhet vegël në duart e partive, ai ose ajo nënçmohet, përjashtohet, shpërfillet, shantazhohet. Dhe në fund – ndalohet në kufi.

Në një shtet që ende vuan nga ethet e nacionalizmit të vjetër, në një shoqëri ku bashkëjetesa është më shumë propagandë se realitet, dhe në institucione që nuk janë të lira nga kontrolli politik, rastet si ky i babait tim duhet të tronditin ndërgjegjen publike.

Ky nuk është vetëm një incident. Ky është një mesazh i qartë: “Mos mendoni lirshëm. Mos mbani qëndrime. Mos u bëni të pavarur.” Por historia na mëson se popujt që heshtin para padrejtësisë, e pësojnë dyfish më vonë. Prandaj, unë e ndaj këtë përvojë – jo për viktimizim, por për të dokumentuar një realitet që të gjithë e dimë, por shumë pak e thonë.

Ky vend nuk ka nevojë për heshtje, por për zëra që guxojnë. Dhe unë, dhe shumë të tjerë si unë, do të vazhdojmë të flasim.