“Jadran” dhe “Bristoll” iu shiten një kompanie pa aktivitete afariste
Ndryshime në menaxhim, status-quo te dy simbolet e Shkupit
Kompani me histori të shkurtër dhe modeste afariste, e cila vitin e kaluar nuk ka regjistruar asnjë denar të hyra, këtë verë u bë pronare e objekteve mbresëlënëse e me rëndësi historike të hoteleve të dikurshëm “Jadran” dhe “Bristoll” në qendër të Shkupit, transmeton Portalb.mk nga Prizma.
Dokumentet të cilat i siguruam nga Kadastra shtetërore zbulojnë se “GM Property” më 25 korrik e ka blerë hotelin “Bristoll” për rreth 1,9 milionë euro, ndërsa vetëm tri ditë më vonë ka paguar pothuajse të njëjtën shumë edhe për hotelin “Jadran”, një objekt që është nën mbrojtje shtetërore për shkak të vlerave të tij arkitekturore.
Objektet për vite me radhë kanë qenë të mbyllura si pronë jofitimprurëse e grupacionit të hotelerisë SH.A. “Makedonijaturist”. Për momentin nuk dihet nëse ndryshimi i pronësisë do të nënkuptojë edhe ndonjë ndryshim në trajtimin e tyre.
Emill Kratovaliev, njeriu që i merr përsipër këto hotele nuk është emër i njohur në biznesin e hotelerisë, e as investitor me portofol të gjerë. Ai dy herë refuzoi të fliste me BIRN dhe i injoroi pyetjet e dërguara rreth hoteleve dhe transaksionit. Sipas të dhënave të disponueshme publikisht për të dihet vetëm se ka qenë anëtar i këshilleve drejtuese të kompanive të sigurimeve.
Nënshkrues i kontratave të shitblerjes në emër të “GM Property” është drejtori Kostadin Sazdovski. Ai prej vitesh është menaxher në kompaninë e Antiqit, “Fashion Group”, si dhe ka qenë anëtar i Këshillit drejtues të SH.A. “Makedonijaturist”.
Hulumtimi ynë shtesë zbuloi se Kratovaliev, në fakt, ka lidhje me një pjesë të biznes grupit që më parë menaxhonte me të dy objektet dhe që kryesisht përbëhet nga ndërtues dhe tregtarë nga Shkupi. Bëhet fjalë për Zoran Antiqin, drejtuesin e brandit tregtar të modës “Fashion Group”, investitor në objekte ndërtimore, ndër të cilat edhe “Grand River” dhe deri pak kohë më parë pronar me aksione pikërisht i hoteleve “Jadran” dhe “Bristoll” përmes SH.A. “Makedonijaturist”.
Lidhja është e drejtpërdrejtë sepse që të dy bashkë e kanë themeluar “GM Property” në vitin 2024. Por, Antiq është tërhequr nga kompania disa muaj para shitblerjes së hoteleve, duke lënë në postin e drejtorit person nga rrethi i tij afarist.
Pronarë të vjetër – të rinj?
Objekti i ish-hotelit “Jadran“, të cilin shumë njerëz e njohin edhe si “Shtëpia Arabe”, është ndërtuar mes viteve 1936 dhe 1938 në stilin e arkitekturës arabo-maure. Pikërisht për shkak të stilit të tij autentik arkitekturor është nën mbrojtje të përgjithshme, ndërsa në vijim e sipër është procedura për shpalljen e tij si objekt-monument.
“Bristoll” nuk është nën mbrojtjen e ligjit, por është simbol arkitekturor i kryeqytetit. Sidomos kopshti i tij ku funksiononte restoranti që shkupjanët e vizitonin tradicionalisht.
Këto objekte për shumë vite ishin të mbyllura dhe të lëna pas dore pasi pronari i pas-tranzicionit i shoqërisë aksionare “Makedonijaturist”, Done Tanevski, vlerësoi se nuk kishte logjikë ekonomike që ato të funksiononin, për dallim nga hotelet e tjera që ai i menaxhonte: “Holiday Inn”, “Karposh”, “Best Western” dhe “Bellvi”.
Tanevski humbi kontrollin mbi “Makedonijaturist” në vitin 2024, pasi Zoran Antiq dhe një grup biznesmenësh e morën përsipër shoqërinë aksionare përmes tregtimit të intensifikuar në bursë. Në të njëjtën periudhë aksione blinin edhe “Tregu i Shkupit” i ndërtuesit Fatmir Etemi, Aco Dudulloski, si dhe biznesmenë të tjerë.
Por, ndryshimi i parë në menaxhim pas disa dekadash nuk solli edhe ndryshim në trajtimin dhe statusin e të dy hoteleve, pavarësisht deklaratave të kohëpaskohshme në media të Antiqit dhe partnerëve se “ideja është që objektet të vihen në funksion”. Përkundrazi, u rrit shqetësimi sepse aksionarët e rinj, mes të cilëve edhe Antiq, kanë një histori të mospërfilljes së rekomandimeve të konservimit për mbrojtjen e objekteve.
Një episod i tillë shqetësues ka të bëjë pikërisht me “Shtëpinë Arabe”.
Kur Antiq e renovoi selinë e tij të biznesit në vitin 2022, e cila është e ngjitur me “Shtëpinë Arabe”, konservatorët e Shkupit dy herë e paralajmëruan Komunën Qendër se po mbindërtoheshin dy nivele pa mendimin e tyre profesional dhe se me atë akt, mes të tjerash, po i bëhej dëm edhe objektit të mbrojtur. Komuna nuk reagoi.
Qeveria vendosi të mos ndërhyjë
Fokusi edhe këtë herë është te Antiq për shkak të lëvizjeve që i ka bërë këtë vit nga të dyja anët e transaksionit. Brenda një muaji, menjëherë para shitblerjes, ai u tërhoq nga kompania që e bleu hotelin “Jadran” dhe “Bristoll”, si edhe nga shoqëria aksionare që i shiti ato.
Antiq fillimisht u tërhoq nga “GM Property”. Në mars ia shiti pjesën e tij të pronësisë Kratovalievit, ndërsa muajin e ardhshëm, në prill, u tërhoq edhe nga “Makedonijaturist”, ku kishte një numër të konsiderueshëm aksionesh (15 përqind).
Vetëm disa javë më vonë, në maj, aksionarët e “Makedonijaturist” mbajtën një mbledhje në të cilën, mes tjerash, vendosën t’i shisnin të dy hotelet. Në po atë mbledhje përfaqësuesit e Antiqit në Këshillin drejtues, Leonid Antiq dhe Kostadin Sazdovski, dhanë dorëheqje.
Edhe Zoran Antiq e injoroi interesimin tonë për intervistë lidhur me lëvizjet e tij të fundit afariste dhe me fatin e hoteleve “Jadran” dhe “Bristoll”, veçanërisht duke i pasur parasysh lidhjet e tij me pronarin e ri. Ne dërguam pyetje edhe në shoqërinë aksionare. Na interesonte se si u shitën hotelet, a ka pasur shpallje publike, sa blerës janë paraqitur dhe si u vendos që pikërisht “GM Property” t’i blejë të dy hotelet. Deri në publikimin e këtij teksti përgjigje nuk morëm.
Edhe pse kishte mundësi ta blinte “Shtëpinë Arabe”, Qeveria këtë verë vendosi të mos ndërhyrë në procesin e shitblerjes. Gjatë shitjes të një objekti me status të mbrojtur, ai fillimisht duhet t’i ofrohet shtetit.
Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në emër të shtetit e refuzoi ofertën identike prej 1,9 milionë euro, duke e mbajtur ndërkohë të gjithë procesin në fshehtësi me çka e përjashtoi mundësinë që publiku eventualisht të ndikonte mbi vendimin. Kështu dështoi mundësia që restaurimi dhe mbrojtja e objektit të mos varen nga kalkulimet ekonomike të privatëve.