Një pjesë e lagjes “Dardania” në zëmër të Tetovës pa plan urbanistik, duhen dy vite kohë për finalizim

Një pjesë e lagjes Dardania në Tetovë është pa plan urbanistik. Kjo revolton banorët e kësaj zone dhe më së tepërmi qytetarët të cilët kanë prona në këtë hapësirë dhe duan të ndërtojnë, por mospasja e planit urbanistik përbën pengesë për ata. Nga Komuna e Tetovës theksojnë se deri në përfundimin e këtij procesi do të duhen nga një vjet e gjysmë deri në dy, raporton Portalb.mk.

Qytetarët kërkojnë sa më shpejtë plan të detajuar urbanistik për këtë zonë.

“Ne kemi tokë aty, menjëherë pas hekurudhës, por kot, s’ka plan urbanistik dhe nuk guxojmë të ndërtojmë, aty ka xhami që është e bërë në të zezë, ka shtëpi tjera plot që veçse janë ndërtuar, por e vuajnë shumë faktin që nuk ka plan urbanistik. Imagjino, një vend aq afër qendrës së qytetit, të mos ketë plan urbanistik, kjo është e tmerrshme. Komuna urgjentisht të investojë në atë zonë, shtëpi duhet të ndërtohen andej, jo fokusi të jetë vetëm qendra e qytetit, sepse jemi ngulfatur nga ndërtimet në qendër”, tha një qytetar.

“Ashtu siç bëjnë pezullimin dhe miratimin për bllokun 57, 57 A, duhet urgjentisht të bëhet plani urbanistik edhe për këtë zonë në lagjen Dardania, jemi shumë afër qendrës dhe një lagje si kjo nuk e meriton këtë, kjo lagje është e lënë krejt pas dore”, tha një qytetar tjetër.

Lagja Dardania në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Lagja Dardania në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, të pyetur nga Portalb.mk se kur do të ketë kjo lagje plan urbanistik, nga Komuna e Tetovës theksojnë se pjesa e qytetit ku ndodhet lagjja Dardania është përfshirë brenda planit gjeneral urbanistik të Tetovës dhe ndodhet në bllokun urban 76. Megjithatë, blloku urban 76 nuk disponon ende plan detal urbanistik.

“Në këtë moment, është dhënë urdhër për azhurnimin gjeodezik të këtij blloku urban me qëllim të krijimit të kushteve për fillimin e procedurës për përpilimin e planit detal urbanistik. Procedura për përpilimin e planit detal urbanistik do të duhet të zhvillohet paralelisht me plotësimin dhe ndryshimin e planit gjeneral urbanistik për bllokun urban 76. Kjo është e nevojshme pasi sipas planit gjeneral urbanistik ekzistues për këtë bllok urban, zona ku ndodhen shtëpitë e lagjes Dardania është destinuar për qëllime ekonomike të vogla, ndërsa kjo duhet ridestinuar në zonë banimi”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Nga aty theksojnë se ky proces do të marrë kohë deri në përfundim, pritet të ketë nevojë për periudhë kohore prej një vjet e gjysmë deri në dy vjet për përpilimin e dokumentacionit urbanistik.

Lagja Dardania në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Lagja Dardania në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Plani Detal Urbanistik për lagjen Dardania është edhe premtim parazgjedhor i kryetarit aktual të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit i cili qëndron te pjesa e urbanizmit në programin zgjedhor 2021-2025 për Tetovës.

Krahas këtij problemi, banorët e lagjes Dardania përballen edhe me probleme tjera si mbeturinat, ndotja e lumit Shkumbin, ndriçimi publik, qentë endacakë dhe të tjera, për të cilat Portalb.mk raporton vazhdimisht.