Nga “do të mbyllet me vendim të Qeverisë” te “duhet ligj i ri”, si ndryshoi narrativi për bastoren Megawin?

Çështja e funksionimit të kompanisë së basteve Megawin ka mbetur pezull prej më shumë se një viti, pavarësisht paralajmërimeve dhe diskutimeve publike për mbylljen e saj. Pyetjet drejtuar institucioneve kishin të bënin me fazën e procedurës, pengesat për vendimmarrje, ndikimin e Ligjit të ri për Lojërat e Fatit dhe afatet konkrete për zgjidhje. Megjithatë, përgjigjja e Qeverisë ishte e përgjithshme dhe pa afate të qarta, duke u mbështetur në arsyetimin se po vepron në përputhje me kompetencat ligjore dhe se është në proces miratimi një ligj i ri. Në përgjigje nuk sqarohet se në ç’formë Ligji i lartëcekur do të ndikojë në mbylljen e kësaj bastoreje, shkruan Portalb.mk.

Përgjigjja zyrtare e Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i adreson drejtpërdrejt asnjërën nga katër pyetjet e parashtruara:

  1. Në çfarë faze është procedura që lidhet me Megawin?
  2.  Çfarë po e pengon Qeverinë të marrë një vendim përfundimtar për mbylljen e kompanisë Megawin dhe kur pritet të zbatohet?
  3. Procesi legjislativ për Ligjin e ri për Lojërat e Fatit është ende në vazhdim në Parlament dhe ligji nuk është miratuar. Si ndikon kjo në rastin Megawin dhe a është arsyeja e vonesës?
  4. A ka një afat të caktuar për zgjidhjen përfundimtare të këtij rasti?

Nuk jepet informacion për fazën procedurale, nuk specifikohen pengesat, nuk përmendet ndonjë afat kohor dhe as nuk sqarohet qartë ndikimi konkret i procesit legjislativ në rastin konkret, përkatësisht si do të mundësohet mbyllja e saj me Ligjin e ri.

“Lidhur me këto çështje, Qeveria po vepron në përputhje me të gjitha kompetencat ligjore, dhe përveç kësaj, është duke u miratuar një Ligj i ri për Lojërat e Fatit, i cili do ta rregullojë këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Portalb.mk.

Një përgjigje e tillë burokratike krijon përshtypjen e zvarritjes së qëllimshme. Kur një çështje premtohet dhe nuk përmendet më më shumë se një vit dhe vazhdon të mbetet pa epilog, problemi nuk është vetëm juridik, por edhe politik.

Ligji i ri si justifikim për vonesë?

Procesi për miratimin e Ligjit të ri për Lojërat e Fatit në Kuvendi i Maqedonisë së Veriut përmendet si element kyç në përgjigjen e Qeverisë. Por lind pyetja: a është ky proces arsye reale për mosveprim, apo përdoret si arsyetim për të shtyrë vendimmarrjen?

Nëse kompania operon mbi bazën e një licence ekzistuese dhe brenda kornizës ligjore aktuale, atëherë duhet sqaruar publikisht kjo situatë. Nëse, përkundrazi, ekzistojnë shkelje apo baza për ndërhyrje, mungesa e veprimit ngre dyshime për standardet e barazisë para ligjit.

Ligjet e reja nuk duhet të shërbejnë si alibi për moszbatim të ligjeve ekzistuese. Shteti ka mekanizma mbikëqyrës dhe inspektues që mund të veprojnë pavarësisht reformave në proces, ashti siç veproi me 307 ueb-faqe bixhozi, të cilat u mbyllën.

Flamuri i Maqedonisë së Veriut. Foto: Qeveria e RMV-së
Flamuri i Maqedonisë së Veriut. Foto: Qeveria e RMV-së

Një vit më pas – çfarë ka ndryshuar?

Portalb.mk saktësisht një vit më parë e trajtoi këtë temë, dhe eedhe atëherë, sikurse sot, bastorja vazhdonte të operonte pa pengesa, ndërkohë që retorika për mbylljen e saj ishte zbehur. Sot, një vit më vonë, narrativa institucionale duket pothuajse identike: asnjë vendim përfundimtar, asnjë transparencë për procedurat dhe asnjë afat konkret.

Interesant është fakti se zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, më 26 shtator 2024 deklaroi se në seancën e ardhshme të Qeverisë, që përkonte me fillimin e tetorit 2024, Megawin do të mbyllej. Megjithatë, një vendim i tillë nuk u mor dhe kompania vazhdoi të operojë.

Kjo e bën situatën edhe më kontradiktore: nëse në shtator 2024 u paralajmërua mbyllje e menjëhershme me vendim qeveritar, atëherë mbi çfarë baze ligjore u bë ai premtim? Dhe nëse atëherë nuk u konsiderua i domosdoshëm një ligj i ri, pse tani kërkohet miratimi i Ligjit të ri për Lojërat e Fatit si kusht për mbylljen e saj?

Izet Mexhiti. Foto nga faqja e tij zyrtare në Facebook
Izet Mexhiti. Foto nga faqja e tij zyrtare në Facebook

Ky ndryshim i narrativës, nga “vendim në seancën e ardhshme” në “duhet ligj i ri” lë hapësirë për dyshime mbi qëndrueshmërinë e qëndrimeve institucionale dhe seriozitetin e premtimeve publike. Në mungesë të një sqarimi nga ana e Qeverisë, krijohet përshtypja se arsyetimet po ndryshojnë varësisht nga momenti politik, ndërsa çështja mbetet pa epilog konkret.

Kujtojmë se Ligji që e përmend Qeveria, “fle” prej muajsh në Kuvendin e Mqedonisë së Veriut. Ndonëse se u promovua me shumë bujë si një hap i madh për mbrojtjen e të rinjve, propozim-ligji me të cilin ndër të tjera, kazinot parashihen të mos lejohen pranë shkollave po zvarritet. Nuk ka datë konkrete se kur do të miratohet.