Marie Lasgush Poradeci: Arkivin me 30 mijë dokumente e dhuruam për Shqipërinë, por kërkesa për muze në Pogradec mbetet e padëgjuar
Lasgush Poradeci është një nga emrat që shumica e shqiptarëve e kanë mësuar që në bankat e shkollës, por pak e njohin njeriun që fshihet pas vargut: babanë, intelektualin, njeriun e përditshëm që jetoi në një kohë të ashpër për kulturën dhe lirinë krijuese. Në një bisedë për Portalb.mk, Marie Lasgush Poradeci, vajza e poetit rrëfeu një botë që nuk gjendet në tekstet mësimore.
Portalb.mk: Si është të rritesh në shtëpinë e një poeti si Lasgush Poradeci? Çfarë kujtimesh të hershme ruani nga përditshmëria e tij, si baba dhe si poet?
Marie Lasgush Poradeci: Kur je e vogël ti gëzohesh në shtëpinë tënde pranë nënës e babait tënd, me dashurinë e tyre. Ti nuk e di se, ai burri, që ti i thua babi dhe ai të thërret, Mariuarë, Mariuarë (përkëdhelje e emrit Marie), është ndoshta poeti më i madh që ka vendi yt. Ti nuk e di se çfarë do të thotë poet, vepër, poezi, Lasgushi nuk botohet, etj.
Jeta jonë nuk ishte dhe nuk rridhte si në shtëpitë e tjera. Jo se ndodhte diçka e jashtëzakonshme, por ishte një jetë që e diktonte sipas ritmit të jetës së tij babai ynë. Ajo ishte e ndarë në dy “stinë”, ajo e Tiranës dhe ajo e Pogradecit. Në Tiranë kishim një shtëpi shumë të bukur, sipas stilit austriak, të cilën e ndërtoi babai ynë kur u këthye nga (Grazi) Austria, ku ai doktoroi për Filologji romano-gjermanike. Në shtëpinë e Tiranës, familja ime, që përbëhej nga babai, mamaja, motra dhe unë, qëndronim muajt e ftohtë të dimrit, ndërsa muajt e verës dhe vjeshtës ne shpërnguleshim në shtëpinë e Pogradecit.
Në fund të qershorit, mbasi mami mbaronte mësimet (ajo ishte arsimtare në një shkollë në Tiranë) dhe unë dhe motra mbaronim shkollat, niseshim në Pogradec. Babi pajtonte gjithmonë një taksist privat, të cilin e kishim komshi. Niseshim herët në mëngjes dhe merrnim me vete shumë plaçka, të cilat do të na duheshin për muajt, që do të qëndronim atje. Fillonte kështu për ne stina e Pogradecit.
Në Pogradec gjithçka ishte ndryshe nga Tirana, çdo gjë: ajri, ushqimi, miqësitë, komshinjtë. Sapo arrinim me makinë dilnin të gjithë komshinjtë, edhe fëmijët dhe i drejtoheshin babit: Erdhe Zoti Llazar! Na e zbukurove mëhallën! Ishte shumë bukur, ndjeheshe shumë e rëndësishme.
Shtëpia e Pogradecit ishte shumë e vjetër dhe nuk kishte kushte të duhura për banim, por në përshtateshim sepse babait tonë i pëlqente klima e vendlindjes së tij dhe ai nuk rronte dot pa të.
Portalb.mk: Shpesh lexuesit njohin veprën, por jo njeriun pas saj. Si do ta përshkruanit karakterin e tij në jetën private, çfarë e gëzonte, çfarë e shqetësonte, çfarë e frymëzonte?
Marie Lasgush Poradeci: Babai im e kishte fituar titullin “Poet kombëtar” por këtë nuk e kishte të shkruar në ballë. Ai kish fituar zemrat e njerëzve edhe të njerëzve të thjeshtë dhe për këtë krenohem, por vetëm kaq, të tjerat unë duhej t’i njihja kohë pas kohe. Unë, që e vogël, nuk e kam lexuar veprën e tij, e kam mësuar përmendësh. Thellë edhe me naivitetin e një fëmije e ndjenja madhështinë e njeriut, që fati e kish caktuar të ishte babai im. Vija re me shumë vëmendje, sidomos kur ai bisedonte me njerëz, që e vizitonin. Më bënte përshtypje sa shumë gjëra dinte, çdo gjë. Vija re diferencën kulturore mes tij dhe biseduesve. Im atë zotëronte mbi 6 gjuhë dhe mund t’i fliste lirshëm ato sikur t’ kishte gjuhët e nënës. E pyesja për vitet kur studionte në Universitetin e Grazit, studime të cilat i përfundoi me marrjen e doktoraturës, duke fituar titullin e lartë Profesor. Ai nuk lodhej, me tregonte plot gjëra dhe më mahniste. Më mahnisnin sytë e tij të mrekullueshëm që i merrnin një lloj shkëlqimi që nuk e kam ndeshur në asnjë njeri deri më sot. Edhe kur isha e pakujdesëshme në pyetjet e mia, ai dinte ta gjente përgjigjen.

Portalb.mk: Poezia e tij është e lidhur ngushtë me natyrën, liqenin, dashurinë dhe përjetimin intim. Sa prej kësaj bote poetike ishte vazhdim i jetës së tij reale dhe sa ishte univers i krijuar vetëm në vargje?
Marie Lasgush Poradeci: Sepse këto janë tema të pavdekshme. Një poezi ka misteret e saj. Ajo duhet të ketë përmbajtje, formë dhe stil. Një përmbajtje që të tingëllojë aktuale edhe pas 1000 vjetësh. Kësaj përmbajtjeje i vishet e një formë që të jetë sa më skulpturale, pastaj është stili. Stili përbën veçorinë e poetit. Ti sa po e lexon thua: kjo poezi është e Lasgushit. Po poezia ka edhe elemente të tjera. Këto elemente poeti i gjen tek kultura e tij. Pa kulturë, nuk ka poet të madh. Fjalët në fjalor janë banale, nuk thonë më shumë se sa në fjalor. Por poeti me mjeshtërinë e tij bën që fjalët në poezi të tingëllojnë ndryshe. Në poezi çdo fjalë është një xhevahir. Poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku ti gjesh gjithë ato xhevahire? Elementë të tjerë janë rima, ritma, muzikaliteti etij. P.sh. Ne rimën në poezi nuk e vemë për formë. E vemë sepse potenzializon vargun kur në harmoni me zhvillimin e brendëshëm spirtitual të vargut.
Portalb.mk: Gjatë jetës së tij, a e ndjeu ai vlerësimin që meritonte, apo pati periudha heshtjeje dhe moskuptimi institucional e shoqëror? Si i përballonte sfidat dhe zhgënjimet?
Marie Lasgush Poradeci: Im atë nuk më ka gënjyer kurrë. Pyesja veten: “Përse babai im nuk punon si ata, që i thërrasin “Profesorë”, por punon si punëtor i normuar përkëthimi në Ndërmarrjen e Botimeve me një rrogë qesharake prej 5700 lek në muaj? Im atë u bë prind rreth moshës 60 vjeç dhe doli në pension kur ishte 75 vjeç. Mendo pak, me atë rrogë qesharake, me shëndet të dobët, probleme familjare të tmerrëshme, që duhej të shkonte në farmaci natën, kur fëmija i sëmurej, kur fëmija qante etj. Ne në shtëpi nuk kishim telefon, frigorifer, televizor. Mendo, në këto kushte janë përkëthyer të gjitha ato kryevepra të letërsisë botërore si Gëtë, Hajne, Mickieviç, Lenau, Pushkin etj Mendoj se heshtja për Lasgushin nuk ishte moskuptim institucional. Përpos injrantëve që drejtonin Shqipërinë, komunizmi është një sistëm antivlerë. E urren kulturën e vërtetë. Një sistem që moton kryesore e ka “Punoj për bukën e gojës”. Si shtaza në pyll. Shtaza punon vetëm për bukën e gojës.
Portalb.mk: Si familje, sa e vështirë ishte të ruhej integriteti i tij krijues në rrethana politike e kulturore shpesh të ndërlikuara? A ka pasur kompromise që ai i refuzoi me vetëdije?
Marie Lasgush Poradeci: Babai gjithmonë na thoshte: nuk duhet ta harroni që jeni vajzat e Lasgush Poradecit. Jemi përpjekur që mos i harrojmë kurrë mësimet e tij të vyera. Unë dhe motra ime nuk jemi nga ato që shitemi për një copë bukë. Jemi ashtu si babai ynë që thoshte: edhe mund të vdes nga urija e trupit por kënaqësia që më jep lirija e rifituar nuk ka tjetër kundërshpërblesë dhe ky është gazi i madh që i pat falur YLLI IM QENIES TIME.
Portalb.mk: Pas ndarjes së tij nga jeta, mbi ju ka rënë edhe barra e kujtesës. Si e keni përjetuar përgjegjësinë për ta ruajtur, promovuar dhe afirmuar trashëgiminë e tij letrare?
Marie Lasgush Poradeci: Menduam të dyja me motrën dhe ju vumë punës për të botuar çdo gjë, Botuam të gjitha poezitë e tij edhe ato të pabotuara. Botuam të gjitha shkrimet publicistike dhe të tjera. Meqenëse edhe korespondeca e tij ishte jashtëzakonisht voluminoze dhe me shumë vlerë kemi botuar dhe shumë letra me personalitete të ndryshme. Kemi hasur shumë vështirësi sepse nuk kemi gjetur sponsorë, madje as shteti. Por në një farë mënyrë ja kemi dalë mbanë.
Portalb.mk: A mendoni se brezat e rinj sot e lexojnë dhe e kuptojnë Lasgush Poradecin në thellësinë që meriton, apo figura e tij rrezikon të mbetet vetëm në tekstet shkollore?
Marie Lasgush Poradeci: E lexojnë shumë, është brez i zgjuar. Interneti është plot me poezi të Lasgushit. Madje shumë poezi janë kompozuar mrekullisht, është kaq i ëmbël.

Portalb.mk: Duke qenë se babai juaj shpesh krahasohet me Edgar Allan Poe-n për atë stilin e tij hermeneutik e ‘të vështirë’, ku njerëzit shpesh thonë se duhet ‘përkthyes’ për ta marrë vesh se ç’ka dashur të thotë, a e keni pasur edhe ju si vajzat e tij të vështirë ta gjenit kuptimin e saktë të vargjeve të tij, apo ai jua ‘shpjegonte’ kodet e tij në bisedat e përditshme?
Marie Lasgush Poradeci: E thashë edhe me lart, Lasgushi është poet i vërtetë. Që ta kuptosh duhet të kesh kulturë. E them këtë sepse po më thoni që, “ai është i errët, duhet dikush ta shpjegojë atë që shkruan”. Por Lasgushi është i thellë dhe çdo thellësi është e errët. Imagjino të bërtasësh në një humnerë. Ka fshehtësirë dhe jehonë, është jehona dhe fshehtësia e shpirtit të tij. Në këtë kuptim deshifrohen edhe ato që ju i quani kode. Lasgushi duhet të lexohet me dashuri, po me të njëjtën dashuri ashtu siç lexojmë gjuhën tonë të mrekullueshme shqipe. Jehona dhe fshehtësira e shpirtit të Lasgushit vjen nga thellësia e shekujve.
Portalb.mk: Në procesin e ruajtjes së dorëshkrimeve, dokumenteve apo kujtimeve personale, a keni zbuluar ndonjë dimension të panjohur të tij që publiku ende nuk e njeh plotësisht?
Marie Lasgush Poradeci: Duke respektuar amanetin e tij që kujdestarja e dorëshkrimeve të tij të jetë Mëma Shqipëri ne, dy motrat, arkivën e tij me rreth 30 mijë dokumenta e kemi dhuruar në arkivën e shtetit. Do të dëshironim që për babain tonë, të tokën e tij në Pogradec, të ndërtoheshte një muze ku të ekspozoheshin gjithë këto dokumente. Por asnjë qeveritar nuk na dëgjon, i kanë veshët e mbyllur, promovojnë vetëm ata që i shërbyen komunizmit.
Portalb.mk:Çfarë do të donit që historia të mos harronte kurrë për Lasgush Poradecin?
Marie Lasgush Poradeci: Është një fat i madh, që kombi shqiptar ka një poet të përmasave botërore ashtu siç dhe e ka shprehur anëtari i Akademisë së Nobelit.