Nga 2015 deri sot: Reshje, përmbytje, humbje, a ka mësuar Tetova diçka dhe sa mund t’u bëjë ballë vërshimeve?

Muaji qershor viteve të kaluara në Tetovë është shënuar me reshje dhe përmbytje të cilat kanë shkaktuar dëme në qytet dhe rrethinë. Para disa ditëve ka pasur reshje të shiut në disa pjesë të Tetovës dhe rrethinës. Duke qenë se ndryshimet klimatike dhe kërcënimet nga reshjet e dendura të shiut edhe vërshimet tani më janë realitet, Portalb.mk u interesua nëse Tetova është e gatshme të përballet me to, si rajon që disa herë e ka pësuar nga to. 

Frika nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore është e pranishme gjithnjë në Tetovë dhe rrethinë. Ky rajon disa herë ka qenë dëshmitar i vërshimeve dhe dëmeve nga reshjet e shiut. 

Tetova vitin e kaluar dy herë u përball me përmbytje nga reshjet e shiut, në qershor dhe në tetor, të cilat shkaktuan dëme materiale për në shumë prona private të qytetarëve, institucione dhe bujqësi, madje u bllokuan edhe disa rrugë. 

Ndërsa fatkeqësia më e madhe ishte në vërshimet e vitit 2015 morën me vete katër jetë njerëzish në mesin e të cilëve edhe të një fëmije. 

Çdoherë kur ka reshje, lind pyetja çka nëse ka vërshime, dhe sa qytetarët janë të sigurt? 

Komuna e Tetovës ka të themeluar Shtabin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, ku përfshihen përfaqësues nga disa institucione.

Këshilltari komunal nga BDI, Liridon Disha për Portalb.mk thotë se viteve të fundit në ndërmarrjet komunale nuk e nuk është investuar aspak për përmirësimin e shërbimeve.

“Njësia e zjarrfikësve operon vetëm me 1 kamion funksional për gjithë territorin e komunës, NPK-ja është në borxhe marramendëse dhe punëtorët zakonisht janë me nga 4 rroga minus. Shtrohet pyetja sa janë të motivuar punëtorët e NPK-së të jenë në gatishmëri kur nuk i marrin pagat në rregull dhe s’kanë kushte minimale pune? Ne mendojmë se në rast krizash të tilla Komuna e Tetovës nuk është e gatshme tu dalë në ndihmë qytetarëve për shkak të mungesës së vullnetit të qeverisjes lokale që për këto 4 vjet të paktën të bëjnë investime minimale që këto ndërmarrje të jenë funksionale”, tha Disha.

Pasojat nga reshjet në Tetovë (24.06.2024). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Pasojat nga reshjet në Tetovë (24.06.2024). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Defektet në kanalizimin fekal dhe atë atmosferik, vjetërsia e tyre, mosmirëmbajtja, mospastrimi konstant dhe hedhja e mbeturinave në to nga ana e qytetarëve janë disa nga arsyet kryesore që kur ka reshje në Tetovë, ujërat të dalin në sipërfaqe. 

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”, Valon Zeqiri për Portalb.mk theksoi se që nga gushti i vitit 2024 kur ai ka ardhur në këtë funksion, detyra kryesore e tyre ka qenë menaxhimi i rrjetit të ujësjellësit dhe mirëmbajtja e kanalizimit fekal dhe atmosferik. 

“Gjatë gjithë kësaj periudhe është bërë larja dhe pastrimi i kanalizmit fekal dhe atmosferik në rrjetin primat dhe sekondar. Gati 60-70 përqind e qytetit është e larë dhe pastruar. Por, pakujdesia e qytetarëve të cilët hedhin mbetje, pllaka dhe shumë gjëra të tjera i bëjnë problem kanalizimit, ekipi i njësisë së ujësjellësit dhe kanalizimit çdo ditë është në terren për çbllokim të gypave”, tha Zeqiri. 

Ndërkaq kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, u shpreh se këtë periudhë është punuar që të pastrohen rrjedha e lumit dhe i gjithë sistemi i kanaleve të rrjedhave të ujit natyror. 

“Urojmë që mos të ketë ashtu situata, por besoj se edhe Njësia për Mbrojtje dhe Shpëtim edhe Ndërmarrja Komunale Sharri që menaxhon me kanalizimet atmosferike e kanë bërë punën e vetë që mos të kemi situata të tilla”, tha Kasami. 

Në rast se ka reshje të dendura të shiut, Drejtoria për Mbretje dhe Shpëtim (DMSH) do të merr të gjitha masat e nevojshme që të intervenojë. Kështu tha për Portalb.mk  Muhamed Avzija, udhëheqës i Njësisë Rajonale të Tetovës i DMSH. 

“Gjatë muajit të kaluar kemi mbajtur mbledhje bashkë me të gjitha institucionet tjera që e përbëjnë shtabin e krizës për rajonin e Tetovës, dhe jemi të angazhuar maksimum që këtë sezon ta kalojmë pa dëme të mëdha. Edhe pse ne si njësi rajonale nuk kemi mjetet e nevojshme dhe personel për marrje të masave, bashkë me ekipet që i kemi në drejtori-qendër dhe me institucionet tjera për mbrojtje dhe shpëtim, do t’i marrim të gjitha masat me gjithë kapacitetet që i kemi”, tha Avzija. 

Rrugë e bllokuar nga reshjet e shiut. Foto nga Portalb.mk.

Organizatat e shoqërisë civile kanë alarmuar se Maqedonisë së Veriut si një vend që nuk ka mjete financiare për t’u përballur me përmbytjet dhe zjarret, duhet urgjentisht të zhvillojë një plan kombëtar për përshtatje që do të ndihmojë në organizimin dhe koordinimin e masave për t’u përballur me këto kërcënime dhe pasojat afatgjata të ndryshimeve klimatike. 

Për kërcënimet nga vërshimet dhe ndryshimet klimatike kanë alarmuar edhe disa raporte ndërkombëtare. 

Një raport i vitit të kaluar i Bankës Botërore theksoi se Maqedonia e Veriut është vatër për rreziqe të ndryshme klimatike dhe natyrore, si përmbytjet dhe rritja e rrezikut për zjarre në pyje. 

Ngjashëm një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka shfaqur të dhëna shqetësuese për vendin, ku thuhet se Maqedonia e Veriut është e ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve natyrore që paraqesin rreziqe thelbësore për sigurinë publike dhe infrastrukturën publike. Përmbytjet dhe zjarret, edhe në këtë raport, parashikohen të bëhen më të shpeshta dhe ekstreme pasi ndryshimet klimatike ndryshojnë temperaturat dhe modelet klimatike. 

FMN parashikon se çdo dhjetëvjeçar të ardhshëm Maqedonia e Veriut mund të përballet me përmbytje potencialisht kërcënuese për jetën e njerëzve.