Të shtyrë nga prirja për lavdi, mund të besojmë me naivitet se arritja e saj është kulmi i lumturisë. Por kush e prek lavdinë e kupton, herët ose vonë, se është deprivatizim dhe pengesë në punën krijuese.
Shumë gjeni u arratisën në vende larg zhurmës dhe pritjeve të njerëzve, me shpresën se do të çliroheshin nga presioni i lavdisë. Por mjafton vetëm një herë ta prekësh kulmin e saj dhe më s’ka kthim prapa. Përkundër çdo nevoje për padukshmëri, është vepra e krijuar që e rikthen në çdo kohë vëmendjen e njerëzve drejt krijuesit të saj.
Kështu mendoja për lavdinë, këtë “shumë të të gjitha keqkuptimeve që grumbullohen rreth një emri”, siç thoshte Rilke, derisa shihja fotografinë e gjeniut me pamje varfanjaku. Është matematikani Grigori Perelman, i cili zgjodhi njërin nga problemet më të vështira në matematikë.
Për shkak se u zhgënjye nga bota akademike, një botë e mbushur me xhelozi salierësh, u tërhoq nga jeta publike dhe jeton i vetmuar. Ai nuk dëshiron të bëhet pjesë e spektaklit. Nuk dëshiron të “ekspozohet si kafshë në kopsht zoologjik”.
Për shkaqe personale, psikologjike ose etike shumë gjeni u tërhoqën nga jeta publike dhe jetuan në botë më të qetë, larg qendrës së vëmendjes, duke besuar se brenda Kullës së Fildishtë do ta ruanin lirinë personale dhe s’do të torturoheshin nga presioni i publicitetit. Të tillë ishin Niçja, Tolstoi, Emili Dikinsoni, Beketi dhe shumë të tjerë, kurse në botën shqiptare kemi shembujt e Lasgush Poradecit dhe të Ymer Shkrelit.
Madje ata refuzuan të jepnin edhe intervista, sepse besonin se, në vend të autorit, duhej të fliste libri. Dhe libri flet edhe kur bota nuk dëgjon. Veprat e mëdha rikthehen në vëmendjen e njerëzimit, kur ndotësit e ekraneve të jenë harruar.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.